Peqin/Vijon megaoperacioni policor antikanabis i koduar “Territor i pastër”.
Zbulohet një magazinë e përshtatur për kultivim të cannabisit, me anë të llambave. Vihet në pranga pronari i ambientit.
Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale, pajisje elektrike dhe sende të tjera që shërbinin për të kultivuar bimët narkotike, si dhe një sasi e vogël lënde narkotike cannabis.
Në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin operacional kombëtar të koduar “Territor i pastër“, si dhe bazuar në inteligjencën policore, Komisariati i Policisë Peqin, në bashkëpunim me Seksionin kundër Narkotikëve të DVP Elbasan, organizoi operacionin policor të koduar “Inside”.
Në kuadër të operacionit, u arrestua shtetasi G. K., 37 vjeç, banues në Peqin, pronari i magazinës, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose e impulseve telefonike”.
Në pranga dhe drejtori i OSHEE, Peqin, si dhe procedohen penalisht 2 punonjës të këtij institucioni, për shpërdorim të detyrave dhe moskallëzim të krimit.
Nga kontrolli në magazinën në pronësi të 37-vjeçarit, në fshatin Fatishe, Policia konstatoi se ky ambient ishte përshtatur për kultivim dhe prodhim të kanabisit, me pajisje që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.
Në vijim të veprimeve procedurale, u bë ndalimi i shtetasit E. M., 33 vjeç, banues në Peqin, me detyrë Drejtor i OSHEE, Peqin, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”, për shtetasin M. P., 60 vjeç, me detyrë elektricist i OSHEE, Peqin, dhe për shtetasin A. K., 33 vjeç, me detyrë faturist i këtij institucioni.
Vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale, si dhe për dokumentmin e plotë ligjor të këtij rasti.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.