Aleksandër Vuçiq e thotë hapur: “kundërshtarët e Serbisë janë Berlini, Londra dhe Uashingtoni”.
Duke folur për rezolutën që dënon gjenocidin në Srebrenicë, presidenti serb pretendoi se do të luftojë kundër fuqive të mëdha në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, por pranoi se në fund, vendi i tij do të humbë.
Vuçiç tha për televizionin publik serb, se për herë të parë Kina do të jetë kundër rezolutës, e cila sipas tij do ti vendosë njollën e gjenocidit popullit serb. Ai pretendon se qëllimi i dokumentit është shfuqizimi i Republika Srpska në Bosnje.
Zemërimin më të madh në rajon e shprehu kundër Malit të Zi për votën pro ndaj rezolutës, ndërsa paralajmëroi ndryshime të mëdha në botë pas 23 majit.
“Çfarë mund të them për Malin e Zi. Meksika do të abstenojë, Nikaragua do të jetë kundër dhe Mali i Zi do të jetë pro. Çfarë mund të them për faktin që Kina do të jetë kundër dhe Mali i Zi pro. Kjo tregon se sa shumë po ndryshon rendi në botë. Pas seancës së OKB-së, do të jemi dëshmitarë të ndryshimeve në botë, lindjes së një rendi të ri.”
Vuçiç foli për Kosovën duke akuzuar perëndimorët që po lejojnë atë që e konsideroi “vjedhje të territorit”.
Ai pretendoi se Britania po përdor një truk të ri për të mundësuar anëtarësimin në Këshillin e Evropës, që ka të bëjë me kthimin e planit të Ahtisarit për respektimin e të drejtave të minoriteteve. Presidenti serb u pyet lidhur me mundësinë që ndonjë nga pesë shtetet mos njohëse të Kosovës në Bashkimin Europian të ndryshojnë qëndrim.
“Spanja nuk do të ndryshojë qëndrim për çështjen e Kosovës. Kam frikë nga qëndrimi spanjoll për çështjen e Srebrenicës. Qipro nuk do të ndryshojë qëndrim. Shpresoj që Greqia të mos ndryshojë qëndrim.”
Gjithashtu nënvizoi se u beson verbërisht liderëve të Hungarisë dhe të Sllovakisë, që po merr veten nga atentati ku mbeti I plagosur rëndë, lidhur me çështjen e Kosovës dhe mbështetjen për Serbinë në arenën ndërkombëtare.