Spekulime e thashetheme, i ka quajtur zyra e kryediplomatës së Kosovës, Donika Gërvalla, deklarimet e Presidentes Osmani në lidhje me letrën që Gërvalla-Schwarz ia nisi Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës.
Një përgjigje të tillë e kanë dhënë për Tv Dukagjinin kabineti i ministres së Jashtme.
“Më lejoni t’iu informoj që MPJD e ka të pamundur t’iu përgjigjet në pyetje që bazohen tërësisht në spekulime dhe thashetheme. Me kënaqësi jemi në dispozicionin tuaj për pyetje, të cilat janë në kompetencat e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës”, ka deklaruar Leutrim Sahiti nga Zyra e MPJD-së.
Kjo përgjigje e zyrës së kryediplomates, sipas profesorit Milazim Krasniqi shpërfaq në publik, krisjen jo vetëm mes Gërvallës e Osmanit por edhe dy institucioneve, Qeverisë dhe Presidencës.
“Politika shtetërore në gjitha nivelet e veçanërisht në politikën e Jashtme, duhet të jetë plotësisht institucionale e koordinuar nga të gjithë nivelet e pushtetit, fatkeqësisht tek ne, politika është më shumë personale se sa institucionale dhe për këtë arsye, ka elemente të rivaliteteve të hierarkisë dhe prodhon konflikte,” ka thënë Milazim Krasniqi, profesor në UP.
Krasniqi, shton se dy figurat e lartpërmendura, janë duke luftuar për protagonizëm.
“Ka një tentativë për protagonizëm, vet fakti që gjendja e shtetit është kaq keq, në aspektin ndërkombëtar, askush nuk ka arsye për protagonizëm pasi gjendja është tejet e keqe”, shtoi Krasniqi.
Në një deklaratë gjatë së mërkurës, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka thënë se nga letra e dërguar nga kryediplomatja, Donika Gërvalla, e ka rrëzuar ofertën e nënshkruar nga tre liderët institucional që nuk duhet të ketë zbatim të njëanshëm të marrëveshjes me Beogradin nga Kosova.