Këngëtari dhe kompozitori Gerald Xhari i njohur si Big Basta u shfaq në një rrëfim ndryshe këtë të premte në një program televiziv ku foli për këngën më të re të sjellë nga ai në tregun shqiptar të titulluar “Leji Armët”.
“Kjo këngë është pjesë e një fushate të ndërmarrë nga OSBE-ja, Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit, dhe vjen si një nevojë për shoqërinë tonë dhe për fenomenin e gjaknxehtësisë dhe fenomenin e përdorimit të armëve se sa lehtë e përdorin atë.
Gjithashtu, kjo këngë është më së shumti një mesazh për të rinjtë për t’iu thënë atyre se rruga e duhur është komunikimi dhe jo arma dhe zgjidhje nuk është dhuna. Lajmet e ditës mbushin kronikën e zezë, dhe prandaj erdhi kjo këngë.
Është një këngë Hip Hop, që është një rrymë që deri dje perceptohet se kjo rrymë promovon dhunën, por kjo këngë tregon të kundërtën”, u shpreh Big Basta.