Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Apeli ua ul dënimin dy të akuzuarve në rastin e njohur si “Fondi 3%”

 
   

Gjykata e Apelit a vendosur të ndryshojë vendimin e shkallës së parë ndaj të akuzuarve Naser Osmani  dhe Atdhe Gashi, duke ua ulur dënimin nga tri vite në 18 muaj burgim për secilin.

Përveç kësaj, paneli i gjyqtarëve me kryesues Abdullah Ahmetin dhe anëtarë Skenderj Çoçaj dhe Mehmet Ndrecaj në seancën e mbajtur më 19 dhjetor 2023 kanë marrë vendim që pjesa tjetër e aktgjykimit të themelores të mbetet e pandryshuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Me rastin e ankesës së mbrojtësit të akuzuarit N.O, av. F.L dhe ankesës së mbrojtësit të të akuzuarit A.G, av.H.SH, e sipas detyrës zyrtare, ndryshohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, P.nr.2557/21 të datës 23.06.2023 lidhur me vendimin mbi dënimin, ashtu qe të akuzuarit N.O për veprën penale për te cilën është shpallur fajtor i shqipton dënim me burgim në kohëzgjatje prej 18 muajve i cili dënim do të ekzekutohet në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, të akuzuarit A.G për veprën penale për te cilën është shpallur fajtor i shqipton dënim me burgim në kohëzgjatje prej 18 muajve i cili dënim do të ekzekutohet në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit”, thuhet në aktgjykimin e Apelit.

Në këtë rast, Naser Osmani, ish-deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Atdhe Gashi dhe ish-këshilltari i ish-kryeministrit të Kosovës në ekzil, Bujar Bukoshi, akuzoheshin për veprën penale të “Shpërdorimit”. Ndërsa, për të akuzuarin Bujar Bukoshi procedura ishte veçuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në arsyetimin e Apelit thuhet se Gjykata Themelore në Prishtinë më 23 qershor 2023 ka shpallur aktgjykim dënues kundër të akuzuarve Naser Osmani  dhe Atdhe Gashi, për shkak se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Shpërdorimi”, duke i dënuar secilin me nga tri vite burgim.

Sipas këtij aktgjykimi, themelorja i kishte obligua të akuzuarit që në mënyrë solidare të kompensojnë dëmin prej 255 mijë e 398 euro e 41 centë, në afat prej 15 dite prej plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi në buxhetin e Republikës së Kosovës. Madje, të njëjtit ishin obliguar që secili veç e veç të paguaj shpenzimet e procedurës penale në shumën prej 500 euro në emër të paushallit gjyqësor si dhe shumën prej 20 euro në emër të Fondit te Viktimave te Krimit.

Ndërkaq, për të njëjtit ishte refuzuar akuza për veprën penale “Shmangia nga tatimi” nga neni 249 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, për shkak të kalimit të afatit të parashkrimit absolut të veprës penale.

Kundër këtij aktgjykimi kishin paraqitur ankesa mbrojtja e Osmanit dhe Gashit me pretendimin se janë bërë shkelje procedurale, shkelje të ligjit penal, vërtetim i gabuar dhe jo i plotë i  gjendjes faktike. Si rrjedhoje, ata kanë kërkuar nga Gjykata e Apelit që t’i miratojnë ankesat e tyre duke marrë vendim që të lirohen të mbrojturit e tyre ose edhe të rikthejnë çështjen serish në rigjykim.

Sa i takon vendimit mbi dënimin, kolegji i Apelit ka konstatuar se gjykata e shkallës së parë i ka konstatuar drejtë rrethanat të cilat kanë ndikuar në caktimin e llojit dhe lartësisë së dënimit për dy të akuzuarit.

Në arsyetimin e këtij aktgjykimi thuhet se për të akuzuarin Naser Osmani, themelorja kishte marrë si rrethanë lehtësuese bashkëpunimin e tij me organet e drejtësisë si dhe sjelljen e tij korrekte në gjykatë.

“…ndërsa si rrethanë rënduese gjykata ka vlerësuar të mirën juridike të mbrojtur me dispozitat penalo juridike siç janë: mjetet financiare të cilat janë grumbulluar nga qytetarët e Kosovës të cilët kanë qenë në shtete të ndryshme të Evropës, kohën historike në të cilën janë mbledhur ato mjete financiare të siguruara nga qytetarët e Kosovës në shtete të ndryshme, rrezikshmërinë shoqërore të veprës penale, dashjen e lartë të kryesit në kryerjen e veprës penale”, thuhet në aktgjykim duke u përshkruar të njëjtën gjë edhe për të akuzuarin tjetër, Atdhe Gashin.

Si rrjedhojë, Apeli ka dal në përfundim se themelorja i ka konstatuar drejtë rrethanat, mirëpo fakti që dy të akuzuarit janë familjar dhe njëri prej tyre i pa punë dhe koha e gjatë e kryerjes penale janë baza të mjaftueshme për uljen e dënimit.

“…duke i pasur parasysh të gjitha këto rrethana relevante për matjen e dënimit, si dhe rrethanat se të akuzuarit janë persona familjar ku i akuzuari N.O është martuar baba i tre fëmijëve, tani i pa punë, i akuzuari A.G është i martuar baba i tre fëmijëve, po ashtu koha e gjatë që nga kryerja e veprës penale, sipas vlerësimit të kolegjit penal të kësaj gjykate japin bazë të mjaftueshme që arsyetojnë shqiptimin e dënimit si në dispozitiv të këtij aktgjykimit”, thuhet në aktgjykim.

Sipas tyre, vendimi i Apelit është marrë me bindjen se shqiptimi i dënimit ndaj tyre është në harmoni me intensitetin e rrezikshmërisë në shoqëri që ka vepra penale e kryer etj.

“…me bindje se dënimi i shqiptuar ndaj të akuzuarve është në harmoni me intensitetin e rrezikshmërisë shoqërore të veprës penale të kryer, me shkallën e përgjegjësisë penale të akuzuarit si ekzekutor dhe se kjo do t’i shërbej preventivës gjenerale, posaçërisht asaj individuale, forcimit të moralit të shoqërisë, si dhe përgjegjësisë dhe disiplinës së qytetarëve dhe se me këtë kryerësit do të parandalohen nga kryerja e veprave penale në të ardhmen, si dhe do të bëhet rehabilitimi i tyre. Andaj kolegji penal i kësaj gjykate konsideron se dënimi i shqiptuar është i mjaftueshëm për tu arritur qëllimi i dënimit i paraparë me dispozitën e nenit 38 të KPRK-së”, thuhet në aktgjykimin e Apelit.

Ndërsa, pretendimet lidhur me shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale, vlerësimit të gabuar të gjendjes faktike, përshkrimin e ndjekjes penale për veprën “Shpërdorimi” nga neni 257 par.3 lidhur me par.1, lidhur me nenin 23 KPK-së, Paneli i gjyqtareve të Apelit i ka konsideruar si të pabazuara.

Ndryshe, në nëntor të 2020-ës, Osmani dhe Gashi ishin shpallur fajtorë për veprën penale të shpërdorimit, për çka ishin dënuar me nga 3 vite burgim.

Mirëpo, më 15 shtator  2021, Gjykata e Apelit kishte marrë vendim ku rastin e kishte kthyer në rigjykim.

Sipas vendimit të Apelit, shpallja e aktgjykimit nga Gjykata Themelore në Prishtinë nuk është bërë sipas aktakuzës së ngritur ndaj Naser Osmanit e Atdhe Gashit dhe se aktgjykimi i shkallës së parë është përfshirë me shkelje esenciale.

Aktakuza ndaj Bujar Bukoshit, Naser Osmanit dhe Atdhe Gashit ishte ngritur më 28 prill 2017, nga ana e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Paraprakisht, kjo lëndë i ishte ndarë në punë gjykatëses Albina Shabani–Rama, e cila më 23 maj 2018, kishte mbajtur shqyrtimin fillestar ndaj Naser Osmanit dhe Atdhe Gashit.

Po në këtë seancë, gjykatësja Shabani-Rama kishte marrë vendim për veçimin e procedurës penale ndaj Bujar Bukoshit, me arsyetimin se ai ishte i sëmurë dhe nuk kishte mundur të paraqitej në këtë shqyrtim fillestar.

Më pas, më 26 tetor 2018, gjykatësja Shabani-Rama kishte mbajtur edhe shqyrtimin e dytë ndaj të akuzuarve Osmani dhe Gashi, e të cilët brenda afatit ligjor kishin paraqitur kundërshtimet për provat dhe kishin ushtruar kërkesë për hudhje të aktakuzës.

Mirëpo, gjykatësja Shabani-Rama, më 3 dhjetor 2018, kishte marrë vendim që të refuzoheshin kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Lidhur me këtë, të akuzuarit Osmani dhe Gashi, kishin ushtruar ankesë ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit, e cila më 17 janar 2019, kishte refuzuar këto ankesa, duke konfirmuar aktakuzën në fjalë.

Ndërsa, më 18 janar 2019, kjo lëndë i ishte ndarë në punë gjykatëses së Departamentit të Përgjithshëm në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Medie Bytyçi dhe më 13 mars të këtij viti, kjo lëndë nga Apeli, ishte kthyer në zyrën e kësaj gjykatëseje.

Kurse, me 23 qeshor 2023, edhe në rigjykim Gjykata Themelore në Prishtinë kishte marrë vendim që dy të akuzuarit të dënoheshin me nga tri vite burgim dhe të kompensojnë dëmin në vlerë të 255 mijë e 398 euro e 41 centë në buxhetin e Republikës së Kosovës.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) kishte ngritur aktakuzë kundër të akuzuarit Bujar Bukoshi, për shkak të veprës penale “Shpërdorim”, nga neni 257, par.2 lidhur me par.1 të KPK-së dhe veprës penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249, par.2 lidhur me par.1 të KPK-së, kundër të akuzuarit Bujar Bukoshi, Naser Osmani dhe Atdhe Gashi për shkak të veprës penale “Shpërdorim”, nga neni 257, par.3 lidhur me par.1 të KPK-së, lidhur me par.31 të KPK-së, kundër Naser Osmanit për shkak të veprës penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249 par.1 të KPK-së dhe kundër të akuzuarit Atdhe Gashi për shkak të veprës penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249 par.1 të KPK-së.

Sipas PSRK-së, Bujar Bukoshi akuzohet se gjatë periudhës kohore 2008-2015, me qëllim që t’i sjellë vetes apo tjetrit dobi pasurore të kundërligjshme, e ka përvetësuar pasurinë e luajtshme të personave tjerë, e cila i është besuar atij, ashtu që qytetarët e Republikës së Kosovës, të punësuar jashtë Kosovës, kanë kontribuar me mjete monetare në Fondin 3%, duke parë nevojën për të ndihmuar Kosovën, e cila në atë kohë, ishte në kushte shumë të vështira ekonomike, duke dhënë donacione secili sipas mundësive të veta nga 3% deri në 10%, para këto së fundmi janë transferuar në xhirollogarinë e “Fond de R. Kosova” në Prishtinë, në NLB, shumën prej 90,380,00 euro, ka tërhequr me para në dorë (kesh) të cilën me asnjë dëshmi nuk e ka arsyetuar se për çfarë qëllime i ka shfrytëzuar, me këtë e ka dëmtuar buxhetin e Fondit 3%, e njëherësh edhe bashkatdhetarët e Kosovës, në shumë prej 90,830,00 euro, po ashtu edhe shumën prej 3,500 euro, paguar për bileta, Ingrid Steiner Gashi, me 26 gusht 2019, që nuk dihet kush është, por jo punëtore e UFORK-ut.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Bujar Bukoshi se ka kryer veprën penale “Shpërdorimi”, nga neni 257, par.2 lidhur me par.1 të Kodit të vjetër Penal të Kosovës, si ligj më i favorshëm.

Tutje, PSRK i ngarkon të akuzuarit Bujar Bukoshi, Naser Osmani dhe Atdhe Gashi se gjatë periudhës kohore 2006-2015, në bashkëkryerje me njëri-tjetrin, me qëllim për t’i sjellë vetes apo tjetrit dobi pasurore të kundërligjshme, e kanë përvetësuar pasurinë e luajtshme të personave tjerë, e cila u është besuar atyre, ashtu që qytetarët e Republikës së Kosovës, të punësuar jashtë Kosovës, kanë kontribuar me mjete monetare në fondin 3%, duke parë nevojën për ta ndihmuar Kosovën, e cila në atë kohë ishte në kushte shumë të vështira ekonomike, duke dhënë donacione secili sipas mundësive të veta nga 3% deri në 10%, para këto së fundmi transferuar në xhirollogarinë e OJQ UFORK, në Prishtinë, në BPB shumën prej 154,132,47 euro, i kanë tërhequr me para në dorë (kesh) të cilën shumë me asnjë dëshmi nuk e kanë arsyetuar se për çfarë qëllime i kanë shfrytëzuar, duke mos e realizuar asnjë projekt, e me këtë e kanë dëmtuar buxhetin e Fondit 3% – UFORK-ut, e njëherësh edhe bashkatdhetarët e Republikës së Kosovës, në shumë prej 154,132,47 euro.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit Bujar Bukoshi, Naser Osmani dhe Atdhe Gashi, se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Shpërdorimi”, nga neni 257, par.2 lidhur me par.1 të Kodit të vjetër Penal të Kosovës, si ligj më i favorshëm, lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Në dispozitivin e tretë të aktakuzës, Bujar Bukoshi, akuzohet se në periudhën kohore prej vitit 2008-2015, në cilësinë e personit përgjegjës, kryetar i Bordit të “UFORK-ut” dhe si i punësuar aty, me qëllim të shmangies pjesërisht apo tërësisht pagesës së tatimit, tarifave apo kontributeve tjera që kërkohen me ligj, nuk i ka përfshirë të dhënat lidhur me të ardhurat e tij të fituara përmes transaksioneve, në emër të pagave të cilat ka qenë i obliguar që t’i deklarojë në Administratën Tatimore të Kosovës, dhe shuma e shmangies nga i akuzuari është 39,932,04 euro.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Bujar Bukoshi se ka kryer veprën penale “Shmangia nga tatimi”, nga neni 249, par.2 lidhur me par.1 të Kodit të Vjetër Penal, si ligj më i favorshëm (KPK).

Në dispozitivin e katërt, Naser Osmani akuzohet se në periudhën kohore prej vitit 2008-2013, në cilësinë e personit të punësuar në “UFORK”, me qëllim të shmangies pjesërisht apo tërësisht, pagesës së tatimit, tarifave apo kontributeve të tjera që kërkohen me ligj, nuk i ka përfshirë të dhënat lidhur me të ardhurat e tij të fituara përmes transaksioneve, në emër të pagave dhe të të hyrave të tjera, e të cilat ka qenë i obliguar që këto të ardhura t’i deklaron në ATK, si pasojë është dëmtuar buxheti i ATK-së – Republikës së Kosovës, me 3510 euro.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Naser Osmani se ka kryer veprën penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249, par.1 të Kodit të Vjetër Penal, si ligj më i favorshëm (KPK).

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e ngarkon të akuzuarin Atdhe Gashi, se në periudhën kohore prej vitit 2008-2013, në cilësinë e personit të punësuar në “UFORK”, me qëllim të shmangies pjesërisht apo tërësisht pagesës së tatimit, tarifave apo kontributeve të tjera që kërkohen me ligj, nuk i ka përfshirë të dhënat lidhur me të ardhurat e tij të fituara përmes transaksioneve, në emër të pagave, dhe të hyrave të tjera, i njëjti ka qenë i obliguar që këto të ardhura t’i deklarojë në Administratën Tatimore të Kosovës, shumë e shmangies nga i akuzuari është 2667.30 euro.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Atdhe Gashi, se ka kryer veprën penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249, par.1 të Kodit të Vjetër Penal, si ligj më i favorshëm (KPK).

Po ashtu, prokurori i Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës, Atdhe Demaj, më 30 nëntor 2018 kishte dorëzuar në gjykatë një parashtresë, përmes së cilës kishte bërë plotësimin dhe qartësimin e aktakuzës së ngritur më 28 prill 2017.

Sipas kësaj parashtrese, dispozitivi nën pikën II të aktakuzës, është plotësuar ashtu që tani të akuzuarit Bujar Bukoshi- kryetar i Bordit të UFORK, me seli në Prishtinë, Naser Osmani në cilësinë e anëtarit të bordit të OJQ “UFORK” në Prishtinë, dhe Atdhe Gashi në cilësinë e arkëtarit të OJQ “UFORK” në Prishtinë, në vazhdimësi, përgjatë periudhës kohore 2006 deri 2015, në bashkëkryerje, me qëllim për t’i sjellë vetes apo tjetrit dobi pasurore të kundërligjshme, kanë përvetësuar pasurinë e luajtshme të personave tjerë që u është besuar atyre, qytetarë të Republikës së Kosovës dhe vendeve tjera, kontribuues në fondin e themeluar atëbotë për financim të strukturave të Qeverisë së Kosovës në ekzil, shuma këto prej minimum 3% të të hyrave të tyre personale mujore, e të cilat janë transferuar në xhirollogarinë e “UFORK”, në Bankën “BPB” në Prishtinë, ashtu që kanë tërhequr shumën prej 154,132,47 euro në kesh, nuk kanë arsyetuar dhe as dëshmuar qëllimin e tërheqjes së kësaj shume, vlerësim dhe konstatim ky i vërtetuar me ekspertizën e datës 21 prill 2017.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Shpërdorimi”, nga neni 257, par.3 lidhur me par.1 të Kodit të Përkohshëm Penal të Republikës së Kosovës.