Ish-sekretari britanik i mbrojtjes, Lordi Mark Lankaster si raportues për Ballkanin Perëndimor, ka cituar një raport të hartuar nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave për ngjarjen e 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit, në veri të Kosovës.
Ndër tjerash ai ka zbuluar faktin se KFOR-i ka negociuar largimin e pjesës më të madhe të pjesëtarëve të grupit terrorist që shkaktoi vrasjen e një e një polici të Kosovës dhe plagosjen e një tjetri. Këto fakte Lordi Lankaster i parashtroi në komisionin për mbrojtje e siguri, i cili u mblodh të shtunën, në ditën e parë te mbledhjes 3 ditëshe të asamblesë së NATO-s, ku në rend të ditës të hënën është edhe avancimi i statusit të Kuvendit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare të asociuar.
“Zyrtarët e KFOR-it negociuan tërheqjen e pjesës tjetër të grupit në pyjet përreth, ku ata ishin zhdukur. (ICG, 2024). Autoritetet e Kosovës besojnë se potencialisht qindra sulmues të tjerë po fshiheshin në pyjet mes Banjskës dhe kufirit serb dhe ata zbuluan një arkivë të madhe armësh të gatshme për të shkaktuar dëme dhe viktima. Kjo përfshinte raketat anti-tank, granata hedhës, minat anti-tanke dhe 24 makinat (njëra e blinduar) (ICG, 2024)”, thuhet ndër tjerash në raportin e NATO-s.
E lidhur më këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur profesori dhe doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi.
“Rasti i Banjskës është tashmë një ngjarje që ve nën akuzë edhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, si edhe politikanë të tjerë të lartë të Serbisë si Vulin e të tjerë. Udhëheqësi i grupit terrorist ishte Milan Radoiçiq, një mik dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Vuçiq dhe Vulin, i cili ende sot mbas tetë muajsh qëndron në liri në territorin e Serbisë. Se KFOR ka negociuar largimin e numrit më të madh të grupit terrorist të Banjskës, kjo u pa që atë ditë. Media, por edhe ne kemi theksuar asokohe se terroristët që largoheshin në qetësi të plotë nga vendngjarja ishin të sigurt në lëvizjet e tyre, pasi që dikush (dhe KFOR-i mendohej) kishte dhënë lejen dhe garancitë për atë largim. Terroristët në largim i kemi parë se si lëviznin, sikur të ishin turistë”, shprehet Bytyçi.
Prof. Dr. Enver Bytyçi
Sipas tij, duhet besuar se negociatat e KFOR-it nuk kanë qenë me Serbinë dhe shtabin e organizimit të atij terrori, por me policinë e ndoshta edhe me qeverinë e Kosovës.
“Autoritetet e Kosovës janë pajtuar në negociatë që grupi terrorist serb të largohej pa u sulmuar prej policisë së Kosovës. Kjo u pa në shumë aspekte, nëse kujtojmë dinamikën e atyre ngjarjeve. Policia e Kosovës i kishte në shënjestër terroristët në Kishë dhe oborrin e saj. Madje i kishte në shënjestër edhe terroristët që largoheshin në qetësi dhe në bende të hapura pa maskim. Megjithatë policia e Kosovës nuk qëlloi mbi ta. Nuk qëlloi edhe pse ishte vrarë një nga kolegët e tyre dhe ishte plagosur një tjetër”, shton Bytyçi.
“Në përplasjen me policinë u vranë në fillim tre prej terroristëve. Më pas gjithçka u relaksua në kuptimin e mosveprimit. Në fakt, po të qëllohej nga policia e Kosovës kishte mundësi që disa pelegrinë në kishë të bëheshin viktima të sulmit në vazhdim. Nëse do të ndodhte kjo, atëherë Serbia do ta përdorte ngjarjen për ta akuzuar policinë e Kosovës. Por fatmirësisht, profesionalizmi i policisë kosovare ishte perfekt. Asnjë viktimë e pafajshme. Asnjë veprim në gjaknxehtësi. Asnjë akt jashtë komandës qendrore! Kjo e ka lehtësuar negocimin midis KFOR dhe policisë së Kosovës. Për pasojë terroristët u larguan në drejtim të Serbisë”, shpjegon profesor Bytyçi për “Bota sot”.
Më tej ai thotë se Radojeçiq edhe sot bën përpjekje për sulme terroriste në Kosovë.
“Ndërkohë ministria e Punëve të Brendshme dhe komanda e policisë së Kosovës dëshmoi para gjithë botës fajësinë e Serbisë dhe të Listës Srpska për ngjarjen e aktit terrorist në Banjskë. Por kreu i atij grupi terrorist, Milan Radoiçiq, ende edhe sot lëviz i lirë në Serbi, madje në përpjekje për të përsërit akte të tjera terroriste në territorin e Kosovës, sidomos në veri të vendit”.
Por pse KFOR-i negocioi largimin e pjesëtarëve të këtij grupi terrorist?
“Logjika na e thotë se komuniteti ndërkombëtar kishte dhe vazhdon të ketë shqetësim përshkallëzimin e një konflikti Kosovë-Serbi. Nëse do të vazhdonte beteja, pra konflikti midis policisë dhe grupit terrorist, nëse do të kishte viktima të tjera, atëherë tensionet natyrshëm se do të ishin më të mëdha. Për pasojë mund të përshkallëzohej dhe do të dilte jashtë kontrollit situata. Është rregull që konfliktet të mbahen nën kontroll. Negociatat janë e vetmja mënyrë e ruajtjes së kontrollit në konflikte të tilla. Nuk shoh arsye tjetër veç kësaj. Por unë besoj se ujdia e KFOR-it me policinë e Kosovës ka shërbyer që në aspektin e marrëdhënieve ndërkombëtare të forcohej pozicioni i Kosovës”, shprehet Bytyçi.
Siç thotë Bytyçi, ngjarja dhe akti terrorist i Banjskës është moment kthese, sepse ndryshe diplomacia serbe kishte marrë revansh të madh në kancelaritë euro-amerikane.
“Ky ishte një sukses jo i vogël, në kushtet kur qeveria e Kosovës po akuzohej për tensionim të situatës në veri me celebrimin e kryetarëve të komunave. Megjithatë deklaratën e sotme në Sofje në mbledhjen e këtij komisioni e shoh si shenjë pozitive për vendimin që do të merret të hënën për t’i dhënë Kosovës statusin e vendit të asocuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.
Nga ana tjetër, KFOR-i ka hedhur poshtë pretendimet në një raport të Grupit Ndërkombëtar të Krizave se misioni paqeruajtës i NATO-s negocioi për tërheqjen e një pjese të grupit të sulmuesve të armatosur serbë në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Përmes një deklarate, KFOR-i thotë se ky pretendim është i pasaktë.
“Grupi Ndërkombëtar i Krizave së fundmi publikoi një raport të titulluar “Kosova e Veriut: Pohimi i sovranitetit mes besnikërisë së ndarë”. Në rrëfimin e tij për dhunën që ndodhi në Banjskë në shtator 2023, raporti thotë se: “Duke pasur frikë nga një gjakderdhje, KFOR-i negocioi tërheqjen e grupit [luftëtarëve serbë] në pyjet përreth, nga të cilat ata u shkrinë”. Kjo është e pasaktë. Në asnjë moment KFOR-i nuk ishte i përfshirë në negociatat e supozuara”, thuhet në deklaratë.
KFOT-i thotë se ishte koordinuar me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) për ta rivendosur sigurinë në atë zonë, pasi ishte thirrur për ta përforcuar praninë atje.
“Dhuna që ndodhi në Banjskë erdhi pas një sulmi kundër paqeruajtësve të KFOR-it në maj të vitit 2023, i cili rezultoi në plagosjen e 93 pjesëtarëve të personelit të KFOR-it, disa prej të cilëve pësuan lëndime të rënda”, thuhet në deklaratë.
KFOR-i rikujton kërkesën e NATO-s për vënien para drejtësisë të autorëve të atij sulmi.
“NATO ka mbajtur gjithmonë qëndrimin se faktet duhet të vërtetohen dhe autorët duhet të përballen me drejtësinë. Pas dhunës, NATO ka dislokuar rreth 1000 paqeruajtës shtesë dhe forca të blinduara më të rënda në Kosovë. Ky ka qenë përforcimi më i madh i kontingjentit tonë në Kosovë në një dekadë; dhe kjo tregon se NATO është e gatshme ta ruajë paqen”, thuhet në deklaratë.
Në fund, KFOR-i përsërit, si zakonisht, se vazhdon ta zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.