Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, të dënuar në shkallën e parë për vrasjen e Marigona Osmanit, janë paraqitur sot në gjykatë për seancën e parë, pasi rasti u kthye për rigjykim nga Apeli.
Avokati i Krivaqës, Skënder Musa sot në është shprehur se klienti i tij e ka dashur Marigona Osmanin dhe se është “goditur shpirtërisht nga humbja e saj”.
Krivaqa, i cili është dënuar për vrasje mizore, sipas avokatit Musa, ka pasur qëllim të krijojë familje me të ndjerën por që këto fjalë nuk i ka thënë pasi ka pasur frikë nga avokati pasi ka menduar se është si para prokurorit.
“Dardan Krivaqa e ka dashur Marigona Osmanin, kanë jetuar së bashku, kanë pasur për qëllim të krijojnë familje. Është i goditur shpirtërisht nga humbja e saj. Dardani është frikësuar nga avokati sipas detyrës zyrtare, andaj nuk ka folë, ka mendu që është si prokurori. Të gjitha krimet ndodhin në botë, por edhe në Kosovë, veçse prokuroria dhe policia duhet të hetojnë mirë rrethanat, t’i marrin parasysh provat fajësuese dhe shfajësuese dhe të marrin dënim të drejtë dhe logjik“, tha Musa.
Por këto pretendime të avokatit Skënder Musa i hedh poshtë avokati nga Ferizaj, Admir Salihu ku i tha Sinjalit se deklarata e fundit e avokatit Musa është shpifje, pasi nuk thuhet të ketë thënë ato fjalë Krivaqa.
“Deklarata e tij është shpifje dhe nuk janë fjalët e klientit apo te akuzuarit, thjesht është konstruksion që ky e ka krijua, pasi nuk ka çfarë thotë diçka të re përveç asaj që është thënë në krejt gjykimin. Është thjesht konstruksion i tij, nuk është që Dardan Krivaqa e ka thënë. Krivaqa e dini që i ka pasur mbi 100 vepra dhe e ka ditur se çka është avokati. Arsyeja se pse është angazhuar Skënder Musa si avokat është sepse sipas familjareve të Krivaqës i është premtuar se kjo çështje do të përfundojë sa ma thjeshtë sepse nuk ka aty vepër penale”, tha Salihu.
Tutje Salihi tha se ai e ka vizituar mbi tre herë në burg të akuzuarin Krivaqa dhe se asnjë hap nuk është marr pa pëlqimin e tij dhe familjes.
“Unë e kam vizituar tre herë në burg të akuzuarin Krivaqa dhe çdo veprim që e kam marr gjatë krejt atij gjykimi, asnjë hap nuk e kam marr pa pëlqimin e tij dhe familjes së tij”, shtoi ai.
Për fund, Salihu tha se ai do të dorëzojë një Kallëzim Penal ndaj avokatit Musa, pasi konstruksionet e tij cenojnë rendin Juridik Kushtetues të vendit.
“Arsyeja e vetëm që ne jemi mbrojtur në heshtje ka qenë për shkak të disa të drejtave që na i ka cenu gjykata që nga fillimi i procesit. Unë kam kërkuar që Krivaqës ti bëhen analizat e drogës, të bëhet ekzaminimi psikiatrik, psikologjik. Pra çdo e drejt që i takon një të akuzuari në procedurë është realizuar. Pra, deklarata e Skënder Musës është konstruksion i tij personal dhe pas kësaj unë sipas të gjitha gjasave do ta ushtrojë një kallëzim penal ndaj tij, pasi kjo cenon rendin juridik kushtetues të vendit”, tha ai për median.