Ministria e Jashtme e Francës ka shprehur shqetësimin e saj në lidhje me “veprimet e njëanshme” të Kosovës, pas aksionit policor në ndërtesat e Bankës Postare Kursimore të Serbisë në veri të vendit.
Në një deklaratë zyrtare të lëshuar më 21 maj, Ministria e Jashtme thekson se këto veprime po përkeqësojnë situatën dhe po rrezikojnë diskutimet për dialogun në Bruksel.
“Franca është e shqetësuar nga operacioni i fundit i policisë së Kosovës që çuan në mbylljen e zyrave të bankave postare serbe në veri të Kosovës. Këto veprime të reja të njëanshme kontribuojnë në përshkallëzimin e tensioneve dhe rrezikojnë diskutimet, nën patronazhin e Bashkimit Evropian, që synojnë gjetjen e një zgjidhjeje të përkohshme për personat e prekur nga zbatimi i rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës. Ato ndikojnë në jetën e përditshme të komunitetit serb në Kosovë dhe shkojnë kundër përpjekjeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, parakusht për realizimin e perspektivës evropiane të dy vendeve”, thuhet në reagim.
Franca ka bërë thirrje për rikthimin e palëve në bisedime dhe të punojnë për propozimin e fundit për dinarin të lehtësuesit të dialogut, Miroslav Lajçak.
Ajo ka theksuar nevojën për përmbajtje dhe angazhim të të dyja palëve për të zgjidhur çështjet nëpërmjet propozimit të fundit të paraqitur nga ndërmjetësimi evropian.
“Franca u bën thirrje autoriteteve kosovare që të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm i njëanshëm. Inkurajojmë të dyja palët të kthehen në tryezën e negociatave dhe të punojnë në propozimin e fundit të kompromisit të paraqitur nga ndërmjetësimi evropian, e vetmja bazë realiste për arritjen e një marrëveshjeje që lejon përfituesit të marrin transferta financiare nga Serbia”, vijon reagimi i Francës.