Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Deklarata e Kurtit për Trump, kështu e komenton Lutfi Haziri

 
   

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri në lidhje me deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti se ka një lloj frike në Evropë e Kosovë për kthimin e Donald Trumpit në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) ka thënë se politika amerikane karshi Kosovës është mbipartiake.

 Haziri ka thënë se Kosova nga Amerika është trajtuar si interes strategjik pavarësisht kush ka qenë në krye të administratës.

“Politika amerikane karshi Kosovës është mbipartike, Kosova është trajtuar si interes strategjiko-amerikan pavarësisht kush ka qenë në krye të administratës”, ka deklaruar Haziri.

Madje Haziri ka thënë se Marrëveshja më e mirë në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi u nënshkrua në kohën e Trumpit.

“Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, u nënshkrua më 4 shtator të vitit 2020 në Shtëpinë e Bardhë, në praninë e presidentit të atëhershëm amerikan Donald Trump”, ka vijuar ai.

Dy versione të dokumenteve për palën e Kosovës dhe atë të Serbisë, i kanë nënshkruar kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti aktual i Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Zyrtarët amerikanë e vlerësuan marrëveshjen e Washingtonit si një fillim të ri për Ballkanin Perëndimor.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk e ka përjashtuar se në Kosovë, por edhe në gjithë Evropën ka një lloj frike për kthimin e Donald Trumpit në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Derisa ka folur në margjinat e sesionit të Institutit ODI për çështjet globale në Londër, Kurti ka thënë se “me kthimin e presidentit Trump ka njëfarë stresi dhe ankth në të gjithë kontinentin, e as Kosova nuk është ndryshe”.

Sipas Kurtit, rikthimi i mundshëm i Trumpit në pushtet i streson liderët evropianë për shkak të prirjes së ish-presidentit amerikan për ndryshime të egra dhe të papritura të politikave.

“Nuk është se mund të ndodhë diçka e keqe, por ekziston frika për diçka të panjohur. Çfarë do të bëjnë ata (v.j. SHBA-ja) dhe si do ta mendojnë, si një urgjencë e caktuar mund ta rrëmbejë të gjithë agjendën – kjo është ajo për të cilën shqetësohen më shumë njerëzit”, ka thënë ai në një intervistë për “Semafor”.

“Ka disa aspekte të qeverisjes, politikëbërjes, dhe të opinionit publik me të cilin po përballet për herë të parë SHBA-ja në ditët e sotme”, ka shtuar Kurti.

Kurti tha gjithashtu se marrëdhëniet e tij jo të mira me ish-të dërguarin e posaçëm të SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, mund të jenë sfidë nëse Grenelli siguron një pozitë tjetër të lartë të politikës së jashtme ose të sigurisë kombëtare në administratën e re amerikane.

“Ndoshta ne nuk jemi në krye të listës (V.J. të Trumpit). Ai do të merret me disa vende të tjera paraprakisht”, ka thënë Kurti duke qeshur.