Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Takimi Erdogan-Kurti, presidenca turke zbardh detaje të reja

 
   

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka diskutuar të premten për lidhjet dypalëshe dhe çështje të tjera me kryeministrin Albin Kurti në kompleksin presidencial në Ankara, tha Drejtoria e Komunikimeve të Turqisë.

Në pritjen e cila zgjati 1 orë e 50 minuta, ishin të pranishëm edhe nënpresidenti Cevdet Yilmaz dhe ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Yashar Gyler.

Siç njofton zyra për informim e Presidencës turke tha se gjatë takimit u diskutuan marrëdhëniet Turqi-Kosovë, konflikti Izrael-Hamas, si dhe problemet rajonale dhe globale.

“Gjatë takimit, presidenti Erdogan theksoi rëndësinë e rritjes së vëllimit tregtar mes Turqisë dhe Kosovës, me synimin që të kalojë 1 miliard dollarë, e cila aktualisht është në rreth 750 milionë dollarë. Ai gjithashtu theksoi potencialin për rritje shtesë në sektorë të ndryshëm, veçanërisht në industrinë e mbrojtjes”, u tha në njoftim.

Presidenti turk shprehu përkushtimin e Turqisë për të vazhduar mbështetjen e Kosovës në të gjitha fushat.

“Ai po ashtu përmendi se Kosova pritet të ndërmarrë veprime, veçanërisht në fushën e kundër-terrorizmit. Ai vuri në dukje se zbutja e tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një zhvillim pozitiv, por është thelbësore të shihet përparim i prekshëm në zgjidhjen e kësaj çështjeje”, u tha më tej në komunikatë.

Temë diskutimi ishte edhe lufta Izrael-Hamas. Me këtë rast, Presidenti Erdogan theksoi nevojën urgjente “për të trajtuar dhunën e vazhdueshme në Gaza, duke bërë thirrje për rritje të presionit ndërkombëtar ndaj Izraelit, mbështetje për zgjidhjen me dy shtete dhe ndihmë aktive për Palestinën”.