Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Gërvalla: Kosova, shteti më pro-amerikan në botë

 
   

“Le të dëshmojmë që si demokraci perëndimore, jemi shumë më të fortë se ata që çdo ditë luftojnë kundër vlerave tona, parimeve tona dhe le të tregojmë, për gjeneratën e fëmijëve tanë, se me forcën që paraqesin vlerat tona, me forcën e vullnetit tonë dhe me forcën e lirisë që ne jetojmë, mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë ne”.

Kështu tha zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla në ceremoninë e përurimit të objektit të ri të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Uashington, i cili është pronë e Republikës së Kosovës. 

Sipas njoftimit nga MPJD, ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ilir Dugolli, para të pranishmëve tha se kjo ambasadë shërben si një dëshmi e një lidhjeje të fortë, të qëndrueshme, të pathyeshme që ekziston midis vendeve dhe kombeve tona si dhe një dëshmi e sukseseve të përbashkëta që kemi arritur deri tani.

E shoqëruar edhe nga zëvendësministrja, Liza Gashi, në fjalën e saj para të pranishmëve, ministrja Gërvalla tha që këtë vit do të festojmë 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës dhe çdo fëmijë në Kosovë e di se pa angazhimin e partnerëve tanë, aleatëve dhe miqve tanë 25 vjet më parë, pa angazhimin edhe të NATO-s për të ndaluar gjenocidin në Kosovë, ne nuk do të ishim këtu sot midis jush. 

“Ky angazhim i miqve tanë shpëtoi më shumë se 100,000 jetë njerëzish në Kosovë dhe solli një të ardhme të ndryshme për të gjithë rajonin tonë. Kosova është shteti më pro amerikan në botë dhe prandaj kjo ambasadë që po inaugurojmë sot është jo vetëm një objekt, por një mesazh i fuqishëm”, tha ministrja Gërvalla. 

Nga ana tjetër, ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, deklaroi se SHBA ka qenë dhe do të jetë gjithmonë një mik dhe partner i përkushtuar për Kosovën.

Ai theksoi se ky sukses i Kosovës, vendosja e kësaj ambasade fare pranë vendit ku kishte filluar karrierën e saj, do ta gëzonte pamasë ish sekretaren e shtetit, Madeleine Albright.

“Zemra e saj do të shpërthente nga gëzimi kur të shihte kështu Kosovën, për të cilën gjithmonë thoshte se ishte gjëja për të cilën ishte më së shumti krenare”, citohet të ketë thënë ndihmës-sekretari O’Brien. 

Këtë ceremoni e madhështoi me paraqitjen mbresëlënëse ”Kori Siparantum”, nën udhëheqjen e Memli Kelmendit.