Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Dyshimet për mashtrim të pensionistëve, Policia nis hetimet

 
   

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka pranuar autorizim nga prokurori lidhur me dyshimet mbi mashtrimet e mundshme ndaj pensionistëve.

Në komunikatë thuhet se njësitet relevante policore kanë ndërmarrë veprime hetimore lidhur me këto dyshime.

PK i ka bërë thirrje pensionistëve që të mos bien pre e mashtrimeve të mundshme dhe për çdo rast ta njoftojnë Policinë.

“Policia e Kosovës, me datë 13 maj 2024 ka pranuar autorizim nga Prokurori kompetent lidhur me dyshimet mbi mashtrimet e mundshme ndaj pensionistëve të Republikës së Kosovës. Bazuar në autorizim dhe në informacionet e siguruara, njësitet relevante policore kanë ndërmarrë veprime hetimore lidhur me dyshimet për mashtrimet e mundshme ndaj pensionistëve të RKS-së. Policia e Kosovës po i trajton të gjitha informacionet relevante, përderisa të gjitha veprimet në vazhdim do ti ndërmerr në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, andaj njëkohësisht iu bën thirrje të gjithë qytetarëve/pensionistëve që të mos bien pre e mashtrimeve të mundshme, dhe për çdo rast të dyshuar ta njoftojnë Policinë e Kosovës, në stacionet më të afërta policore apo në numrin (192) dhe [email protected].”

Më 3 prill të këtij viti, Ministria e Financave kishte paralajmëruar përfituesit e skemave pensionale që të kenë kujdes për disa informata të rreme që po qarkullojnë.

“Sipas informatave që kemi siguruar, persona të papërgjegjshëm janë duke kërkuar dokumentacion dhe autorizim nga pensionistët me premtimin se do t’u sigurojnë përfitimin e shumave të caktuara monetare”, kishte njoftuar Ministria e Financave përmes një komunikate.

MF-ja kishte thënë se informatat e tilla nuk janë të sakta dhe konsistojnë në informatë të rremë me tendencë të mashtrimit.

“Andaj, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve fton qytetarët të kenë kujdes nga informatat e rreme që po qarkullojnë këto ditë që për theks kanë keqinformimin e përfituesve të skemave pensionale në Kosovë. Po ashtu, ftojmë përfituesit e skemave pensionale që të kenë kujdes lidhur me dokumentacionin dhe autorizimin e bërë tek palët e treta, meqë mund të cenohet privatësia e të dhënave të tyre”, thuhej në njoftim.

MF-ja kishte kërkuar nga përfituesit e skemave pensionale që të ndjekin vetëm njoftimet zyrtare dhe t’i shmangin njoftimet e shërbimet e tjera jozyrtare.