Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kosova në agjendën e Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Sofje

 
   

Në Sofje të Bullgarisë, prej sot, për tri ditë rresht do të mblidhet Asambleja Parlamentare e NATO-s, ku në agjendën e saj është edhe Kosova. Me këtë rast, Kuvendi i Kosovës synon ta avancojë statusin e tij nga anëtar vëzhgues në anëtar të asocuar.

Në njoftimin e Asamblesë thuhet se deputetët e saj, mes tjerash, do të vendosin për kërkesat e Maltës dhe Kuvendit të Kosovës.

Sfidat e vazhdueshme në Ballkanin Perëndimor, strategjitë për mbështetjen e partnerëve në rrezik dhe rritja e angazhimit me Jugun Global do të trajtohen po ashtu në këtë takim, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Asambleja Parlamentare e NATO-s.

Në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, e cila mbahet për tre ditë radhazi, 25,26,27, në Sofje të Bullgarisë, në agjendë do të jetë edhe Kosova.

Kosova pret që të marrë përkrahje në avancimin e statusit të Kuvendit të Kosovës, nga vëzhgues në anëtar të asociuar të kësaj organizate. Vendi ynëpërfaqësohet nga deputetët Driton Hyseni dhe Xhavit Halit. Ata do të jenë prezentë në punimet e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, në Sofje.

Udhëheqësi i delegacionit, Driton Hyseni për RTK- në, ka theksuar se orvatjet e Serbisë për ta penguar Kosovën po vazhdojnë edhe në këtë proces.

“Si rrjedhojë e vendimit të komitetit të përhershëm drejtues të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, i votuar me 24 mars të këtij viti, në favor të ngritjes së statusit të delegacionit të Kosovës, ju konfirmoj se çështja e tillë është në agjendën e punimeve të asamblesë dhe për të pritet votimi me shumicën e deputetëve në Asamblenë Parlamentare të NATO-s më 27 maj (asambleja ka 274 deputetë në total, nga 32 vendet anëtare të NATO-s). Presim epilog pozitiv dhe zyrtarizim të plotë të statusit të ri të delegacionit nga Kosova, si Anëtar i Asociuar i Asamblesë Parlamentare të NATO-s”, ka deklaruar Hyseni.