Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama, ka konfirmuar se gjyqtari Agim Kuçi, kishte vendosur vetë për ta lënë Enver Sekiraqën të mbrohet në liri, pa u konsultuar edhe me dy anëtarët tjerë të trupit gjykues.
Anëtarë të trupit gjykues në rastin Sekiraqa janë Medie Bytyqi dhe Ngadhnjim Arrni.
“Në bazë të aktvendimit të datës PKR.nr.170/2020 te dt. 03.05.2024, evidentohet që gjyqtari Kuqi e ka marrë vet si kryetar i trupit gjykues këtë aktvendim, ku edhe e ka cek në hyrje të aktvendimit “duke vendosur sipas detyrës zyrtare jashtë seancës” e nuk është nxjerrë aktvendimi në emër të trupit gjykues e jo siç e kërkon dispozita ligjore e nenit 366 të KPP-së. Ndërsa që aktgjykim burimor nuk ka pas në shkresa të lëndës që të vërtetohet se ka vepruar ndryshe”, thuhet në përgjigjen e Kryetares për “Betimi për Drejtësi”..
Shabani-Rama thekson se ndonëse nuk ka qasje në dokumentacionin për këshillim dhe votim pasi që në atë dokumentacion ka qasje vetëm kolegji i Gjykatës së Apelit, dhe po ashtu, për këtë nuk mund të parashtrojë pyetje tek anëtarët e trupit gjykues pasi që seanca për votim është e mbyllur, vendimet që janë marrë brenda seancës pasqyrohen në aktvendimin i cili tashmë është bërë publik.
Më 3 maj 2024 pas shpalljes së dënimit me 25 vjet burgim për Sekiraqën për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza, gjykatësi Kuçi mori aktvendim që t’ia ndërpres masën e arrestit shtëpiak dhe të mbrohet në liri.
Ndërsa, Gjykata e Apelit, më 17 maj 2024 pas ankesës së Prokurorisë Speciale ndaj atij vendimi, ka vendosur që Sekiraqën ta kthejë në paraburgim derisa aktgjykimi të marrë formë të prerë. Por, një ditë pas këtij vendimi, Policia ka njoftuar se nuk e ka gjetur Sekiraqën në shtëpi, për ta shoqëruar në paraburgim dhe deri tani i njëjti nuk është arrestuar.
Gjykatësi Kuçi, pa konsultim me anëtarët e trupit gjykues kishte marrë edhe dy vendimet tjera për ndërrimin e masës së Sekiraqës
Përveç vendimit të 3 majit 2024 për masë të sigurisë, kur Sekiraqa u la të mbrohet në liri, Kryetarja e Gjykatës bën të ditur se pa konsultim ishin marrë edhe dy vendime tjera për ndërrim të masës.
Shabani-Rama ka thënë se edhe aktvendimi i datës 15 tetor 2021, përkundër përkundër që lënda ka qenë në shqyrtim gjyqësor e që mbrojtja kërkesën për ndërprerje të paraburgimit e kishte bërë në shqyrtim gjyqësor, gjyqtari Kuçi pa u konsultuar me trupin gjykues ka marrë aktvendim për ndërprerje të paraburgimit dhe caktim të masës së arrestit shtëpiak.
Po ashtu, Kryetarja konfirmon se gjyqtari njëjtë pa konsultim me trupin gjykues ka vepruar edhe me vendimin e 9 shkurtit 2024 për ndërprerjen e arrestit shtëpiak duke e zëvendësuar me masën e paraqitjes në stacionin policor.
Në seancë u refuzua ndërrimi i masës, rreth një muaj më pas gjykatësi vendosi vetë ta ndërrojë atë
Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë konfirmoi se në seancën e 15 janarit 2024, trupi gjykues e kishte refuzuar propozimin e mbrojtjes së Sekiraqës për ndërprerje të arrestit shtëpiak, por që më pas më 9 shkurt 2024, gjykatësi Kuçi i vetëm mori vendimin për ndërrim të masës.
“Në seancën gjyqësore të datës 15.01.2024, pas propozimit të avokates se të pandehurit Sekiraqa për ndërprerje të masës së arrestit shtëpiak, në fund të këtij procesverbali mund të shihni se trupi gjykues e ka refuzuar propozimin e avokates, ndërsa që me datë 09.02.2024, si Kryetar i trupit gjykues merr aktvendim i vetëm për ndërrim të masës së arrestit shtëpiak me masën e paraqitjes ne stacion policor edhe pse nuk e ka pas aprovimin e trupit gjykues”, thuhet në përgjigjen e Shabani-Ramës.
Se propozimi i mbrojtjes për ndërrim të masës ishte refuzuar në seancën e 15 janarit 2024, e dëshmon edhe procesverbali i asaj seance.
“Lidhur me propozimin e avokates mbrojtëse dhe pas deklarimit të prokurorit special si dhe palës së dëmtuar lidhur me këtë propozim, që të akuzuarit Enver Sekiraqa t’i nderpritet masa e arrestit shtëpiak dhe e njëjta ti zevendesohet me masen e paraqitjes në stacionin policor trupi gjykues merr aktvendim: Me të cilin refuzohet propozimi i avokates mbrotjese dhe mbetet në fuqi aktvendimi i fundit me të cilën të akuzuarit i është vazhduar masa e arrestit shtepiak”, thuhet në procesverbalin e seancës.
Këto veprime të gjykatësit, Kryetarja thotë se paraqesin shkelje të procedurës penale dhe njëherësh shkelje të detyrave të gjyqtarit.
“Për mua si kryetare këto veprime të gjyqtarit për ndërrim të masave të sigurisë pa aprovimin e trupit gjykues paraqesin shkelje të procedurës penale dhe realisht shkelje të detyrave të gjyqtarit, sepse kur çështja gjykohet në trup gjykues nuk i jep diskretcion Kryetarit të Trupit gjykues të veproj i vetëm e sidomos në ndërrimin e masave gjatë kohës kur shqyrtimi gjyqësor ka qenë në procedurë e sipër”, ka thënë tutje Shabani-Rama.
Shabani-Rama ka thënë se tashmë i mbetet panelit hetimor të vërtetojë në tërësi këtë çështje.
Ndryshe, në një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit Gjyqësor të Kosovës me dyer të mbyllura, gjykatësi Agim Kuçi është suspenduar deri në një vendim tjetër të Këshillit. Ky vendim vjen pas rastit të Sekiraqës.
“Këshilli, pas shqyrtimit dhe analizimit të dy rasteve disiplinore ka themeluar panelet hetimore. Sa i përket rastit AD/KGJK/04/2024/GJTHPR-AD/GJTHPR/8/24, Këshilli bazuar në kërkesën e autoritetit kompetent me shumicë të votave vendosi për suspendimin e gjyqtarit që është subjekt i hetimit, deri në një vendim tjetër të Këshillit”, thuhet në njoftimin e KGJK-së.