Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Ervis Martinaj, hakmarrje gjallë a vdekur/ Kush po i vret armiqtë e mbretit të kumarit?

Çdo gangster e ka një histori. Një histori që nis pa shumë zë, duke qëndruar në hije, por me kalimin e kohës fillon të dalë në skenë. Fillon të sundojë e të dominojë mbi gjithçka.

Kur të gjithë punojnë për të, madje edhe shumë policë. E atëherë kur mendon se është i paprekshëm dhe ka në dorë gjithçka, nis të gabojë, bëhet i papërmbajtshëm. Në këtë moment nisin përplasjet. Nis një lojë shahu, me eliminim ushtarësh, derisa në një moment mbreti zihet mat.

Kjo është edhe historia e Ervis Martinajt. Një emër që sot, edhe pse po bëhen 2 vjet që familja e ka denoncuar të zhdukur, është lakuar më shumë se atëherë lëvizte i lirë.

Por për të historia shtrihet edhe më gjatë në kohë. Një histori që mund ta konsiderojmë si koha para dhe pas zhdukjes së tij.

Për vite me radhë ai u konsiderua si “mbreti i kumarit” e më vonë edhe si “zot i krimit”. Ndikimi që kishte, bëri që fitojë një status legjendar, madje edhe mitik, për policinë, krimin por edhe për vetë qytetarët. Një personazh me lidhje të forta në polici, drejtësi dhe në politikë.

Ervis Martinaj është një njeri, që para vitit 2013 pak kush e njihte. Madje duhet thënë se deri para atij viti, bënte një jetë të qetë. Me biznese në dukje të rregullta dhe pa probleme me Policinë. Ose të paktën ashtu dukej. Vit pas viti arriti majat, si në biznes, ashtu edhe në krim. Derisa një ditë u zhduk. Që nga data 9 gusht e vitit 2022, kur u denoncua si i humbur nga xhaxhai i tij, bëhen 21 muaj që për fatin e Ervis Martinajt, askush nuk është në gjendje të thotë diçka me siguri.

Por megjithëse rezulton i zhdukur fizikisht, emri i tij gjatë këtyre muajve u lakua më shumë se kushdo tjetër.

Është thuajse e pamundur që në dosjet më të rëndësishme, që SPAK ka në dorë kohët e fundit, të mos figurojë emri i Ervis Martinajt.

Ai përmendet edhe si palë e akuzuar, edhe si palë e dëmtuar. Si njëri që dyshohet të ketë porositur atentate, por edhe si njeri që i ka shpëtuar disa atentateve. Ndoshta sot, kur nuk dihet ende asgjë për fatin e tij, shumë personazhe të tjerë të krimit, e kanë edhe më të lehtë t’ia përmendin emrin. Ta drejtojnë gishtin tek ai, ndoshta edhe për krime që mund të mos i ketë kryer apo urdhëruar. Por sado me rezerva të shihen dëshmi të tilla, e sigurt është se disa njerëz janë vrarë për shkak të tij e ndonjë edhe në vend të tij.

NGRITJA E NJË MITI

Gjatë kësaj kohe që Ervis Martinaj vijon të rezultojë i zhdukur, për të janë të hapura tri dosje hetimore. Një nga Prokuroria e Krujës dhe dy nga SPAK. E para lidhet me denoncimin e familjarëve të tij më datë 10 gusht 2022, për humbjen e kontakteve me të dhe dyshimeve se ishte rrëmbyer dhe vrarë. Ndërsa dy dosjet e Prokurorisë së Posaçme, lidhen me përfshirjen e tij në veprimtarinë e krimit të organizuar. E para është ajo e “Plumbit të artë”, për të cilën ishte në kërkim para se të denoncohej i zhdukur, ndërsa e dyta është e korrikut të vitit 2023, kur po bëhej gati një vit nga denoncimi i familjarëve të tij. Edhe në këtë rast ai hetohej për porosi vrasjesh, në kuadër të operacionit “Metamorfoza”.

Prokuroria e Posaçme përfundoi hetimet për këtë dosje më 15 prill 2024 dhe i komunikoi akuzat biznesmenit Pëllumb Gjoka, ish-shefit të Operacionales, Oltion Bistri, ish-prokurorit Xhevahir Lita, Behar Bajrit dhe 3 personave të tjerë. Bajri pritet të gjykohet me dyshimet se ka qenë organizator i vrasjes së shtetasit Gjin Boriçi dhe në bashkëpunim me personat e tjerë ka siguruar kushte për 2 atentate që nuk janë realizuar. Nga ana tjetër edhe Pëllumb Gjoka do të përballet me dyshimet se ka kërkuar ekzekutimin e një personi dhe ka dhënë ndihmë në organizimin e atentateve. Për ish-drejtorin e Forcave Operacionale në Policinë e Shtetit, SPAK ka rrëzuar akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, por ka rënduar pozitat e tij penale duke dërguar në gjyq për korrupsion, pastrim parash dhe nxjerre të sekretit hetimor. Nga ana tjetër, ish-prokurori i Shkodrës, Xhevahir Lita, akuzohet për korrupsion, ndërsa prokuroria në përfundim të hetimeve nuk e konsideron si pjesë e grupit kriminal, duke lehtësuar edhe pozitat e tij ligjore. Për këtë dosje është ndarë një tjetër procedim për personat që janë në kërkim përfshirë edhe Ervis Martinajn, por edhe raste të tjera kriminale që janë ende duke u hetuar. Hetimet nisën prej vitit 2019 pas informacioneve të siguruara nga autoritetet holandeze belge dhe ato franceze që zbërthyer komunikimet mes anëtarëve të grupit ne rrjetin “enchro chat” dhe “sky”.

Nga ana thetër, më 29 janar 2024 ka kaluar për gjykim edhe dosja “Plumbi i artë”, pjesë e të cilës ishte po ashtu Ervis Martinaj dhe 19 persona të tjerë, që dolën pas dëshmisë së Nuredin Dumanit. Ndërsa janë pushuar hetimet për Florenc Çekrezin për akuzën e grupit të strukturuar kriminal, por vijojnë për armëmbajtje pa leje. Ai u akuzua fillimisht për vendosjen e eksplozivit në banesën e Talo Çelës, por rezultoi se nuk ka qenë i përfshirë në këtë ngjarje. Ndërsa për Talo Çelën hetimet janë zgjatur edhe me 6 muaj në lidhje me akuzën “Vrasje me paramendim”, në dëm të shtetasit Irfan Hazizi. Kjo dosje është çështja më voluminoze në Prokurorinë e Posaçme pasi pjesë e saj janë disa procedime penale, për 18 ngjarje kriminale mes të cilave vrasje , grabitje me armë, vendosje tritoli, trafik të lëndëve narkotike deri tek dhuna në familje. Pjesë e dosjes janë disa bashkëpuntorë drejtësisë, mes të cilëve Nuredin Dumani, Skerdi Tasen e Euglen Halilin. Dumani ishte nisur për të kryer një vrasje në Elbasan në mars të vitit 2022, kur ra pre e një atentati e mbeti edhe i plagosur. Pas arrestimit të tij dhe bashkëpunimit me Prokurorinë, SPAK lëshoi 32 urdhra arresti ku u vunë në pranga 20 persona dhe u shpallën në kërkim 12 të tjerë. Mes personave të shpallur në kërkim janë emra të njohur si Talo Çela, Suel Çela, Agron Mehja e Ervis Martinaj.

Nga ana tjetër, përveç tri dosjeve, emri i Ervis Martinajt, pa çka se rëzulton i zhdukur, madje burime policore, edhe pse konfidencialisht kanë dyshime se mund të jetë vrarë, del në skenë edhe në tri vrasje.

Atentati ndaj Fation Muratit në “Don Bosko”

Atëherë kur të gjithë, madje edhe Policia, po mendonte se grupi kriminal i Ervis Martinajt ishte dobësuar, sinjali i rizgjimit u dha nga breshëritë e kallashnikovëve. Në një rrugicë të errët të “Don Boskos” në Tiranë, plumbat e kallashit, të nisur për të larë hesapet mes grupeve kriminale, i morën jetën një gruaje të pafajshme. Ndonëse rezulton i zhdukur prej 9 gushtit të vitit 2022, mbrëmjen e 12 marsit 2023 u shfaq fantazma e Ervis Martinajt. Emri i tij doli në skenë duke sjellë jo pak përshtjellim për të gjithë ata që për 8 muaj e mendonin edhe të vdekur.

Atentati që kishte në shënjestër Fatjon Muratin dhe njerëzit e tij, ktheu vëmendjen e Policisë tek vrasja e trefishtë në mbikalimin e Fushë-Krujës. Aty ku mbetën të vrarë Brilant Martinaj, Dikler Vata dhe Besmir Hoxha. Hetuesit janë thuajse të bindur që kjo ngjarje është vazhdim i serialit të përgjakshëm që deri tani ka vrarë 15 persona. Serial që nga njëra anë ka pa pasur grupin e Ervis Martinajt dhe nga ana tjetër kanë qenë disa grupe të tjera. Fatjon Murati, mund të ketë hesape pa mbyllur edhe me persona të tjerë, por duket se hesapet me grupin e Ervis Martinajt ishin ato që i rëndonin më shumë. Ai e mori mesazhin të mbrëmjen e 12 marsit 2023. Për Policinë dhe Prokurorinë mesazhi ishte i qartë dhe të gjithë të dhënat i çojnë në zonën e Kurbinit. Por ajo që u rishfaq pas shumë kohësh, ishte përplasja mes grupeve kriminale. E bashkë me të duket se u rishfaq edhe hija e Ervis Martinajt.

Emri i Fatjon Muratit doli në skenë gushtin e vitit 2022, kohë kur një shkresë e klasifikuar e rendiste atë të parin ndër 6 persona që duhej të pyetej për masakrën e Fushë-Krujës. Prokuroria e Krujës kërkoi në atë kohë marrjen në pyetje të disa personave në lidhje me atentatin e 17 korrikut 2022, ku mes tre të vrarëve ishte edhe kushëriri i Ervis Martinajt. Mes emrave që kërkonte organi i akuzës për t’u pyetur ishte edhe Endrit Dokle, të cilin Ervis Martinaj e donte të vrarë, të paktën nisur nga deklarime e Nuredin Dumanit. Edhe pse u pyetën në lidhje me këtë ngjarje, si persona që mund të kishin dijeni, Prokuroria nuk mundi të provonte asgjë dhe të gjithë u lanë të lirë. Atëherë kur pritej një kundërsulm, që do të merrte hak për vrasjen e Brilant Martinajt, pa u bërë një muaj nga ngjarja, Ervis Martinaj denoncohet i zhdukur.

Një provë që e lidh atentatin ndaj Fation Muratajt me Ervis Martinajn, është emri i një personi të dyshuar, i cili megjithëse ndodhej në burg kur ndodhi ngjarja, në mënyrë indirekte lidhej me të. Bëhet fjalë për Nikoll Sherrnikun, 31 vjeç, nga Fushë – Kuqja, i cili njihet si njëriu i afërt i Brilant Martinajt. Në qershor të vitit 2023, Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” për Nikoll Sherrnikun, i dyshuar si i përfshirë në ngjarjen e “Don Boskos”, ku humbi jetën banakierja Mimoza Paja. Masa i është komunikuar në qeli teksa ai ndodhet i arrestuar që prej gushtit të vitit 2022. Sherrniku u kap në një mjet të blinduar teksa lëvizte i armatosur, ndërsa Policia njoftoi se kishte parandaluar një atentat në atë kohë. Sherrniku akuzohet se i ka siguruar autorëve të vrasjes së Mimoza Pajës targat e huaja që iu vendosën mjetit tip “BMW”, me të cilën ekzekutorët kryen krimin e më pas e dogjën. Targa rezulton të jetë marrë në Gjermani nga Sherrniku, gjë që është konfirmuar përmes letër porosisë së ardhur nga autoritetet gjermane dhe dëshmisë së një shqiptari që ka shpjeguar se Sherrniku ka marrë 3 targa në Gjermani. Këto targa sipas prokurorisë ai i ka ruajtur për t’i përdorur më pas në ngjarje kriminale dhe për këtë shkak ai dyshohet për veprën penale të “krijimit të kushteve për kryerjen e vrasje”. Vetë ai ka refuzuar të japë shpjegime se cilët janë personat që ai u dorëzoi targën. Sherrniku është akuzuar në dhjetor të vitit 2020, pasi dyshohet se i ka dhënë një automjet Brilant Martinajt, i cili në atë kohë u akuzua për vrasjen e efektivit të policisë Xhulio Prela. Një muaj pasi Brilant Martinaj u ekzekutua në atentatin e mbikalimit të Fushë-Krujës bashkë me dy miqtë e tij, Besmir Hoxha e Dikler Vata, Nikollë Sherrniku u arrestua teksa qarkullonte me municion luftarak dhe automjet të blinduar, ndërsa dyshohet se ishte nisur për të kryer një atentat.

Atentati ndaj Gentian Gejtjes në Larushkë

Atentati që dështoi mesnatën e 4 korrikut të vitit 2023, paçka se humbi jetën një i pafajshëm, u realizua në orën 16 e 20 minuta të 15 marsit 2024. Duket se të njëjtën autorë provuan sërish dhe kësaj here ekzekutuan 43-vjeçarin Gentian Bejtja. Sipas të dhënave të siguruara nga grupi hetimor, në ngjarje dyshohet të kenë marrë pjesë 4 persona. Ata janë afruar me automjetin “Land Rover”, më të cilin kanë udhëtuar nga Fushë – Kruja, në drejtim të fshatin Larushkë. Ai që drejtonte makinën, ka ndaluar pranë rrugës kryesore, ndërsa tre të tjerët, të veshur me të zeza e të maskuar, janë afruar në këmbë drejt shtëpisë së Bejtes, që ndodhej vetëm pak metra larg. Duket se ata kanë pasur informacion të saktë për momentin kur duhej të afroheshin, duke qenë në atë koha ka qenë e hapur porta dhe janë futur brenda në oborr ku ndodhej Gentian Bejtja. Autorët sapo kanë parë objektivin e tyre kanë qëlluar të tre me breshëri, me të paktën 50 plumba, duke e lënë të vdekur në vend.

Gjatë kryerjes së veprimeve hetimore ka rezultuar se pas ngjarjes, autorët janë larguar në aksin rrugor Larushkë – Thumanë, pas kalimit të mbikalimit të Fushë Krujës, janë kthyer majtas dhe në fshatin Hasan kanë djegur automjetin e mësipërm. Nga kryerja e veprimeve hetimore është vërtetuar se autorët janë larguar me një automjet tip “Golf” me ngjyrë të zezë, pa targë në pjesën e pasme, duke ndjekur itinerarin nga vendi i djegies së automjetit në drejtim të rrugës kryesore Thumanë-Fushë Krujë, kanë devijuar djathtas në mbikalimin e Fushë – Krujës dhe janë larguar në drejtim të fshatit Bubq. Nga analiza e informacioneve, si dhe këqyrja e kamerave të sigurisë, është bërë i mundur identifikimi i automjetit tip “Golf” me targë AB 960 GG, në pronësi të Edison Haxhiu, lindur në Milot dhe banues në Tiranë. Po kështu ka rezultuar se ky automjet është përdorur edhe nga Ilir Beqaraj i njohur edhe me mbiemrat Brahimi dhe Mançellari lindur në Milot dhe banues në Tiranë.

Ilir Brahimi, i dyshuar për përfshirjen në këtë ngjarje është kushëriri i Ylli Brahimit, që i shpëtoi 2 atentateve në vitet 2021 dhe 2022, në Milot, emër që lidhet direkt me Ervis Martinaj. Kjo lidhje shtoi dyshimet për hetuesit se pas vrasjes së Gentian Bejtes ishin njerëzit e Martinajt. Babai i Bejtes, ka dëshmuar për një takim mes djalit të tij dhe Ervis Martinajt rreth 1 vit e gjysmë para zhdukjes. Në atë kohë, Martinaj kishte dyshime se Bejtja ishte një prej ekzekutorëve të Paulin Gjergjit dhe Bujar Likës, në maj të vitit 2020, por pas takimit janë sqaruar. Sipas Gani Bejtes, Martinaj ishte bindur që Gentiani nuk kishte lidhje me ngjarjen, kjo nisur nga fizionomia e autorëve që shfaqeshin në pamjet e kamerave të sigurisë.

Pas kësaj ngjarje dyshohet se Bejtja i sheshoi mosmarrëveshjet me Ervis Martinajn, pa çka se më vonë u përfolur për një tradhti dhe pjesëmarrje të mundshme të 43-vjeçarit në ngjarjen kur u vra Brilat Martinajt.

Por nga ana tjetër, Policia ka dhe një pistë tjetër, në dukje më të fortë, që e lidh vrasjen e Gentian Bejtjas me Sidorel Prendin, apo siç njihej së fundmi, Roan Brahimi. Personi i arrestuar për vrasjen e Bejtjas, Ilir Beqaraj, apo Ilir Brahimi, është kunati i Roan Brahimit.

Atentati ndaj Roan Brahimit në Athinë

Një 32-vjeçar shqiptar, u ekzekutua mbrëmjen e 9 majit në mes të Athinës. Viktima u identifikua shpejt. Quhet Roan Brahimi, i njohur edhe me emrin Sidorel Prendi, nga fshati Pllanë i Lezhës. Ai është qëlluar nga dy persona që lëviznin me motor në prezencë të partneres Katerina Beqo, 37 vjeçe dhe dalit të tij të mitur, kur po e priste ta merrte nga parku. Ngjarja e rëndë ndodhi pas orës 21:30 në kryqëzimin e rrugëve “Messoloniu” dhe “Tsaldari”.

Djali 7-vjeçar i çiftit, i cili po luante në park me gjyshen, sipas dëshmitarëve okular dhe nënës së tij, ka arritur të shohë gjithçka. Ekzekutorët raportohet se vëzhgonin çdo lëvizje të familjes së viktimës, dhe siç duket kanë ruajtur një vend parkimi për Roan Brahimin për ta futur në kurth. Autorët kanë parë shënjestrën e tyre duke mbërritur dhe më pas, kanë ndezur motorin duke u larguar nga vendi i ngjarjes. Në këtë mënyrë vrasësit kanë lënë të lirë një vend parkimi që do të shërbente si “karrem” për 32-vjeçarin, i cili parkoi automjetin aty duke pritur për të marrë fëmijën. Autorët qarkulluan me motor rreth sheshit dhe u kthyen sërish në vendngjarje, ku njëri prej tyre qëlloi Brahimin pa u shqetësuar për kalimtarët. Sipas të dhënave që bëhen publike nga mediat greke, Roan Brahimi kishte mbërritur aty pre 3 ditësh, ndërsa më herët kishte qenë në Dubai.

Për Policinë shqiptare, Brahimi ishte person në kërkim, por nuk ishte arritur as të shoqërohej për t’u marrë në pyetje. Roan Brahimi njihej si një nga rivalët e deklaruar të Ervis Martinajt. Vrasja e tij në Athinë, nxori sërish në skenë emrin e një të zhdukuri.

Personi që u arrestua si i përfshirë në vrasjen e Gentian Bejtes, Ilir Brahimi, është kunati i Roan Brahimit. E megjithëse Ilir Brahimi është djali i xhaxhait të Ylli Brahimit, i njohur si krahu i djathtë i Vis Martinajt, mësohet se mes tyre kishte një krisje marrëdhënieje. Aq sa bashkë me Roan Brahimin ishin kthyer në armiq të Ervis Martinajt dhe Ylli Brahimit.

Roan Brahimi u shpall në kërkim fillimisht në vitin 2021, për një incident të rëndë që ndodhi në një lokal në Zejmen të Lezhës, më 13 nëntor të atij viti. Në lidhje me ngjarjen Policia e Lezhës arrestoi në atë kohë një 21-vjeçar pasi dyshohej se kishte bashkëpunuar i Ramazan Rrajës, Roan Brahimit dhe Alesio Dobrozit, të cilët u dyshuan si autorë të asaj ngjarjeje. Të armatosur dhe me maska, ata u futën në lokal për të gjetur kushëririn e pronarit të lokalit, me të cilin kishin konflikt. Në prangat ra Ardit Luli, i cili akuzohej se pas ngjarjes kishte fshehur tre autorët që të mos gjendeshin nga policia. Policia tha në atë kohë se tre të dyshuarit, përfshirë edhe Roan Brahimin ishin larguar jashtë vendit, në drejtim të Dubait.

Më vonë, emri i Roan Brahimit doli në skenë për një tjetër ngjarje të rëndë, kur kërkohej për të dëshmuar si person që kishte dijeni për atentatin e 17 korrikut 2022, ku mbeti i vrarë Brilant Martinaj. Në urdhrin e lëshuar pak orë pas ngjarjes, emri i Roan Brahimit ishte renditur i katërti ndër gjashtë persona që duhej të gjendeshin dhe të merreshin në pyetje për masakrën me tre të vrarë. Nga ana tjetër, ai ishte dyshuar edhe për dy atentate ndaj Ylli Brahimit, krahut të djathtë të Ervis Martinajt. Atentati i parë ndodhi më 14 janar të vitit 2021, në qendër të Milotit, ky Ylli Brahimi mbeti i plagosur, ndërsa në të dytin, atë të datës 22 korrik 2022, mbeti i vrarë Klisman Preçi.

Policia kishte informacione në atë kohë se Roan Brahimi kishte konflikt me Ylli Brajimin, pasi për shkak të një borxhi bixhozi, ai e kishte dorëzuar në një prej bazave të Ervis Martinajt në Fushë-Kuqe. Në atë vend, Roan Brahimi është rrahur barbarisht dhe është nxjerrë i gjakosur. Pasi ka dalë nga ai vend, ai është betuar se nuk do ia falte kurrë Ylli Brahimit.

FUQIZIMI I ERVIS MARTINAJT

Ervis Martinaj, që prej 9 gushtit të vitit 2022, është denoncuar i humbur nga familjarët e tij. I njohur si si mbreti i lojërave të fatit, herë pas here është akuzuar e dyshuar për krime të rënda. Është hetuar, madje edhe arrestuar, por gjithmonë ka arritur të marrë pafajësinë. Fillimisht emri i Ervis Martinajt u përmend nga grupi hetimor në tetor të vitit 2013, kur u ekzekutua Elvis Doçi në zonën e “Komunës së Parisit”, në Tiranë. Në atë kohë sapo kishte nisur operacioni “Fund Marrëzisë” dhe Policia kishte bllokuar makineri e automate të lojërave të fatit, gjë që e dëmtonte biznesin e Ervis Martinajt, ashtu sikurse edhe rezultoi më vonë.

Viktima, Elvis Doçi, që i kishte shitur Martinajt disa makineta lojërash fati, dyshohej se mund të kishte dijeni për operacionin që do të ndërmerrte Policia në luftën kundër paligjshmërisë. Grupi hetimor, bazuar në këto informacione hetoi për disa muaj Ervis Martinajn, por duke mos arritur të gjejë asnjë provë që ta implikonte në vrasjen e Doçit.

Po kjo nuk ishte vrasja e vetme, për të cilën ai ishte mbajtur nën monitorim, pasi edhe në atentatin ku mbeti i vrarë bankieri Artan Santo, doli në skenë emri i Martinajt. Pas informacioneve operative, Policia tha se motori që ishte përdor nga vrasësit e Santos mund të ishte fshehur në magazinat e Ervis Martinajt në fshatin Fushë-Kuqe të Laçit. Efektivët e Policisë kanë ushtruar kontroll në magazinat e tij, më 27 qershor 2014, ku u gjetën dy skafandra që më pas rezultuan se nuk ishin të njëjta me ato të autorëve të vrasjes. Megjithatë aty u gjetën dhe sekuestruan automate lojërash fati.

Në sistemet e brendshme të Policisë së Shtetit, emri i Ervis Martinajt rezulton i skeduar në ngjarje të ndryshme, që nga vrasja e deri te kanosja e drejtuesve të lartë të Policisë. Më 20 tetor të vitit 2013, në kulmin e operacionit “Fundi i Marrëzisë”, kundër lojërave të paligjshme të fatit, Ervis Martinaj kërcënon shefin e repartit special “Shqiponja” në drejtorinë e policisë së Tiranës, Engjëllush Avdulaj, se do ta vrasë. Sapo reparti “Shqiponja” dhe komisariati numër 3 i Tiranës kishin sekuestruar rreth 400 makineri lojërash fati dhe makina luksoze në një magazinë të Ervis Martinajt ai e merr në telefon shefin e këtij reparti, komisar Engjëllush Avdulajn dhe e kërcënon se do ta eliminojë. Komisari Avdulaj bëri kallëzim penal për këtë rast. Ai e denoncoi Ervis Martinaj për kanosje me jetë. Policia misi procedim penal për Martinajn, në atë kohë 33 vjeç, por pa e shoqëruar në asnjë rast. Më vonë ngjarja u harrua dhe askush nuk mbajti përgjegjësi.

Nëntorin e vitit 2015 ai ishte në krye të listës prej 5 personash, që Policia e Tiranës shpalli në kërkim, për vrasjen e Enton Nikajt. Sipas dosjes së Prokurorisë, Ervis Martinaj bashkë me miqtë e tij, pasi kanë përfunduar një drekë në një lokal në Liznë, ka dalë për t’u larguar, duke hipur në makinën e tij. Pasi ka filluar të lëvizë me makinë, ka pare duke hyrë në parking, pronarin e lokalit, Ismet Gaxherri, i cili ishte i shoqëruar nga Enton Nikaj. Sapo ka parë këtë person Ervis Martinaj ka ndaluar menjëherë makinën e tij dhe fillimisht ka zbritur ai e më pas edhe personat që ndodheshin me të Emiljano Tasho, Bujar Hasani dhe ish-polici Mirsad Kuçana.

Fillimisht ka nisur një debat me tone të ashpra, më pas janë nxjerrë nga brezi armët dhe shokët e Martinajt kanë goditur me tytat e pistoletave Gaxherrin e Nikajn. Ky i fundit është goditur edhe me grishte e shqelma nga Ervis Martinaj, Emiljano Tasho dhe Mirsad Kuçana. Në një moment me gjakftohtësi, Prokuroria ka pretenduar se, të pandehurit e ekzekutojnë shtetasin Enton Nikaj dhe një veprim të tillë e kryen Emiljano Tasho. Megjithatë i akuzuari ka pretenduar në gjyq se arma është shkrepur gabimisht dhe nuk kishte qëllim vrasjen e tij.

Në përfundim Prokuroria kërkoi 121 vite burgim për personat e akuzuar, por Gjykata i dënoi në total vetëm me 21 vite. Ervis Martinaj për këtë ngjarje u dënua me 1 vit burg për moskallëzim krimi, vendim që e ankimoi me pretendimin se një person që ishte akuzuar për vrasje, nuk mund të akuzohej edhe për moskallëzim krimi. Kjo sipas tij ishte sikur të kallëzojë veten. Edhe kjo ngjarje u harrua si shumë të tjera që ishin mbyllur më pas e do mbylleshin në vazhdim. Të paktën edhe për 3 vjet.

NIS RRËZIMI NGA FRONI

Data 4 tetor 2018, ora 21:29, shënon fillimin e fundit të Ervis Martinajt. Ky moment prishi paqen e vendosur me një marrëveshje të heshtur mes dy grupeve kriminale në Tiranë. I pari që drejtohej nga Ervis Martinaj dhe i dyti nga Ervin Mata.

Kjo përplasje me armë, në lokalin e njohur në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, shkaktoi një të vrarë e dy të plagosur. I plagosur mbeti edhe vetë Ervis Martinaj që më pas edhe u arrestua. Por për pak kohë. Ashtu sikurse gjithë të tjerët që qëndruan fillimisht në arrati e më pas u vetëdorëzuan njëri pas tjetrit. Pas disa javësh në qeli, të gjithë u lanë të lirë. Duke përfshirë edhe Ervin Matën e Mevjol Bilon, i cili ishte personi që shkrepi armën. Sot të gjithë protagonistët janë jashtë. Ndërsa për fatin e Ervis Martinajt, nga denoncimi si i zhdukur, nuk dihet ende asgjë.

Prej asaj datë është folur për një armiqësi mes Martinajt e Matës. Në dëshminë e dhënë për atë ngjarje, Ervis Martinaj tregonte që asnjëherë nuk kishte pasur ndonjë problem me Ervin Matën, madje tregonte se ishte rritur me babain e Ervinit.

Vetë Ervin Mata u vetëdorëzua në Policinë e Tiranës në mars të vitit 2019, në të njëjtën kohë kur Ervis Martinaj u lirua me garanci pasurore. Por Mata nuk qëndroi më shumë se 2 ditë në paraburgim, pasi Gjykata i ndryshoi masën dhe ai u la i lirë.

Nga ky moment, kur të dy ishin në liri, gjërat nuk do ishin njëlloj si më parë për Ervis Martinajn dhe Ervin Matën. Mes tyre nuk kishte më paqe dhe kjo u dëshmua në vitet në vazhdim. Dhe shkak nuk ishte vetëm vrasja në zonën e ish-Bllokut, në Tiranë, por edhe trafiku i drogës. Në një hark kohor të shkurtër ndodhën vrasje e atentate të dështuara, që mbetën pa autor, por që hetimet i lidhnin me këta personazhe. Të dy nisën të fuqizohen duke afruar pranë vetes edhe efektivë e madje dhe drejtues Policie.

VRITEN USHTARËT, “MBRËTI” ZIHET MAT

Mbrëmjen e 27 gushtit të vitit 2019, ekzekutohet brenda makinës së tij në Tiranë, ish-polici Santiago Malko. Në përfundim të hetimeve, pasi çoi dosjen për gjykim, Prokuroria tha se vrasja e tij kishte ndodhur për shkak të rivalitetit në lojërat e fatit mes dy grupeve kriminale. Por mes rreshtave në dosje dhe shumë dëshmive e një hetimi paralel të kryer nga Prokuroria e Vlorës, në fakt rezultoi se Malko ishte vrarë në pamundësi të eliminimit të Ervis Martinajt. Kjo, pasi disa plane për vrasjen e tij kishin dështuar.

Vrasja e Santiago Malkos ishte planifikuar nga një grup i përbërë nga 7 anëtarë, të cilët kanë qenë aktivë në terren, ndërsa dy persona të tjerë janë ata që kanë urdhëruar dhe paguar Fatmir Hysenin për të kryer ekzekutimin. Në dosjen hetimore theksohet se urdhërues të vrasjes janë vëllezërit Leonard dhe Erlis Duka. Ndërsa grupi që punonte për ta dhe mori pjesë me role të ndryshme në vrasjen e Santiago Malkos, janë: Ilir Selmani, Oltian Loga, Dritan Agaj, Aleksandër Maxhaku, Xhoni Nica, Fatmir Hyseni dhe Blendi Teta.

Pas vrasjes së Malkos, sulmi ndaj njerëzve të Ervis Martinajt vazhdoi deri në vitin 2022. Më 13 nëntor të vitit 2021 ekzekutohet miku i tij, Erigers Mihasi. Ai ishte duke lëvizur me makinë në zonën e “Astirit”, së bashku me Armando Dumanin, kur u qëllua me breshëri kallashnikovësh nga një makinë tjetër. Nga të shtënat humbi jetën gjithashtu edhe Armando Dumani. Mihasi ka qenë gjithashtu mik i ngushtë me ish-policin Santiago Malko. Vrasja e dyfishtë ka mbetur ende e pa autor.

Afro një muaj më vonë, më 23 dhjetor të vitit 2021, Can Kariçi, një tjetër njeri i Martinajt, u qëllua me një armë zjarri me silenciator brenda një makine me targa të huaja. Ngjarja ndodhi në Kodër-Kamëz, ndërsa ende nuk janë gjetur autorët. Kariçi kishte precedentë të mëparshëm penalë dhe kishte qenë i dënuar për një plagosje të ndodhur në Tiranë në vitin 2018.

Më 17 maj të vitit 2022, 29-vjeçari Ulvi Skana, zhduket pa gjurmë. Familjarët bënë denoncim dhe Policia nisi një hetim për rrëmbimin e tij. Në media është aluduar se ai ishte mik i ngushtë i Can Kariçit dhe i njohur i Martinajt, po nëna e tij, Thëllëza Skana ka mohuar në daljet mediatike që djali i saj të jetë pjesë e njerëzve të bosit të lojërave të fatit.

Në fund ndodh edhe goditja më e rëndë për Ervis Martinajn. Më 17 korrik 2022 vritet kushëriri i tij, njëkohësisht njeriu iu tij më i afërt, Brilant Marrinaj. Ai u ekzekutua në një atentat në mbikalimin e Fushë-Krujës. Autorët qëlluan me breshëri kallashnvikovi drejt makinës me të cilën po udhëtonte Brilant Martinaj, Dikler Vata dhe Besmir Hoxha. Vata doli jashtë mjetit, por u ekzekutua nga plumbat, ndërsa dy të tjerët u dogjën brenda makinës.

Në fund, u hap një tjetër dosje për të. Gjykata e Posaçme, me vendimin nr.42, datë 17 maj 2022, caktoi ndaj Ervis Martinajt masën e sigurimit personal “arrest në burg” për 4 vepra penale, një prej të cilave, grup i strukturuar kriminal.

I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, e përmendi edhe atë si person që kishte porositur vrasje. Dumani dëshmoi se Ervis Martinaj kishte ofruar deri në 500 mijë euro për vrasjen e Endrit Dokles.

E megjithëse u shpall në kërkim nga SPAK, Martinaj nuk u arrit të gjendej asnjëherë. Në vend të tij u arrestua efektivi i Policisë Jeton Lami, i cili u dyshua se e kishte të ndihmuar për t’u arratisur. Lami u dënua me 2 vite e 10 muaj burg, por tashmë e ka përfunduar dënimin dhe është i lirë.

Në kohën që Policia e kërkonte për ta arrestuar, më datë 10 gusht 2022, xhaxhai i tij, Faik Martinaj, paraqiti një kallëzim penal në Komisariatin e Policisë Kurbin. Ai tha se kishin humbur kontaktet me nipin e tij. Faik Martinaj shpjegonte se që prej kohës që nipi i tij Ervisi është shpallur në kërkim nga organet e drejtësisë, ai dhe familja e tij nuk kishin pasur kontakte me të dhe nuk kishin dijeni për vendndodhjen e tij.

I pyetur lidhur me motivet dhe personat që mund të jenë përfshirë në zhdukjen e nipit të tij, Faik Martinaj sqaronte se që prej dhënies së dëshmisë së shtetasit Nuredin Dumani, i cili e akuzonte nipin e tij Ervisin për disa krime të rënda, kishin filluar edhe problemet për të.

Ai ka hedhur dyshime për grupe kriminale dhe posaçërisht tek shtetasi Endrit Dokle. Pas këtij kallëzimi, Prokuroria ka regjistruar procedim penal për rrëmbim personi, por nuk është zbuluar asgjë rreth vendndodhjes së Ervis Martinajt. Është hetuar në disa drejtime nga ana e organit të akuzës, janë vënë në përgjim shumë persona, por deri më sot nuk është konkluduar asgjë.

Për Policinë e Shtetit, fakti që prej zhdukjes së tij, nuk kishte pasur ngjarje kriminale, të paktën përplasje me armë mes grupeve siç kishin ndodhur më parë, shpjegonte dobësimin e grupit të tij. Kjo e dhënë ishte edhe një lloj indikacioni që e shtynte Policinë të mendonte se Ervis Martinaj edhe mund të ishte vrarë.

Por sot, 21 muaj pas zhdukjes së tij, dhe me tri vrasje të ndodhura në Shqipëri e Greqi, ku objekt atentatesh kanë qenë armiqë e tij, Ervis Martinaj del sërish në skenë edhe pse jo fizikisht. Ende nuk ka asgjë zyrtare rreth fatit të tij.

Edi Rama: Mëngjeset dhe darkat e shqiptarëve, ekran më ekran dhe faqe më faqe janë bërë si një “Big Brother” i kronikës së zezë. Jo u vra, jo s’u vra ai që ishte i shumëkërkuar nga drejtësia. Dhe çfarë nuk dëgjojnë njerëzit, lloj lloj legjendash, me luanë, me bamirësa, me oligarkë… shto ujë e shto miell, si një serial absurd për një nga figurat më të zeza të botës së krimit shqiptar. Dhe Policia e Shtetit sot nuk di ta thotë akoma… ore u vra, apo nuk u vra? Kush e ka penguar ta thotë? Drejtori i Policisë së Shtetit, që merr sot detyrën si një nga oficerët me eksperiencën më të gjatë në shkallët e karrierës policore, duhet të sigurohet dhe të sigurojë që kjo dilemë të marrë fund sa më parë. Nëse i kërkuari është vrarë, t’i thuhet publikut që ky është vrarë, nëse nuk është vrarë, të gjendet, të kapet dhe t’i jepet drejtësisë.

100 ditëshi u harrua, u bënë 21 muaj që nga koha kur Ervis Martinaj u denoncua i zhdukur dhe Policia nuk ka dalë ende në një konkluzion zyrtar për të. Në këtë formë u është lënë hapësire të gjithëve të hamendësojnë. Figura e tij sa vjen e mitizohet. Të gjithë flasin e hedhin hipoteza, që mbeten aty. Askush nuk i përgënjeshtron. Ka disa muaj që Policia pretendon se do të flasë, por nuk po flet. Ndërkohë si brenda dhe jashtë po lahen hesapet e tij. Kjo mund të mos jetë një provë për asgjë, ama është një indicie për diçka. Dikush nga Policia duhet të flasë. Përse po vriten armiqtë e Ervis Martinajt? Kush po i vret? Është gjallë Ervis Martinaj, apo dikush tjetër po hakmerret për të? Këto pyetje nuk mund të mbeten më pa përgjigje. Të paktën jo sot, që po bëhen gati 2 vjet nga zhdukja e tij.

/Etleva Delia/ Emisioni “Gjërat Tona”