Qeveria e Kosovës, ka marrë vendim për shpërbërjen e Ndërmarrjes Publike Qendrore “Ndërmarrja e Re Energjetike e Kosovës” (NKEC).
Kryeministri Albin Kurti tha në mbledhjen e Qeverisë se kanë pushuar shkaqet për ekzistimin e ndërmarrjes e cila u themelua në vitin 2018 për projektin e ndërtimit të një termocentrali të ri.
“Ndërmarrja e Re Energjetike e Kosovës si ndërmarrje publike është themeluar në vitin 2018 për të mbështetur një projekt për të mbështetur një projekt për ndërtimin e një termocentrali të ri. Meqë projekti nuk është realizuar dhe kanë pushuar shkaqet për ekzistimin e ndërmarrjes, Qeverisë i është rekomanduar ta shpërbëjë ndërmarrjen”, tha Kurti.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se bodri i drejtorëve e përgatiti shpërbërjen e ndërmarrjes.
“Ndërmarrja NKEC nuk është duke e zhvilluar veprimtarinë për të cilën është themeluar ose ndonjë veprimtari tjetër komerciale për një kohë. Mirëpo tani kanë pushuar edhe shkaqet juridike për ekzistimin e ndërmarrjes, ndër të tjera, procedura e arbitrazhit lidhur me projektin e termocentralit Kosova e Re. Në përputhje me udhëzimet nga memorandumi shpjegues i vendimit të datës 14.06.2023, bordi i përkohshëm i drejtorëve i emëruar në atë rast ka përgatitur shpërbërjen e ndërmarrjes dhe i ka rekomanduar aksionarit për të marrë vnedim për shpërbërjen vullnetare”, tha Rizvanolli.