Enkelejda Danaj (Limaj) është përcjellë ditën e sotme (18 Maj) për në banesën e fundit në qytetin e Vlorës nga fëmijët, familjarë dhe të afërm të saj, dy ditë pasi u masakrua me thikë nga bashkëshorti, Eduart Danaj në Menidi të Greqisë.
Të afërm të viktimës janë shprehur se çifti kanë pasur probleme në Greqi, por 40-vjeçarja sakrifikoi jetën për dy fëmijët e saj.
“Kanë jetuar jashtë, problemet i kanë hequr familja, i ati dhe e ëma. Kanë pasur probleme, siç thonë këta, por sakrifikoi për hatër të fëmijëve, sa dha edhe jetën”, tha një prej tyre.
“Gjendje më e rëndë se kjo nuk ka ku shkon më. Kanë vite që jetojnë jashtë, e kemi shok, koleg, e di që në kohën që është lidhur me të. I bëri dokumente, e mori atje. Ndodhi kjo që ndodhi”, u shpreh një tjetër.
50-vjeçari goditi mbi 10 herë viktimën në orët e para të së enjtes (16 Maj) në një rrugë kryesore në Menidi.
Eduart Danaj siç ka pranuar në polici, e ka ditur itinerarin e 40-vjeçares dhe shihet duke ecuar pranë banesës së saj duke kaluar nga e majta në të djathtë, pastaj kthehet sërish mbrasht.
Në atë moment i del para bashkëshortes Enkelejda Danaj dhe kur ajo e sheh ndalon në rrugë.
50-vjeçari iu afrua asaj dhe filloi ta godiste vazhdimisht me thikë më shumë se 10 herë. Në fund ai e la thikën të ngulur në trupin e saj të pajetë dhe u largua nga vendi i ngjarjes.
Eduart Danaj shkoi në një hotel dhe u përpoq të fshihej në një ndërtesë ku thuhet se kishte punuar. Ai kishte me vete edhe kanaçe birre duke konsumuar një sasi të madhe alkooli, diçka që e bënte edhe kur jetonte me viktimën.
Ai pinte dhe pastaj e rrihte. Eduart Danaj u gjet nga efektivët grekë gjatë një patrullimi dhe e prangosën.