24-vjeçari Jurgen Veshi humbi jetën tragjikisht të martën e kaluar, teksa ishte duke punuar në gurore në fshatin Brataj të Selenicës, kur një masiv guri u shkëput nga mali dhe e zuri poshtë. I riu punonte me skrep në gurore, por në momentin e aksidentit ka qenë duke rregulluar mjetin e punës.
I riu bënte punë të rëndë në gurore për të mbajtur familjen me 6 anëtarë. Jurgen Veshaj jetonte prej 15 vitesh në fshatin Brataj të Selenicës, ndërsa kishte ardhur në këtë fshat nga Dibra. Nëna dhe njerku janë të pa punë, ndërsa vëllezërit dhe motra në shkollë.
Familjarët dyshojnë se ngjarja nuk është aksidentale, por ka ardhur si pasojë e pakujdesisë së kolegëve të tij dhe mungesës së kushteve të sigurisë.Gjyshja e tij është shprehur në emisionin “Me Zemër të Hapur” se janë mosbesues ndaj deklaratave që janë bërë lidhur me vdekjen e Jurgenit, madje vëllai i tij është kthyer sërish në vendin e ngjarjes dhe ka fotografuar çdo gjë me detaje.
Më tej edhe nëna e të ndjerit rrëfen me lot në sy dhe shumë dhimbje se si u braktis nga bashkëshorti i saj i parë (babai i Jurgenit). Ajo tregon se djalin e ka rritur me të afërmit e saj dhe që i vogël Jurgeni ka punuar për të ndihmuar familjen e tij.