“Është e papërballueshme. Na duhen lehtësira e jo ngarkesa të tilla financiare”, thotë bujku Valon Vehapi.
Prej vitesh, ai kultivon mbi 150 hektarë tokë me prodhime të ndryshme bujqësore në komunën e Lipjanit – pjesa qendrore e Kosovës.
Por, nisur nga ky vit, ka edhe kosto shtesë: pagesën e tatimit për tokën bujqësore.
Kjo taksë ka nisur të aplikohet në bazë të Ligjit për Tatim në Pronën e Paluajtshme, i cili është ndryshuar dhe plotësuar nga Kuvendi i Kosovës në gusht të vitit 2023.
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve e Kosovës siguron se disa bujq do të kenë lehtësime, por nga organizatat që i mbështesin bujqit, thonë se taksa do t’i dëmtojë dhe do t’i demotivojë ata për të punuar tokat.
E pyetur nga REL-i se si është duke shkuar procesi i pagesës – afati për të cilën përfundon më 30 shtator – kjo ministri nuk u përgjigj.
Me ligj, ata që nuk e paguajnë tatimin, ndëshkohen me gjobë prej 10% të vlerës së tatimit të papaguar.
Sa është tatimi për tokat bujqësore?
Tatimi për tokat bujqësore përcaktohet nga shumëzimi i vlerës së pronës – përkatësisht çmimi për metër katror – me normën tatimore.
Në përgjigjen e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve dhënë Radios Evropa e Lirë, thuhet se “norma tatimore për vitin 2024 ndryshon nëpër komuna nga 0.10% deri në 0.15% – varësisht zonës, kategorisë së tokës dhe vlerës së tregut”.
Vehapi, mbi 140 hektarë të tokave që i shfrytëzon, i ka me qira dhe për ta paguan nga 80 deri në 300 euro për hektar, varësisht vlerës së pronës.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai tregon se pronarët e tokave ia kanë dorëzuar atij faturat e tatimit.
“Nga një faturë i kam paguar 70 euro për një hektar. Faturat e tjera kanë qenë me vlera më të ulëta”, thotë Vehapi.
Tatimi i demotivon bujqit
Një lagje moderne shihet jashtë kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës, e rrethuar nga fusha me grurë.
Bashkim Zejnullahu, udhëheqës i Shoqatës së Mullisëve të Kosovës, thotë se hapësira e tokës së punueshme në Kosovë edhe ashtu është e pamjaftueshme – taksa, sipas tij, do t’i shtyjë buqit të heqin dorë nga punimi i tokës.
Nga kulmi i inflacionit në vitin 2022 e këndej, bujqit janë përballur me sfida të vazhdueshme, që kanë nisur me shtrenjtimin e naftës dhe të produkteve të tjera për prodhim dhe kanë vazhduar me mungesën gjithnjë e më të madhe të punëtorëve.
Në veprimtarinë e tyre shpesh kanë luajtur rol edhe kushtet klimatike, që i kanë zvogëluar të korrat.
Qeveria e Kosovës, nga viti 2022, ndan subvencione për bujqit, por ata, prapëseprapë, nuk arrijnë t’i plotësojnë nevojat e qytetarëve të Kosovës, sidomos për grurë.
Zejnullahu pret që, sivjet, të ketë edhe më pak prodhime të grurit dhe çmimet e këtij produkti të jenë më të larta.
Ai nuk është kundër tatimit, por thotë se “nuk është dashur të ngarkohet bujku që e punon tokën, por ai që nuk e punon”.
Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se vendi ka mbi 512 mijë hektarë tokë të përshtatshme për bujqësi, por për qëllime të ndryshme shfrytëzohen mbi 420 mijë hektarë.
Sipas ASK-së, rreth 189 mijë hektarë shfrytëzohen për rritjen e kulturave bujqësore, mbi 217 mijë hektarë hyjnë në kategorinë e livadheve dhe kullotave, ndërsa sipërfaqet e tjera janë plantacione për pemë, perime dhe kopshte.
Kosova, prej vitesh, përballet me deficit të lartë tregtar, që do të thotë se importon më shumë sesa eksporton, përfshirë këtu edhe prodhime bujqësore.
Vendi nuk i plotëson as nevojat e popullatës për grurë dhe importon nga fqinjët ose vendet e Bashkimit Evropian.
Prodhimi vendor i grurit, ndër vite, është rreth 300 mijë tonë, kurse nevojiten mbi 410 mijë tonë.
Saktësisht një vit më parë, Radio Evropa e Lirë ka raportuar për reduktim të sipërfaqes së tokës së punuar në Rahovec – komunë ku, sipas të dhënave zyrtare, afro 65 për qind e popullatës e sigurojnë ekzistencën nga aktivitetet bujqësore.
Afrim Limani, drejtor për buxhet dhe financa në Komunën e Rahovecit, konfirmon për Radion Evropa e Lirë se tatimi në toka bujqësore ka nisur të paguhet, por “jo në masë”.
Profesori i Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës, Imer Rusinovci, thotë se tatimi për tokat bujqësore është dashur të shtyhet derisa të ketë një qëndrueshmëri në këtë sektor.
“…sepse kjo më pas ndikon me import marramendës, pasi fermerët përballen me konkurrencë të fuqishme, nëse nuk i mbështet dikasteri përkatës”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Federata Sindikale e Bujqve të Kosovës konfirmon se ka nisur të pranojë tashmë disa ankesa nga bujqit.
“Kjo nuk është në rregull”, thotë udhëheqësi i kësaj shoqate, Tahir Tahiri, duke shtuar se, së shpejti, do të mbahet mbledhja e kryesisë së sindikatave dhe ankesat e bujqve do të adresohen tek autoritetet përgjegjëse.
Duke e paraqitur si një lloj lehtësimi, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve thotë se tokat bujqësore në vlerë deri në 50 mijë euro, nuk do t’i nënshtrohen tatimit në pronë.
“Fermeri vendos vetë se cilën njësi bujqësore që arrin vlerën deri në 50 mijë euro, dëshiron ta lirojë nga tatimi. Kërkesa për lirim bëhet në komunën përkatëse, ku gjendet parcela”, sqaron ministria.
Vehapi, i cili kultivon kryesisht grurë, thotë se kjo është e pamjaftueshme, pasi, siç shprehet, çdo hektar toke që e punon në komunën e tij, llogaritet mbi 50 mijë euro.
Derisa fushata e korrje-shirjeve pritet të nisë në më pak se dy muaj, Vehapi thotë se është duke u hamendur nëse, vitin e ardhshëm, do të vazhdojë ta mbjellë sipërfaqen e njëjtë të tokës, apo do ta zvogëlojë atë.