Profesori Flamur Hyseni vlerëson se Qeveria e Kosovës nuk është e interesuar që të ketë sukses në dialogun me Serbinë.
Në RTV Dukagjini, Hyseni thotë se qeveria aktuale e kaloi “pranverën e hershme” dhe tani është e interesuar ta përdorë metodën e para 10 viteve – shpërndarjen e parlamentit.
“U pa që edhe qeveria nuk është shumë e interesuar që të ketë suksese dialogu. Nuk nënkupton këtu që vetëm faktori ndërkombëtar ishte herë-herë i njëanshëm dhe i paqartë në shumë procese që kanë ndodhur, qeveria si duket e ka shfrytëzuar këtë situatë, e kaloi pranverën e hershme dhe tani është në fundin e sezonit, po shihet që kjo qeveri është e interesuar që të përdorë një metodë të përdorur para 10 viteve… që të shpërndahet parlamenti. Është i njëjti plan. 3 vjet e gjysmë punët e kësaj qeverie nuk janë as minimalisht në dukje në realizim të proceseve. 3 emra kanë qenë në fjalorin politik, Lajçak, Borrell, Ecobar, dhe kur këta tre emra janë përdorur shpesh, është shtuar një super emër që është Asociacioni”, tha ai.
“Qeveria duhet të ndërmarrë veprime nëse do të vazhdojë të kushtëzohet në anëtarësimin në OKB, askush nuk e përjashton këtë mundësi që nuk do të kemi kushtëzime prapë edhe kur të na vije radha me përgatitë një aplikacion për anëtarësim në OKB”, shtoi ai.
Në qeverisjen e re, sipas Hysenit, duhet të jetë një koalicion më i gjerë për t’i shtyrë proceset.
“Mungesa e koncensusit politik bëri që edhe çështja e Asociacionit të jetë në dy kahje të kundërta. Opozita aktuale është ajo e cila kur ka qeverisur kanë ndodhur të dyja proceset e Asociacionit edhe 2013, edhe 2015”.