Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

QIKA kërkon nga ministri Murati heqjen e taksës për pecetat menstruale

 
   

Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion – QIKA, ka zhvilluar një aksion para Qeverisë së Kosovës, përmes së cilës ka kërkuar nga Ministri i Financave, Hekuran Murati, heqjen e taksës për pecetat menstruale.

Në këtë aksion, kjo Qendër ka dorëzuar peticionin me 7 mijë e 500 nënshkrime për heqjen e taksës prej 18 për qind për këto peceta.

Përfaqësuesja e QIKA-s, Medina Dauti, theksoi se pasojat ekonomike e taksës për peceta prekin drejtpërdrejtë gratë, e sidomos ato nga familjet e varfra të cilat janë veçanërisht te goditura.

“Ministër dil nënshkruaje! Sot, ministrit Hekuran Murati ia sollëm 7,500 nënshkrimet e peticionit “Peceta nuk është luks” për t’ia kujtuar vullnetin e qytetarëve të Kosovës që vitin e kaluar kanë kërkuar heqjen e taksës prej 18% për produkte menstruale. Simbolikisht, ia sollëm edhe vendimin që Murati do të duhej të kishte vetë guximin dhe vullnetin që ta hartonte. Taksimi i produkteve menstruale është seksist. Shteti po takson funksionimin normal fiziologjik te grave dhe të gjithë personave që menstruojnë. Menstruacionet nuk janë zgjedhje, as higjiena menstruale nuk është luks, e si te tilla nuk mund te taksohen”, tha Dauti.

Ajo shtoi se përkundër kërkesave të aktivisteve feministë për heqjen e taksës, Murati nuk e tha as edhe një fjalë në publik për këtë çështje.

“Ministër, nuk mund të qëndrosh indiferent dhe të mos flasësh mbi varfërinë menstruale. Ajo ekziston. QIKA beson se taksa e cila thellon pabarazitë gjinore ekzistuese ishte antikushtetuese dhe e kundërligishme, andaj duhet te largohet menjëherë. Arsyetimin politik, bazën ligjore, lapsin, të gjitha i ke këtu. Ministër merre guximin e dil nënshkruaje vendimin”, tha ajo.

Sipas kësaj organizate, qasja në produkte menstruale është e drejtë bazike, jo privilegji.