Kryeministri Albin Kurti, mori pjesë në mbledhjen komemorative të organizuar në nderim të aktivistit dhe të burgosurit politik, dhe veprimtarit, Afrim Morina, i cili vdiq dje, në prag të ditëlindjes së tij të 73-të.
Kurti theksoi se çlirimi i Kosovës nga Serbia erdhi falë angazhimit të Morinës dhe gjeneratës së tij.
“Sivjet më 12 qershor, do të mbushen fiks 25 vjet nga çlirimi i vendit tonë nga Serbia okupatore, pushtuese. E kjo ditë, erdhi para 25 vitesh edhe falë angazhimit të njerëzve sikur Afrimi dhe të gjeneratës së cilës i takon ai. Qysh si 17 vjeçar, Afrim Morina ishte ndër organizatorët e nxënësve të gjimnazit dhe të normales së Suharekës, në demonstratat e vitit 1968. Gjatë rinisë së hershme, ai bashkëthemeloi disa grupe letrare, e që për kohën të tillat nuk ishin vetëm artistike por edhe patriotike e politike”, u shpreh kryeministri Kurti.
Ai kujtoi se Afrim Morina, u dënua dhe u burgos nga regjimi i Beogradit katër herë, vetëm për shkak të aktivitetit të tij politik, nga organizatat ilegale e te subjekti politik, Partia e Unitetit Kombëtar Shqiptar – UNIKOMB, si zëvendëskryetar i saj, në kohën kur kryetar i saj ishte profesor Ukshin Hoti.
Kurti gjithashtu nderoi edhe veprën intelektuale të shkruar të Afrimit. Në vitin 2015 ai kishte botuar të plotë veprën e tij me titullin përmbledhës “Arka e kujtimeve”, e që përfshin gjithsej 18 vepra me poezi, drama, romane, publicistikë, filozofi politike dhe kujtime.
Pas mbledhjes komemorative, kryeministri Kurti i shoqëruar nga ministra të kabinetit qeveritar, deputetë të Kuvendit dhe aktivistë e bashkëpunëtorë, mori pjesë në ceremoninë e varrimit të të ndjerit, Afrim Morina, në fshatin Reshtan të Suharekës.