Është ndarë nga jeta e moshuara e cila në nëntor të vitit 2022 u keqtrajtua nga punëtoret në shtëpinë e të moshuarve “Orenda” në Pejë.
Këtë e ka bërë të ditur avokati i familjes së të moshuarës, Meshar Selimaj, i cili në një intervistë për Euronews Albania ka thënë se çështja po zvarritet me të padrejtë nga Gjykata Themelore e Pejës.
Sipas avokatit zvarritja në gjykatë e kësaj çështjeje bëhet me qëllimin për të favorizuar dhe dhunuesen e të moshuarës dhe dy vajzat e tjera që akuzohen për ngjarjen.
Avokati shtoi se tashmë që e moshuara ka vdekur është edhe më e madhe nevoja për të dhënë drejtësi për këtë çështje.
“Tashmë e dëmtuara ka vdekur dhe insistimi është edhe më i madh për të dhënë drejtësi në këtë çështje penale e cila po zvarritet kaq gjatë. Është me rëndësi të theheut se prokuroria në Pejë në kohë rekord e ka ngritur aktakuzën dhe e ka dërguar në gjykatën Themelore. Pas 6 muajve është caktuar seanca fillestare dhe në atë seancë fillestare ne si palë e dëmtuar kemi hasur në disa pengesa teknike të cilat gjykata i shfaqur pa të drejtë, duke pretenduar se vajza, përfaqëuesja ligjore e të dëmtuarës nuk ka të drejtë ta përfaqësojë pasi ka problem të shëndetit mendor dhe nuk i kuptonte pasojat e veprimeve të veta. Një gjë e tillë nuk ndodh në praktikë, pasi kemi të bëjmë me një procedurë penale. Nuk mund të interferojë procedura civile mbi atë penale e cila ka ligjet e veta”, tha avokati.