Analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Gani Qarri në një prononcim për gazetën “Bota sot” e ka komentuar situatën politike në Kosovë, si dhe thirrjet për zgjedhje të reja.
“Siç dihet edhe nga opinioni, mandati i rregullt ligjor i Qeverisë aktuale përfundon në shkurt të vitit të ardhshëm, por duke pasur parasysh debatet e zhurmshme që gjithnjë e më intensivisht zhvillojnë partitë opozitare, për zgjedhje të parakohshme, me arsyetimin për keqqeverisje, edhe Kryeministri Kurti nuk e ka kundërshtuar idenë e shkuarjes në zgjedhje të reja, por me kushtin që nëse në rend dite do të paraqitej mocioni për zgjedhje me shpërndarjen e Kuvendit, të dakordohen partitë opozitare, për mënyrën se si do të votonin. E thënë realisht, siç u pa edhe në takimin e grupeve parlamentare të Kuvendit të Kosovës, që u mbajt në fillim të javës, aty nuk bëhet fjalë më vetëm për mos-dakordimin pozitë-opozitë, por u pa hapur se nuk ekziston dakordim as ndërmjet partive opozitare PDK,LDK, AAK, mbi metodat e votimit, gjë që edhe u bë shkas për mossukses, për të arritur një kompromis, mbi mënyrën e shkuarjes në zgjedhje të reja parlamentare”, shprehet Qarri.
Sipas tij, afrimi i Vetëvendosjes së fundi me PDK-në, lë mundësinë e hapur të një koalicioni pas zgjedhor mes këtyre dy partive.
“Në anën tjetër, e vetmja parti që mori pjesë në takimin e ftuar nga kryeministri Kurti, ishte PDK, akt që unë e shoh edhe si një afrim të kujdesshëm të Lëvizjes Vetëvendosje me PDK-në, si dhe veprim të paramenduar, që lë të hapur rrugën edhe për një koalicion të mundshëm të VV-së me PDK-në, i cili edhe nëse ndodhë, atëherë vetëm pas mbajtjes së zgjedhjeve të reja, për formimin e një qeverie të përbashkët, e cila do të ishte në gjendje të përballet me sfidat që e presin Kosovën, në katër vitet e ardhshme, kur zgjedhjet në Evropë dhe SHBA, mund të sjellin ndryshime të mëdha në qeverisje të vet shteteve përkatëse dhe qëndrime të politikave të jashtme, të cilat nuk pritet të jenë të lehta për Kosovën”, shton Qarri, i cili paralajmëron goditje për VV-në në rast së lidhin koalicion me PDK-në.
“Përndryshe LVV dhe vet kryeministri Albin Kurti, është mese e pritshme se do të pësonin një goditje të rëndë, tek votuesit besnik të kryeministrit dhe VV-së, në rast se do të hynte në koalicion me PDK-në, akt të cilit do të përpiqet ti ikë, me çdo kusht VV dhe veçanërisht kryeministri Kurti! Madje në kuadër të fushatës së filluar parakohshëm elektorale, ku veçanërisht PDK dhe LDK, si dy partitë më të mëdha opozitare, po i bëjnë konkurrencë, jo kryeministrit Kurti, as Qeverisë, por njëra tjetrës, që të dyja kanë shpërfaq moton e habitshme të “Zotimit” për formimin e asociacionit një etnik serb, me kamuflimin e “rishkrimit” të një draftstatuti të ri, në përpjekjet shumë zhgënjyese dhe tepër të dyshimta edhe për vet votuesit më besnik të këtyre partive”, deklaron Gani Qarri.
“Për aq më tepër, me shpresën për rikthim me çdo kusht në pushtet, udhëheqësit e ri të këtyre dy partive, me apo ,pa vetëdije, kanë marrë mbi vete edhe tërë përgjegjësitë e ish liderëve Hashim Thaçi e Isa Mustafa, që me nënshkrimet në vitet 2013 e 2015 dhe miratimin e asociacionit, kësaj ngrehine të shpifur, bashkë me listën serbe edhe në Kuvend, e cila rrezikon që në themel shtetin e Kosovës, po e dekonspirojnë tërësisht edhe vetveten. Kjo për vet faktin, se të dyja këto parti politike edhe pse ishin për disa vjet në bashkëqeverisje, kurrë nuk kanë ndërmarr asnjë veprim për implementimin e marrëveshjes së nënshkruar nga Thaçi dhe Isa Mustafa, nuk kanë vepruar as për ta korrigjuar asociacionin e firmosur prej tyre dhe as nuk e kanë harmonizuar atë në përputhje me vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila ka konstatuar, se mbi 23 pika, bien hapur ndesh me Kushtetutën dhe nuk janë aspak në përputhje me ligjet e Republikës së Kosovës”, shpjegon Qarri.
“Kështu që proklamimi i PDK-së dhe LDK-së, për formimin e asociacionit një etnik serb, nuk do të jetë aspak popullor dhe për aq më tepër, edhe fare i papranueshëm, jo më, vetëm për opinionin publik, por zotimi i këtyre dy partive politike që ti japin edhe fuqi zyrtare asociacionit një etnik serb, do të jetë ngarkesë tepër e madhe edhe për vet popullin e Kosovës, dhe si i tillë do refuzohet kategorikisht edhe nga votuesit potencial të vet këtyre dy partive, andaj Memli dhe Lumiri, kot mendojnë, se përmes kamuflimit me rishkrim të statutit, do ta formojnë asociacionin një etnik serb dhe qytetari shqiptar përsëri do të mashtrohet dhe pikërisht PDK-së dhe LDK-së, të cilat e kanë miratuar bashkë me listën serbe edhe në Kuvend zajednicën”, do t`ua besojë qeverisjen në mandatin e ardhshëm. Kjo, mendojë, se nuk besojnë as ata vet, se mund të ndodhë në Kosovë!”, përfundon Gani Qarri për “Bota sot”.