Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim dhe Evropë (OSBE) në Kosovë, dhe Zyra e Bashkimit Evropian, e kanë mirëpritur të hënën opinionin ligjor të përgatitur prej Këshillit të Evropës (KiE) – i cili nuk është bërë publik – rreth projektligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM).
I ashtuquajturi Projektligj për Komisionin e Pavarur të Mediave, është miratuar nga Qeveria e Kosovës më 27 dhjetor të vitit të kaluar, dhe është dërguar për miratim në Kuvendin e Kosovës, ku është miratuar në lexim të parë.
Ky projektligj, mes tjerash, parasheh licencimin e mediave online, monitorimin e tyre dhe gjoba deri në 40 mijë euro.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK) i patën bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të heqë dorë menjëherë prej ndryshimeve në projektligj, pasi diçka e tillë ishte konsideruar “sulm mbi mediat”.
Misioni i OSBE-së dhe i BE-së kanë thënë se mbështesin qëllimin e projektligjit për të harmonizuar legjislacionin e Kosovës me dispozitat përkatëse të BE-së, duke përfshirë Direktivën e shërbimeve audio-vizuale, por, “siç thekson raporti i Këshillit të Evropës, nevojitet më shumë punë në draft për të siguruar që ai mos të nënvlerësojë pavarësinë e KPM-së dhe as të mos krijojë mospërputhje ligjore”.
Dy trupat i kanë bërë thirrje Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale, Media dhe Zhvillim Rajonal të Kuvendit të japë hapësirë për shqyrtimin e duhur të raportit dhe konsultimin me palët e interesit të sektorit të medias, në mënyrë që rekomandimet e tij më pas të pasqyrohen në një draft të ri.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, i pati thënë thënë Radios Evropa e Lirë se ligji i ri buron prej direktivës së BE-së.
“Ai parasheh rregulla të njëjta të veprimit për shërbimet mediale audiovizuele, të cilave u nënshtrohen edhe televizionet private dhe publike”.
Aktualisht, tekstet e publikuara në mediat online monitorohen nga Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës. Ai nuk gjobit mediat për gabimet e tyre, por merr vendime për ankesat e bëra ndaj mediave dhe më pas vendimet e Këshillit mund të përdoren për të ngritur padi civile ndaj mediave nëpër gjykatat e Kosovës.
Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) – i themeluar në vitin 2005 – është organ kompetent për rregullimin, menaxhimin dhe mbikëqyrjen e spektrit të frekuencave të transmetimit në Republikën e Kosovës.
AGK-ja funksionon si shoqatë joprofitabile, ndërsa KMSHK-ja është trup vetërregullues.
Diskutimi në Komisionin për Media të Kuvendit të Kosovës
Deputetët e Komisionit për Media të Kuvendit të Kosovës janë zotuar të hënën se do ta marrin parasysh edhe opinionin e Këshillit të Evropës.
“Opinioni ligjor e ndihmon Komisionin që çështjet që do të kalojnë do ta kenë edhe një filtër nga Këshilli i Evropës”, ka thënë Valon Ramadani nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.
Deputeti Mërgim Lushtaku i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ka thënë se Komisioni duhet të ketë kujdes “tek pjesa që kemi ngritur shqetësimet tona, te ndalimi i partive politike që të themelojnë televizione, besoj që kjo e vret median e lirë”.
Kosova ka shënuar regres sa i përket lirisë së mediave, sipas organizatës joqeveritare Reporterët pa Kufij.
Në Indeksin e saj Botëror të Lirisë së Shtypit për vitin 2024, Kosova renditet e 75-ta nga 180 shtete, apo 19 vende më poshtë sesa vitin paraprak, kur mori vlerësimin më të mirë në një dekadë e gjysmë./REL