Çështja e vajzës keniane Xhoi Ayoko vijon ende të zvarritet nga prokuroria. Edhe pse kanë kaluar 1 vit e 9 muaj nga ngjarja e rëndë e 13 gushtit 2022 ende autoritetet shqiptare nuk e kanë zbardhur këtë ngjarje. Prokuroria shqiptare vijon në pritje të letërporosive nga autoritetet keniane, por pa rezultat edhe pse kanë kaluar 1 vit e 2 muaj nga kërkesa e dërguar.
Prokuroria e Tiranës ka dërguar letërporosi Kenias në shkurt 2023 dhe i ka kërkuar që t’i vërë në dispozicion autopsinë që i është bërë 22-vjeçares në morgun e spitalit ku ndërroi jetë, por edhe të marrë në pyetje nënën e vajzës keniane ku do t’i përgjigjet disa pyetjeve lidhur me ngjarjen, por edhe për disa sende të Joyt, si laptopi të cilin Ruth Abongo e ka marrë me vete në Kenia.
Edhe vetë nëna e Xhoit prej kohësh i ka dërguar email autoriteteve keniane lidhur me letërporosinë, por ende nuk i kanë kthyer përgjigje.
Po ashtu, mediat kanë kontaktuar nga nëna e vajzës keniane. Ruth Abongo deklaron se pak kohë më parë, një adresë me emër “fake” në facebook e quajtur “bashkia” i ka shkruar Ruth Abongos duke iu prezantuar si një “agjenci” që po investigon çështjen e Xhoit duke i thënë se “po kryejnë hetime për vrasjen me qëllimin që të bëhet drejtësi“. Kjo adresë “fake” e pyet Ruth Abongon se “ku dyshon për autorin” dhe i përmend shoferin e kazinosë nëse është i përfshirë në krim, Ruth Abongo i thotë që po.
Më pas adresa anonime i shkruan se “shoferi mund të jetë shtyrë edhe nga persona të tretë”, dikush që ka njohur qëllimet e tij ndaj Xhoit. Në fund i thotë që do përpiqen të konfirmojnë teorinë e tyre sa më shpejt lidhur me të vërtetën. Nëna e vajzës nuk i beson për identitetin dhe qëllimin dhe mundohet ta marrë me video kamera këtë adresë, por kjo adresë ia bllokon telefonatën dhe mbyllet farë si account në Facebook.
Sipas nënës së Xhoit ajo dyshon se personi që i shkroi në këtë adresë mund të jetë një nga autorët, bashkëpunëtorët apo ndonjë i penduar i përfshirë në ngjarjen e rëndë. Nuk përjashtohet as mundësia që mund të jetë ndonjë tentativë për të penguar dhe devijuar hetimet apo për të marrë informacion rreth çështjes nga nëna e Xhoit.
Kujtojmë se që prej 14 gushtit të vitit 2022 vajza nga Kenia u shtrua për kurim në spitalin e Traumës, pasi u dhunua brutalisht dhe u hodh nga kati i dytë i banesës ku jetonte në rrugën “Pandeli Evangjeli” në Tiranë. Pas 6 muajsh në spital, Xhoi u kthye në vendin e saj në Kenia aty ku edhe ndërroi jetë në spitalin Keniatta.
Rasti i dhunimit të 22-vjeçares solli në Tiranë edhe përfaqësues të ambasadës keniane në Itali. E reja punonte në një kazino të Tiranës ku jetonte prej kohësh së bashku me disa shoqe të saj nga Kenia.