Ish kryetari i Odës Ekonomike, Berat Rukiqi thotë se mos shpenzimi i mjeteve për investime kapitale është keqmenaxhim për buxhetin, njëlloj sikur kur paratë shpenzohen keq.
“Cdo mos shpenzim i mjeteve është keqmenaxhim me buxhetin, që do të thotë edhe kur shpenzohen keq por edhe kur nuk shpenzohen fare është keqmenaxhim. Mungesa e projekteve, bënë që mos të përfitojnë qytetarët dhe bizneset që paguajnë taksa. Normalisht, ky është dështim i madh. Realisht, çdo dështim apo çdo performancë të dobët kjo qeveri ka tentu me mbulu në formën e subvencionimit, duke shpërndarë mjete pa asnjë plan”, theksoi ish kryetari i Odës Ekonomike.
Rukiqi sqaron se mungesa e projekteve kapitale ndikon në ekonominë e vendit e cila reflekton në papunësi, në mirëqenie qytetare.
“Dami i tillë reflektohet në rritje ekonomike, sa më pak rritje ekonomike reflektohet në puënësim, në mirëqenien qytetare, reflektohet në arsim me cilësi më të dobët, shëndetësi pa ndonjë shërbim apo zhvillim të ri, kështuqë dëmi është i shumë anshëm”, tha ai.
Në fund, Rukiqi thotë se Qeveria nuk ka kohë më për shpenzim të mjeteve të planifikuara për investime, sepse tashmë është shumë vonë.
“Kjo qeveri nuk mundet me i shpenzu mjetet e planifikuara për investime kapitale, tashmë jemi në gati gjysmën e vitit dhe një pjesë e madhe e projekteve ende nuk ka filluar. Pjesa më e madhe e asaj që ka filluar ka mbetur në gjysmë. Këta nuk i kanë përfunduar edhe ato që i kanë gjetur në përfundim e sipër e mos të flasim për projekte të reja”, përfundoi Rukiqi.