Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Nëse nuk arrestohet nusja, nuk gjendet asnjëherë…”/ Vrasja e 27-vjeçarit Osman Berberi, çfarë zbulohet nga përgjimet

Emisioni Në Shënjestër në News24, i gazetares Klodiana Lala, ka hedhur dritë mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur në shkurt të vitit 2009, kur u gjet i masakruar Osman Berberi, në atë kohë vetëm 27 vjeç.

Babai i një vajze katërvjeçare, që thuhet se u rrëmbye mesditën e datës 19 shkurt 2009. Nga persona të veshur si policë, brenda një lokali, fare pranë banesës së tij në Kodër Kamëz. Vetëm pak orë, pasi një telefonatë urgjente, e kishte nxjerrë herët në mëngjes nga banesa.

Për herë të parë emisioni ‘Në shënjestër’, pas kaq shumë vitesh, do të përpiqet të hedhë edhe njëherë dritë mbi rrëmbimin, torturimin dhe mënyrën se si gjet i masakruar, 27 vjeçari, Osman Berberi, më datë 28 shkurt 2009, rreth orës 11.00 të mesditës, në këmbët e ‘Urës me Harqe’ në Milot, apo ndryshe e njohur si Ura e Zogut.

Halili, nuk preferoi të fliste në telefon për fatin e Osmanit, një përgjim ambiental i kryer nga grupi hetues, midis tij, gruas dhe nënës së viktimës, lë të kuptohet se bashkëshortja e Osmanit di gjithçka mbi vrasjen e partnerit të saj.

Biseda të cilat emisioni ‘Në shënjestër’, po i sjell të redaktuara.

Përgjimi

Më datë 18 Nëntor 2009 në banesën e tyre në qytetin e Durresit është kryer një përgjim ambjental ndërmjet shtetases Diamanta Hima, Halil dhe Hane Bushkashi.

Diamanta- Ai çun iku, unë dua të di kush ma bëri dhe ku ma kanë vrarë.

Nuk e nxjerr llafin në këtë dynja, sa të jem gjallë. Ti vetëm më kallëzo drejt.

Halili- Ai ka qenë një nga çunat më të mirë, më të respektueshëm. Duhet kapur nga koka puna.

Diamanta -Për një ngatërresë nuk të vret kush në atë farë feje.

Halili- Nëqoftëse nuk arrestohet e shoqja, nuk gjindet asnjëherë.

Vetëm e shoqja e di se kush e ka vra.

Diamanta- Po s’të vret njeri për një konflikt dhe një dashnor, s’të vret kush!

Hane- Nusja, pra, ky është duke të ta thënë prerë, nusja. Gruaja i di të gjitha.

Halili- Ta marrin nusen e atij, që është mbesa ime, ta arrestojnë, ti futin hekurat, kur ti nxjerrë.

Sipas shënimit të lënë në fund të këtij përgjimi, policia del në konkluzionin se bashkëshortët Bushkashi, kanë dijeni mbi vrasjen e Osmanit.

Dhe këtë e lidhin me konfliktin që çifti kishte midis tyre.

Shënim i cili përforcohet edhe nga një përgjim tjetër, këtë herë midis Halilit dhe bashkëshortes së tij.

Të cilët kujdesen që të mos i tregojnë grupit hetues, detaje mbi atë çfarë ata dinë apo kanë dëgjuar mbi vrasjen.

Por ta mbyllin këtë punë duke thënë se ai, pra Osmani, ishte djalë i mirë dhe ata s’dinë kurrë gjë për vrasjen e tij.

Përgjime daja i Odetës, nuses së Osmanit

Gjithashtu janë kryer veprime me teknikën operative (ambientale) ndërmjet dajës së bashkëshortes së Osman Berberit, Odeta Berberi (Xhani), Halil Bushkashi dhe bashkëshortes së tij Hane Bushkashi.

Në një moment ajo i shprehet bashkëshortit të saj Halil Bushkashit:

‘… Le që unë do them s’di gjë në atë krah, s’di gjë ku jam vetë. E njoh për çun të mirë atë dhe u lamë. Se si ka shkuar me gruan, mirë apo keq, unë s’di gjë..’

Ndërsa Halil Bushkashi shprehet ‘…Po ajo qenka trapë, nuk duhet marrë njeri nëpër gojë. Duhet të marrë nusen e djalit ta çojë atje. Ajo i qit të gjitha…’

Por duke iu kthyer edhe njëherë te përplasja që Osmani kishte me bashkëshorten e tij, për shkak të asaj që ai e cilësonte si imoraliteti i familjes së saj, është me vend t’i kthehemi edhe njëherë historisë së motrës së bashkëshortes së tij.

Të cilën ai pati rrëfyer se e gjeti duke zbritur nga një motel të shoqëruar me personin me emrin Kujtim.

Person, që pas verifikimeve të tij, rezultoi të jetë bashkëshorti i vajzës së tezes së babait të saj.

I cili jetonte në qytetin e Laçit.

Aty ku Aurora, motra e Odetës, bashkëshortes së Osmanit, ishte strehuar për disa kohë.

Histori e cila, duket shumë më e komplikuar se kaq, po t’i besojmë rrëfimit të mëtejshëm në polici, të nënës së viktimës.

***

Aurora ka ndejtur 2-3 vjet tek vjehrra e Kujtimit nga Laci e cila është dhe tezja e babait të saj, Veli Xhani. Kur gruas së Kujtimit, pra Tashës, i ranë në vesh disa fjalë të Aurorës në lidhje me Kujtimin, atëherë Xhahrija e cila punon në zyrën e gjendjes civile të qytetit të Laçit, e përzuri nga shtëpia Aurorën.

Dua të shpjegoj edhe diçka tjetër në lidhje me Alban Skonjën.

Dy javë para se Osmani të kthehej nga Greqia, Luçiana Xhani i kishtë dhënë Alban Skonjës, vajzën e saj, Aurorën me vete në kohën që ky i fundit ishte në kërkim nga policia, dhe banonte në një shtëpi me qira në qytetin e Laçit.

Në këtë kohë Alban Skonja mbante me vete edhe një vajzë nga qyteti i Durrësit e cila ishte me origjinë nga Skrapari, të cilën e quanin Ina. e cila vinte shpesh edhe në shtëpinë e Luçianës dhe ishte prezantuar si e dashura e Alban Skonjës.

Unë pastaj i kam thënë Luçiana Xhanit, se si ia ke dhënë Albanit, vajzën tënde, Aurorën, i cili është dhe në kërkim dhe po ta kapi policia ku do të shkojë vajza jote?

Por a është përplasja me familjen e bashkëshortes, motivi i vërtetë përse Osman Berberi, u rrëmbye, u torturua dhe u vra në atë mënyrë?

Dhe a u munduan autorët e vërtetë të vrasjes, të shfrytëzonin jetën e tij të mbushur me problemeve, që kishte krijuar midis Greqisë dhe Shqipërisë, me persona të ndryshëm, me qëllim për të larguar sa më shumë pistën e vërtetë të hetimit, nga ata vetë.