Policia e Kosovës ka konfiskuar dje në Leposaviq 20 palë uniforma të Policisë së Serbisë dhe 2 këmisha të Policisë së Kosovës.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar sot duke thënë se kjo është dëshmi e radhës se “mekanizmat e sigurisë së Serbisë ishin dhe mbeten përgjegjësi i tentativës për destabilizim dhe aneksim të veriut të vendit tone”.
Tutje, Sveçla ka thënë se të gjitha elementet terroriste që tentojnë destabilizim do të shkatërrohen.
“Falë vigjilencës dhe punës së pakursyer të të gjitha institucioneve të sigurisë së Republikës së Kosovës kjo tentativë e Serbisë për destabilizim të vendit suksesshëm po parandalohet dhe luftohet. Është detyrë dhe obligim i yni shërbimi ndaj të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim, ndërkohë që është përkushtimi dhe vendosmëria jonë që me të gjitha mjetet ligjore të mbrojmë sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit tonë. Të gjitha elementet terroriste që tentojnë destabilizim do të shkatërrohen pa kursim e përgjithmonë”, ka shkruar Sveçla.