Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Duhet shfarosur Hamasi”/ Netanyahu “pa mëshirë”: Nuk ka armëpushim të përhershëm në Gaza

“Nuk ka asnjë shans që Izraeli të pajtohet për armëpushim të përhershëm”

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka theksuar se nuk do të ketë armëpushim të përhershëm në Rripin e Gazës, pa u shkatërruar Hamasi.

Në një deklaratë, Netanyahu u shpreh se duhet të shkatërrohen plotësisht kapacitetet qeverisëse dhe ushtarake të Hamasit, në mënyrë që Rripi i Gazës të jetë i sigurt.

Ai e tha këtë përmes një komunikate online, një ditë pasi presidenti amerikan, Joe Biden, tregoi se Izraeli kishte propozuar një marrëveshje trefazore për armëpushim në Gazë, në këmbim të lirimit të pengjeve izraelite nga Hamasi.

“Kushtet e Izraelit për t’i dhënë fund luftës nuk kanë ndryshuar: shkatërrimi i kapaciteteve qeverisëse dhe ushtarake të Hamasit, lirimi i të gjitha pengjeve dhe garancia se Gaza nuk përbën kurrë më kërcënim për Izraelin”, tha Netanyahu.

Ai shtoi se Izraeli do të vazhdojë të ngulë këmbë që këto kushte të plotësohet, para se të zbatohet armëpushimi i përhershëm.

“Nuk ka asnjë shans që Izraeli të pajtohet për armëpushim të përhershëm, pa u plotësuar këto kushte”, shtoi ai.

Ndërkohë, Hamasi tha se është i gatshëm të angazhohet pozitivisht dhe në mënyrë konstruktive për çfarëdo propozimi që parasheh armëpushim të përhershëm, tërheqjen e forcave izraelite, rindërtimin e Gazës, kthimin e të zhvendosurve, dhe një shkëmbim të të burgosurve, nëse Izraeli njofton qartazi se është i përkushtuar për marrëveshje të tillë.

Izraeli e nisi luftën në Gazë si përgjigje ndaj një sulmi nga Hamasi në jug të Izraelit më 7 tetor, ku u vranë 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe u rrëmbyen rreth 250 të tjerë.