Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, thotë se dëmet e shkaktuara nga vendosja e masave të BE-së ndaj Kosovës janë mbi 500 milionë euro, por se nuk kanë shifra të sakta për këtë.
‘’I kemi kërkuar prej MPJ por edhe zyrës së ZVK-së, por nuk kemi marr përgjigje për shumën e dëmeve. Dëmet janë 500 milion euro nga fondet e BE-së si shkak i sanksioneve dhe është rreziku për humbje të fondeve tjera nga pakoja e BE-së për Ballkanin Perëndimor’’, deklaron ajo.
Deputetja Kadrijaj thotë se si opozitë kanë kërkuar në çdo takim heqjen e masave ndaj Kosovës, por se ndërkombëtarët kanë treguar kushtet e tyre.
‘’Edhe si opozitë në çdo takim me shefin e BE-së këtu kemi kërkuar që me u heq sanksionet, por ata na kanë treguar kushtet që duhet plotësuar, njëri nga kushtet ka qenë de-eskalimi i situatës në Veri, por po e shihni se Qeveria po merr vendime pa koordinim me ta në Veri e që kemi parë reagime edhe nga BE edhe nga DASH dhe këto veprime nuk janë lajm i mirë dhe ndikojnë që Kosovës mos me iu heq masat’’, deklaron ajo.
Kadrijaj paralajmëron ditë të rënda për Kosovën dhe masa të rënda për Kosovën në ditët në vazhdim që do të vijnë nga BE-ja.
‘’Njëri nga kushtet ka qenë me punu Kosova në de-eskalim dhe jo në eskalim dhe faktori ndërkombëtar po i sheh si provokime dhe që munden me ndiku në eskalim në Veri dhe këto kanë qenë. Peticioni u bë, por masat nuk u hiqen, për Kosovën çdo ditë do të ketë ditë me të rënda, sanksione me të rënda në raport për rrugën e integrimit evropian’’, shton ajo.