Vrasësi i efektivit të “Shqiponjave”, Azgan Mërnica vijon të jetë në arrati, ndërsa RENEA dhe FNSH vazhdon kërkimet, duke ngritur pika të reja kontrolli.
Mësohet se një pikë kontrolli është vendosur në kryqëzimin që lidh fshatin Baltez me Sulajn, ndërsa grupe të FNSH janë pozicionuar në Apollon dhe Pojan, por ende nuk ka asnjë rezultat.
Dje, një sinjal i ardhur në Policinë e Fierit, njoftonte se një person që kishte ngjashmëri të mëdha fizike me të vrasësit ishte parë në Gjirokastër. U bë krehja e të gjithë zonave ku pretendohej, por asnjë e dhënë tjetër nuk u bë e mundur për identifikimin e tij. Policia pretendon se Azgan Mërnica nuk ka dalë nga asnjë kufi shtetëror, duke iu referuar sistemit TIMS, ndonëse kalimet për në Greqi në fakt bëhen edhe jashtë pikave doganore e jo në një kalim të vetëm po nëpërmjet disa shtigjesh të shumta.
Megjithatë, policia ende beson se ai mund të gjendet mes Fierit dhe Gjirokastrës i strehuar tek ndonjë banesë e braktisur. Por sa më shumë orë kalojnë aq më shumë zvogëlohet mundësia për ta vënë në pranga, aq më tepër kur dihet se i riu është edhe i armatosur. Sipas të dhënave të nënës së tij, personit që ka qenë me të në makinë në momentin që ka kryer krimin e rëndë, mësohet se ai e ka çuar te shtëpia e dajës së tij dhe e ka lënë aty, duke lënë në makinë edhe telefonin, një mundësi për ta gjurmuar. Policia ka kryer një mori shoqërimesh, të gjitha njohje të të riut, por nuk ka mundur të vërtetojë asnjë ndihmë të dhënë prej tyre.
Po ashtu janë marrë dëshmitë e nënës, si dëshmitari kyç i asaj ngjarjeje tronditëse, të afërmeve të tjerë të Azganit dhe të disa personave që e kanë parë ngjarjen. Askush nuk di të thotë se çfarë bisede është zhvilluar mes tyre para se sa 23-vjeçari të nxirrte armën dhe të qëllonte me plumb në kokë Novruz Cenalinë, 28-vjeçarin, i cili sapo kishte dalë nga banesa për tu nisur në drejtim të Policisë së Fierit për të marrë turnin.
HISTORIKU FAMILJAR I AUTORIT
Duke parë më me detaje aktin e frikshëm që e çoi një të ri, vetëm 23 vjeç, t‘i marrë jetën një efektivi policie për një sherr banal, vetiu kërkohen shkaqe të shumta deri në familje. Prej dy ditësh, në lidhje me familjen Mërnica janë mësuar detaje të shumta që kanë të bëjnë me praninë në një mori ngjarjesh të rëndë. Përveç të vëllait, Kirit, 25 vjeç, i cili është dënuar tashmë për masakrën ndaj Florjan Selimit, të riut me origjinë nga Tropoja, thuhet se me probleme të mëdha me ligjin ka edhe xhaxhanë e tij, Robert Mërnica, 47 vjeç.
Ky i fundit është i shpallur në kërkim që prej prillit të vitit 2021, ku bashkë me Kirin, një tjetër nip të tijin dhe një shok të tyre tentuan të vrisnin Pashk Palnikajn. Edhe me Palnikajn sherri, sipas policisë dhe prokurorisë së Fierit ishte thuajse i njëjtë: përse na sheh?! Por të dhënat që kanë shoqëruar bëmat e familjes së autorit të vrasejs së efektivit të policisë i shtohet edhe një krim që sipas të dhënave të policisë e ka kryer më herët i ati i tij, Petrit Mernica, i cili sipas informacioneve ka vrarë kunatin e tij. Po ashtu mësohet se Sadri Selaci, personi që është arrestuar për masakrën e gushtit të 5 vjetëve më parë ku u vra në mënyrë barbare Selimi, është djali i vëllait të nënës së autorit. Pra Kiri Mërnica, sipas policisë e kreu krimin bashkë me djalin e dajës së tij.