Gazetarja Klodiana Lala thotë se kamerat e sigurisë kanë kapur momentin e vrasjes së oficerit të policisë në fshatin Baltës të Fierit.
Ajo tha se pamjet janë shumë të rënda, dhe në to dallohet autori, Azgan Mernica teksa qëllon pas koke policin 28-vjeçar Novruz Cenalia. Në emisionin “Open”, ajo tha se në pamje duket një tentativë e policit për të reaguar me armën e shërbimit, por ka qenë e pamundur pasi është qëlluar pas shpine.
Lala tha se video e publikuar ku dëgjohen familjarët teksa inkurajojnë autorin e krimit të rëndë, është trishtuese për Shqipërinë.
“Në ngjarjet filmike që unë kam parë, janë pamje shumë të rënda, e qëllon me pistoletë në kokë, teksa ishte kthyer me shpinë. Ai tenton të bëjë diçka me pistoletën e shërbimit por nuk arrin se e qëllon në kokë. Familjarë të cilët inkurajojnë një njeri i cili ka bërë një krim të rëndë. Po të shohësh ka një urrejtje ndaj forcave “Shqiponja”, duhet parë pse , çfarë ka ndaj tyre.
Mjafton të shikosh, jo për mua që merrem me kriminelë të kësaj natyre, mjafton të shikosh lëvizjet, mënyrën, faktin që familja e inkurajn atë, është trishtuese për këtë vend”, u shpreh gazetarja Lala.