Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Pas afër 15 vitesh, ndalohet dhe i ngritet aktakuzë Faton Hajdarit për rastin e plagosjes së tre të miturve në Prishtinë

 
   

Pas afër 15 vitesh prej rastit, Policia e Kosovës ka ndaluar Faton Hajdarin, i njohur me nofkën “Konini”, për përfshirje në rastin ku u plagosën të miturit Argent Breznica, Brilant Krasniqi dhe Besart Hoxha në gusht 2009, në një lokal në Prishtinë.

Pas ndalimit, Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj tij për veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, raporton “Betimi për Drejtësi”. 

Ai akuzohet se në natën e 26 gushtit të vitit 2009 ka shkaktuar rrezik të madh për jetën e njerëzve kur së bashku me shokët e tij Fitim Morina dhe Rinor Deshishku, kanë hyrë në lokalin “De Lux Novel”, në Prishtinë dhe me të vërejtur se aty ishte edhe grupi i Bajram Musës, Nuhi Sopit dhe Florim Fazliut, për shkak të mosmarrëveshjeve të mëhershme, ka qëlluar me armë në drejtim të tyre edhe pse i vetëdijshëm se aty kishte shumë njerëz.

Sipas Prokurorisë, të shtënat me armë mes dy grupesh kanë bërë që të marrin lëndime të rënda trupore të përhershme tre të miturit. Hajdari, konsiderohej i arratisur që prej kohës kur kishte ndodhur rasti dhe thuhet se kishte jetuar jashtë vendit. Ai më 20 janar 2024, ishte ndaluar në Aeroportin e Prishtinës nga Policia e Kosovës, i ishte sekuestruar dokumenti i udhëtimit dhe ishte lënë në liri deri më 26 janar, ku edhe ishte ndaluar, pasi kishte urdhërreshtim qysh prej 2009.

Hetimet ndaj Hajdarit, Prokuroria i kishte pezulluar më 24 dhjetor 2009, pasi thuhej se ishte i paarritshëm për institucionet e sigurisë dhe drejtësisë. Prokuroria Themelore në Prishtinë krahas aktakuzës ka kërkuar edhe masën e arrestit shtëpiak për të.

Në arsyetimin e Prokurorisë për këtë masë, thuhet se ai prej kohës së kryerjes së veprës penale i është shmangur drejtësisë dhe nëse nuk i caktohet kjo masë ekziston rreziku i ikjes pasi i njëjti ka vendqëndrim të përkohshëm në shtetin e Francës.

Por, kjo masë është refuzuar nga ana e gjykatës. Gjykata Themelore në Prishtinë, më 28 janar 2024 i ka caktuar të akuzuarit Hajdari vetëm masën e paraqitjes në stacionin policor.

Në deklaratën e dhënë në Prokurori, Hajdari kishte deklaruar se që nga 2010-ta jeton në Francë me familjen e ngushtë dhe se nuk ka qenë në Kosovë për 15 vite pasi nuk ka pasur lejeqëndrim në Francë.

Ai kishte mohuar se në natën kritike ka shkrepur armë në lokalin e lartcekur dhe se nuk i ka parë dhe nuk i kujtohet se kush ka shkrepur me armë atë natë. “Unë kur i kam dëgjuar të shtënat jam ulur në tokë dhe kam ikur drejt e në shtëpi. Nuk kam parë nëse është lënduar dikush nga shkrepja e këtyre armëve të zjarrit dhe nuk e di çfarë ka ndodhur. Po ashtu edhe Rinori ka ikur nga vendi i ngjarjes, ndërkaq as unë dhe as Rinori nuk kemi pasur armë zjarri me veti”, citohet të ketë deklaruar ai.

“Konini”, ndër të tjera thuhet se ka deklaruar se ai po dëgjon nga Prokuroria se në këtë rast kanë pësuar lëndime të përhershme tre të mitur pasi ai ka dalë jashtë vendit dhe nga Gjykata ka nxjerrë dokumente që nuk është nën hetime, dhe as i dënuar apo i kërkuar nga Policia.

Ndërkaq, mbrojtësi i Hajdarit, avokati Artan Qerkini para gjykatës në arsyetimin për kundërshtimin e kërkesës për caktimin e arrestit shtëpiak, kishte thënë se tashmë i akuzuari Hajdari vullnetarisht është paraqitur për t’u marrë në pyetje nga Prokuroria dhe se nuk ekziston kurrfarë rreziku i ikjes. Pasi sipas tij, edhe pse të njëjtit më 20 janar i janë konfiskuar dokumentet e identifikimit ai po të donte të ikte, lehtësisht do aplikonte për dokumentet të reja.

“Nga Prokuroria u tha se Faton Hajdari kishte qenë në arrati, ne e pretendojmë të kundërtën sepse Faton Hajdari një kohë të gjatë pas këtij incidenti kishte qëndruar në Kosovë, por si shumë të rijnë të tjerë që për fat të keq është dukuri edhe në ditët e sotme, ai kishte vendosur të emigrojë në Francë dhe atij iu desh që të pres 14 vite për t’u pajisur me lejen e përkohshme të qëndrimit e cila iu lëshua më 18.01.2024”, kishte arsyetuar avokati.

Gjykata ka vlerësuar se masa e paraqitjes në stacion policor bashkë me sekuestrimin e dokumentit të udhëtimit-pasaportës, është masë adekuate në rastin konkret. Hajdari, nga Prokuroria po akuzohet për veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 291, paragrafi 5 i Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës (UNMIK/Rreg/2003/25), vepër e cila dënohet prej 1 deri në 8 vjet. Pasi rasti ka ndodhur afër 15 vjet me parë, kjo lëndë parashkruhet vitin e ardhshëm, e që praktikisht gjasat që ky rast të trajtohet në kohë dhe në merita janë të vogla.

Ndryshe, “Betimi për Drejtësi” më 25 mars 2023, kishte transmetuar hulumtimin “Zvarritjet e drejtësisë për zbardhjen e krimit mbi adoleshentët”, ku tregohej se si për afër 14 vite nuk ishte zgjidhur ky rast nga sistemi i drejtësisë.

Nga ngjarja e 26 gushtit 2009, Argent Breznica, Brilant Krasniqi dhe Besart Hoxha do ishin viktima të një përleshjeje me armë, në një lokal në qendër të Prishtinës.

Të tre do të plagoseshin rëndë, duke pësuar prej plumbave që do i merrnin nga gjuajtjet e dy grupeve që po tentonin me armë t’i qëronin hesapet mes vete.

Brilant Krasniqi, atëkohë 16-vjeçar ishte plagosur rëndë në këmbë dhe krahë, duke përjetuar vdekje klinike, pasi plumbi ia kishte këputur arteriet. Pas dy operacioneve disaorëshe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ai do të dërgohej për shërim jashtë vendit.

Deri më tash, ai iu ka nënshtruar mbi 15 operacioneve, ndërsa këmbën e majtë sot e asaj dite e ka të paralizuar. Argent Breznica, asokohe, 17-vjeçar, do goditej nga plumbi afër zemrës, ku do i nënshtrohej dy operacioneve me rrezikshmëri të lartë për jetë. Për disa muaj, ai do qëndronte në spital për trajtim. Bashkë më Argentin dhe Brilantin do plagosej edhe i mituri Besart Hoxha, i cili do merrte dy plumba në të dyja këmbët.

Sipas të dëmtuarve, përleshja kishte ndodhur mes grupit të Bajram Musës, Florim Fazliut, i njohur me nofkën “Xhapella” dhe Nuhi Sopa, i njohur me nofkën “Sapuni”, të tre këta kishin qenë se bashku në lokal, kur ishin bashkëngjitur edhe grupi tjetër, Rinor Deshishku, Faton Hajdari, Fadil Feta, si dhe i pranishëm kishte qenë edhe Fitim Morina. Prokuroria fillimisht kishte ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve Bajram Musa dhe Fitim Morina, ndërsa propozim për shqiptimin e dënimit e kishte ngritur ndaj të miturve Nuhi Sopa dhe Florim Fazliu.

Pasi konsideroheshin të arratisur, prokurorja Laura Pula, në aktakuzë nuk kishte përfshirë edhe Rinor Deshishkun e Faton Hajdarin, të cilët sipas të dëmtuarve ishin po ata që kishin shtënë me armë.

Pas lëshimit të urdhërarrestit, Deshishku thuhej se ishte paraqitur në Polici. Dy muaj pas intervistimit, dhe afër dy vite pasi kishte ndodhur rastit, Prokuroria kishte propozuar dënim me burgim ndaj të miturit Deshishku, për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”.

Rasti do zvarritej për afër 14 vjet nga sistemi i drejtësisë, dhe kishte kaluar në duart e shumë gjykatësve.

Ky rast do zvarritej aq shumë, saqë shumica e veprave ndaj të akuzuarve ishin parashkruar. Në vitin 2019, me një vendim jashtë seancës, për shkak të parashkrimit ishte pushuar procedura penale për një vepër penale ndaj të akuzuarve Bajram Musa dhe Fitim Morina, si dhe ndaj të miturve Florim Fazliu dhe Nuhi Sopa.

Gjykimi do vazhdonte në Departamentin për të Mitur ndaj Nuhi Sopës për armëmbajtje pa leje, kurse ndaj Rinor Deshishkut për veprën penale të lëndimit të rëndë trupor.

Pasi Sopa thuhej se ishte jashtë vendit, ishte veçuar procedura ndaj tij.

Rinor Dëshishku, në maj 2023 nga shkalla e parë u dënua me 4 vjet burgim për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, pasi iu ricilësua vepra penale nga “Lëndimi i rëndë trupor”.

Mirëpo, Kolegji për të mitur i Apelit në tetor 2023 në mungesë të provave kishte pushuar procedurën penale ndaj të akuzuarit Rinor Deshishku, duke e ricilësuar prapë veprën penale nga “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, në “Lëndimi i rëndë trupor”. Pas kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë, Gjykata Supreme ka gjetur shkelje në vendimin e Apelit duke vlerësuar se Deshishku do duhej të shpallej fajtor ashtu siç kishte konstatuar shkalla e parë.

“Ligjërisht nuk është e mundur dhe as që është shënuar ndonjëherë në praktikën gjyqësore, që kryerësi të lirohet nga akuza, apo ndaj të miturit të pushohet procedura penale, për faktin se me prova nuk është provuar se ka kryer veprën penale, ndërsa të ri-cilësohet vepra penale për një vepër penale me të rëndë penale”, thuhet në vendimin e Supremes. Ngase gjykata po shprehet “nuk ka kryer ketë vepër penale por ketë vepër penale”, e në fund po e pushon procedurën në mungesë provash”, kishte vlerësuar Supremja.

Përkundër këtij vlerësimi, Deshishku nuk do të mund të gjykohet me për këtë rast, pasi Supremja vetëm ka konstatuar shkeljet.

Tashmë procedura do vazhdojë ndaj Faton Hajdarit për të cilin është ngritur aktakuzë si dhe ndaj Nuhi Sopës, për të cilin nuk dihet nëse ka ndonjë zhvillim ndaj tij.