Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Prokuroria parashtron ankesë kundër vendimit të gjykatës për lirimin e Skender Hysenit nga akuza për mosraportim të pasurisë

 
   

 Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Skender Hyseni, ishte liruar nga akuza për mosraportim të pasurisë.

Lajmin për “Betimi për Drejtësi”, e bëri të ditur zëdhënësja e kësaj Prokurorie, Laureta Ulaj.

“Ju njoftojmë se, prokurori i rastit ka paraqitur ankesë kundër aktgjykimit të nxjerrë nga gjykata kompetente lidhur me këtë çështje penale”, thuhet në përgjigjen e Ulajt.

I kontaktuar dy ditë më parë nga “Betimi për Drejtësi”, mbrojtësi i Hysenit, avokati Fatlum Podvorica tha se nuk ka pranuar ende zyrtarisht ankesë nga ana e Prokurorisë.

Hyseni akuzohej se në cilësi të Koordinatorit Shtetëror për Dialog në Zyrën e Kryeministrit, nuk e ka deklaruar veturën e tipit “Volkswagen”, në vlerë 13 mijë e 300 euro, në pronësi të bashkëshortes së tij.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 5 dhjetor 2023 kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj Hysenit, me arsyetimin se nuk është provuar se ka kryer veprën penale për të cilën ngarkohej.Sipas aktgjykimit të plotë të Themelores, thuhet se duke vepruar në zbatimin e drejtë dhe të saktë të dispozitave ligjore, me bindje të lirë, Gjykata në mungesë të provave ka ardhur në përfundim se me veprimet e tij, nuk është provuar se Hyseni ka kryer veprën penale.

Ndryshe, për këto akuza, Skender Hyseni, ishte deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur më 12 janar 2022. 

Ndërsa, Gjykata Themelore në Prishtinë me aktvendimin e 23 shkurtit 2022 e kishte refuzuar si të pabazuar kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimet e provave të ushtruar nga mbrojtësi i të pandehurit, me arsyetimin se provat e grumbulluara japin bazë të mjaftueshme për dyshim të bazuar mirë se i pandehuri ka kryer veprën penale e cila i vihet në barrë dhe ka bazë për ngritjen e aktakuzës aktuale.

Kundër këtij aktvendimi, brenda afatit ligjor ankesë ka ushtruar mbrojtësi i të akuzuarit Hyseni, avokati Podvorica për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale, zbatimit të gabuar të ligjit penal dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike. Ndërsa, Prokurori i Apelit kishte propozuar që ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit të refuzohet si e pabazuar, kurse aktvendimi i ankimuar të vërtetohet.

Kurse, Gjykata e Apelit e kishte konfirmuar aktakuzën ndaj të akuzuarit Hyseni, kurse kërkesa e avokatit Podvorica është refuzuar si e pabazuar.

Sipas aktakuzës së përpiluar në dhjetor të vitit 2021, Prokuroria Themelore në Prishtinë e ngarkonte Skender Hysenin se në formularin për deklarim të pasurisë nuk ka paraqitur të dhënat e kërkuara, duke mos deklaruar një veturë të tipit “Volkswagen”, në vlerë 13 mijë e 300 euro, në pronësi të bashkëshortes së tij.