EMISIONI VETTING
Adelina Preçit nga Lezha, më shumë po i kushton marrja e një dokumenti që është operuar në Spitalin e Traumës se sa vetë operacionet që ka bërë apo që kërkon të bëjë. Mosmarrja e këtij dokumenti, që i kërkohet nga mjekët kirurgë në Itali, për të vijuar kurimin, e ka dërguar Adelinën në dyert e gjykatave, për të kërkuar që të urdhërohet spitali që t’i japë kartelën klinike.
Por edhe kjo rrugë e sigurimit të kartelës së saj mjekësore iu mbyll këtë të martë në Gjykatën Administrative, duke e lënë Adelina Preçin në mëshirë të fatit…
Çfarë ka ndodhur me Adelina Preçin?
Adelina nuk e kupton ende se përse kartela e ndërhyrjes që ka bërë në Spitalin e Traumës, për vënien e protezave, nuk i jepet në dorë.
“Arsyeja që unë nuk mundet të ndërhyjë në Itali është sepse doktorët në Itali më kërkojnë letrat e Spitalit të Traumës ku unë kamë bërë ndërhyrjen. Se cila është arsyeja vetëm doktori e dinë. Mua më kërkojnë letrat në Itali për të ditur se çfarë materiale i kam protezat që i kam në kurrizin tim. Doktori që më ka operuar është Dritan Todhe. Doktorit i kërkoj letrat e spitalit që më kërkojnë që unë të kryej të gjitha ndërhyrjet e nevojshme në Itali. Mua nuk më është dhënë asnjë letër apo dokument, doktori flet me gojë dhe dokument nuk më jep…- shprehet per Vetting, Adelia Preçi.
Por, a duhet që Spitali i Traumës ta pajisë Adelinën me dokumentin që kërkon?! Mjeku Shkëlqim Ahmetaj e konsideron problematike dhe të rëndë mos pajisjen e pacientes me kartelën e saj, për më tepër që ajo i kërkon dokumentacionin për t’ia paraqitur mjekëve italianë me qëllim që të operohet atje, pasi ndërhyrja në Spitalin e Traumës jo vetëm që nuk i ka kthyer shëndetin, por përkundrazi, ja ka rënduar atë. Për Ahmetin, dhënia e kartelës futet në të drejtat ligjore të pacientit për informim.
“Më vjen keq që pacientja është vendosur në këtë situata absurde dhe të padrejtë . Në respekt të ligjit që gëzon pacienti është e drejtë universale është e detyrueshme që pacientit t’i vendoset në dispozicion e gjithë kartela mjekësore që është e depozituar në Spitalin e Tramës dhe konkretisht në statistikat e spitalit. Është në detyrimin e institucionit t’i ofrojë pacientes me kërkesën e pacientes, fotokopjen e kartelës klinike, për të gjitha ndërhyrjen, trajtimin paraprak, ekzaminimet që janë kryer deri në momentin që i sëmuri ka qëndruar në spital.
Pacientja dokumentacionin e depozituar pranë insistonit mundet ta përdori për nevojat e saj, për trajtim të mëtejshëm. Për të ditur realisht as çfarë ka ndodhur me jetën e këtyre njerëzve. Pra është detyrim ligjor e drejta e informimit të pacienti, për çfarë ka ndodhur me tepër pasoja që i kanë ardhur ndaj saj. Për shkak të mjekimit cilësorë ose jo cilësorë. Këtu mbetet vetëm thjeshtë të zbatohet ligji. Është detyrim ligjorë e drejta për të zbatuar vendimet ligjorë për çfarë ka rezultat . Për pasoja që kanë ardhur prej saj për shkak të mjekimit jo cilësor. Këtij mbetet thjeshtë të zbatohet ligji”- shprehet Shkëlqim Ahmeti.
Ndërkohë, avokatja Margarita Kola, shprehet se Spitali i Traumës e ka detyrim ligjor që t’i vërë në dispozicion pacientes kartelën mjekësore. Kola shpreh shqetësimin se mosdhënia e kartelës nuk është rast i shkëputur, si me Adelinën, por një fenomen shqetësues, që ndikon në vijimin e kurimit në qendra të tjera shëndetësore. “Çdo institucion por jo vetëm spitali edhe institucionet e tjera duhen të mbajte rekorde dhe arkiva për të sëmuret për kartelat të sëmurët apo epikriza. Në shumicat e rasteve në çështjet që unë kam ndjekur nëpër gjykata konstatoi se asnjëherë nuk ka vullnet nga ana e Spitalit që t’i jepet dosja e pacientit edhe pse është e drejte tyre për t’u njohur me dosjen mjekimet dhe procedurën që ka ndjekur spitali- shprehet avokatja Kola.
Edhe Kodi Deontologjik që është në fuqi dhe që ka të bëjë me një nga detyrimet e mjekut, e detyron këtë të fundit që t’i japë pacientit kartelën.
“Sipas nenit 34, paragrafi i dytë i kodit deontologjik, mjeku e ka për detyrë të krijojë Dosjen (kartelën) klinike individuale të të sëmurit, e cila plotësohet dhe ruhet nën përgjegjësinë e mjekut kurues si një dokument i rëndësishëm klinik, studimor-shkencor dhe juridik (mjeko-ligjor). Ai e ka për detyrë të përshkruaj në kartelën klinike qartë e kuptueshëm diagnozat, ekzaminimet dhe interpretimet e tyre, mjekimet dhe argumentat për çdo ndryshim që bën, si dhe konsultat mjekësore që kryhen për të sëmurin e Tij”- thuhet ne Kod. Madje, ky është edhe në brendësi të ligjit nr. 123/2014 për Urdhrin e Mjekëve në Republikën e Shqipërisë.
VIJON…