Lidhja Demokratike Kosovës është duke e mbajtur mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm me të gjithë anëtarët që vijnë nga të gjitha qytetet e Kosovës.
Në fjalën e tij, kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të Qeverisë Kurti, duke theksuar se kjo qeverisje ka çuar deri në shkatërrimin e vendit, teksa bëri thirrje për zgjedhje.
“Kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme të qeverisë si përgjegjëse e vetme e rrënimit të shtetësisë, rrënimit të pjesës ekonomike dhe egzotit të popullsisë. Fillimisht dorëheqja më pas shpërndarja e në fund zgjedhjet. Ky është qëndrimi i LDK – së”, ka thënë Abdixhiku
Ai po ashtu tha se qëllimi i këtij tubimi është e ardhmja e Kosovës, e cila sipas Abdixhikut në kushtet e tanishme është e zymtë.
“Jemi mbledhur sot këtu në mbledhjen e dytë të Këshillit të Përgjithshëm, jemi bërë bashkë jo si përfaqësues më të lartë të kësaj demokracie, por si veprimtarë dhe veprimtare të dedikuar për vendin tonë të bashkuar për të ardhmen e përbashkët. E ardhmja sot duket e zymtë, e trishtë. Ajo thërret për angazhimin tonë momental si garantues të vetëm të shtetësisë të dedikuar për vendin tonë të përbashkët”, është shprehur ai.
Sipas Adixhikut, Qeveria Kurti nuk ka arritur zgjidhjen e problemeve në asnjë fushë e sidomos në atë ndërkombëtar, duke i quajtur, siç është shprehur ai, si “të paaftë”.
“Tani rrugëtimi euroatlantik, zhvillimi ekonomik nuk kanë gjasë siç u pa tash e tri vite e gjysmë me këtë pushtet populist e majtist. Për popullin e Kosovës janë të mjaftueshme tri vite për të kuptuar jo vetëm mënyrën e bërjes politikë por edhe aftësinë, përkatësisht paaftësinë fondamentale për moszgjidhjen e problemeve sidomos atyre nacionale” tha Abdixhiku.
Sipas kryetarit të LDK-së, tash e tri vite Kosova është duke e përjetuar një dështim të madh e cila vjen si pasojë e keqqeverisjes së partisë së Vetëvendosjes.
“Sot na duhet të reflektojmë për të ardhmen sepse ajo na vjen si projeksion i këtyre tri viteve, i një dështimi spektakular në ekonomi, mirëqenie, arsim, shëndetësi, diplomaci dhe në vetë orientimin tonë euroatlantik. Pra si rrezik para së cilit duhet të qëndrojmë përgjegjës si gjeneratë politike, si popull dhe si shoqëri. Tre vite e gjysmë më parë populli i Kosovës i dha këtij pushteti besim të plotë pa shoq politik, i dha shumicën e pa kontestueshme parlamentare dhe të drejtën e marrjes së vendimeve vetë. Me këtë shumicë i dha të gjitha përparësitë e një shteti stabil me fuqi politike si asnjë pushteti më parë”, tha ai.
Abdixhiku gjithashtu tregoi edhe për hapat që do t’i ndërmerr kjo parti në vazhdim nëse vijnë në pushtet.