Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Qytetarët në veri shprehin “mbështetje për serbët dhe Vuçiqin” pas miratimit të rezolutës për Srebrenicën

Qytetarë në Mitrovicë të Veriut kanë parakaluar me veturat e tyre në rrugët e këtij qyteti, në shenjë mbështetjeje për serbët dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Dhjetëra automjete, në të cilat ishin vendosur flamuj të Serbisë, lëvizën në rrugët e kësaj komune, pasi në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara u miratua rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë.

Nuk dihet se kush qëndron prapa këtij organizimi në Mitrovicë të Veriut, një prej katër komunave në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Më 23 maj, anëtarët e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara miratuan rezolutën që shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë.

Gjatë debatit, Vuçiq tha se bëhet fjalë për një “rezolutë shumë të politizuar” që “nuk do t’i kontribuojë pajtimit as në Bosnje e Hercegovinë, as në rajon”.

Kjo rezolutë, që është bashkësponsorizuar nga Gjermania dhe Ruanda, ka nxitur reagime të ashpra në Serbi dhe në entitetit serb të Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska, ku udhëheqësit kanë thënë se ai do ta etiketojë gjithë popullin serb si “mbështetës” të vrasjeve masive.

Në Srebrenicë, forcat serbe vranë mbi 8.000 burra dhe djem boshnjakë në korrik të vitit 1995.

Krimi në Srebrenicë njihet si gjenocid nga gjykatat ndërkombëtare.

Rezoluta e miratuar, ndër të tjera, bën thirrje për “dënimin pa rezerva të çdo mohimi të gjenocidit në Srebrenicë, si dhe të veprimeve që i madhërojnë të dënuarit për krime lufte, përfshirë edhe ata që janë përgjegjës për gjenocidin”.

Për gjenocidin e kryer në Srebrenicë, deri më tash, u dënuan më shumë se 50 persona me rreth 700 vjet burg.//RadioEvropaeLirë/