Pas marrëveshjes mes presidentit të RS Milorad Dodik dhe atij të Serbisë Aleksandar Vuçiq, parlamenti i madh serb është caktuar për 8 qershor në Beograd.
Mediat boshnjake paralajmërojnë se ky parlament rrit shansin për tensione apo edhe shtrëngim të marrëdhënieve përfshirë Kosovën dhe pjesët e tjera të shteteve ku jetojnë serbë.
Parlamenti i Serbisë së Madhe do të mbahet më 8 qershor në Beograd, pasi në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara do të mbahet seanca për rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë e planifikuar për më 23 maj.
Fillimisht, asambleja e madhe serbe ishte paralajmëruar për Pashkë, por ajo u shty, pasi u shty edhe seanca e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për Srebrenicën.
Vuçiq më pas deklaroi se e pranon idenë e Dodikut që Kuvendi i Popullit Serb, Serbi dhe RS, të mbahet menjëherë pas votimit të rezolutës për gjenocidin e Srebrenicës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Më herët ata kanë paralajmëruar se në seancë do të bëjnë një deklaratë që do t’i referohet, siç kanë thënë, “pozitës së vështirë” të të gjithë serbëve në rajon.
Sipas mediumit boshnjak Vijesti, kjo do të thotë vetëm një gjë – shtrëngim i mëtejshëm i marrëdhënieve me shumicën e fqinjëve, veçanërisht me Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Kosovën dhe Kroacinë.