Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kurti priti në takim bordin e Dhomës Ekonomike Zvicër-Kosovë

 
   

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga Ministrja për Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Rozeta Hajdari, zhvilluan sot një takim me anëtarët e Dhomës Ekonomike Zvicër-Kosovë.

Sipas komunikatës për medie, kjo shoqatë e themeluar në vitin 2013, luan rol kyç në nxitjen e marrëdhënieve tregtare dhe investimeve ndërmjet dy vendeve tona, duke ofruar mbështetje të vazhdueshme për kompanitë në aktivitetet e tyre komerciale dhe duke vepruar si një katalizator për zhvillimin ekonomik.

“Gjatë takimit, u diskutua për politikat më të fundit industriale dhe tregtare, rëndësinë e diasporës së Kosovës në Zvicër, për procesin e sapo përfunduar të regjistrimit të popullsisë, dhe progresin e deritanishëm në zbatimin e sistemit të arsimit dual. Ky i fundit, cilësohet nga qeveria me prioritet të lartë, si sistem kyç për ndërlidhjen e tregut me fuqinë punëtore. Aktualisht janë 12 profile të ndryshme të arsimit dual në 14 komuna përreth vendit, me pritshmërinë që në qershor të vitit të ardhshëm të dalin të parët absolventë me një çertifikatë të zyrtarizuar të përfundimit të arsimit. Më tej, kryeministri Kurti theksoi se Zvicra ishte ndër shtetet e para që njohu pavarësinë e Republikës së Kosovës më 27 shkurt 2008 dhe se ka qenë e mbetet një ndër investitorët kryesor në Kosovë, me vlerë investimesh direkte prej rreth 1.1 miliardë euro nga viti 2007 deri në fund të vitit 2023 dhe se Zvicra renditet si vendi i dytë për sa i përket eksporteve më të mëdha të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Gjatë bisedës u nënvizua poashtu që deri më tani, Kosova dhe Zvicra kanë nënshkruar 18 marrëveshje të ratifikuara, 6 nisma për marrëveshje ndërkombëtare që mbulojnë bashkëpunimin teknik dhe financiar, aviacionin civil, lëvizjen e lirë të personave dhe mallrave, tregtinë, mbrojtjen e investimeve dhe sigurimet shoqërore.