Nga dy procese gjyqësore që ishin duke u zhvilluar në Gjykatën e Prishtinës, për dhunimin e 11 vjeçares, tashmë janë bërë tre.
Kjo për shkak se kjo gjykatë vendosi që të veçojë procedurën ndaj Sh.K, derisa të akuzuarit e tjerë u dënuan me 35 vite burgim në rigjykim.
E.R i moshës madhore është dënuar me 14 vjet dënim me burgim, ndërkohë që tre të miturit e tjerë me nga 7 vjet secili.
Ndonëse nga Gjykata Themelore në Prishtinë, gjatë ditës nuk janë përgjigjur për arsyet e veçimit të procedurës për të, ish avokati i tij, Hamdi Podvorica ka konfirmuar se kjo është bërë për shkak se i njëjti nuk kishte shkuar në seanca gjyqësore, gjatë kohës sa ka qenë duke u mbrojtur në liri.
I njëjti në aktgjykimin e parë të kësaj gjykate të marr në shkurt të vitit të kaluar ishte liruara nga akuzat për dhunim.
Ndërkohë që në fund të muajit të kaluar grupi i parë i arrestuar për dhunimin që ndodhi gjatë verës së 2022, u dënua me burgim, kjo gjykatë ka përpiluar edhe vendimin për grupin e dytë për këtë rast.
Dukagjini ka siguruar këtë vendim për 6 të dënuarit me gjithsej 62 vite burgim. Aty sqarohet veprimi i secilit prej tyre, në ditën kritike dhe se disa prej tyre, viktima edhe kishte arritur t’i identifikonte, gjatë dhënies së dëshmisë së saj në gjykatë.
AKTGJYKIMI
“Gjykata me kujdes, vëmendje të veçantë dhe në mënyrë shteruese ka çmuar çdo provë të administruar në shqyrtimin gjyqësor veç e veç dhe të gjitha ato së bashku dhe pas analizimit, vlerësimit dhe peshimit të tyre vjen në përfundim se është vërtetuar në mënyrë të drejtë, të plotë dhe të saktë dhe përtej çdo dyshimi se të pandehurit kanë kryer si dhe janë penalisht përgjegjës për veprat penale në dispozitiv të këtij Aktgjykimi. Në vlerësimin e Gjykatës, të pandehurit kanë kryer marrëdhënie seksuale me të dëmtuarën e mitur, ata e kanë ditur apo kanë mundur lehtësisht ta dinë se e dëmtuara në kohën e aktit seksual është e mitur dhe se e kanë ditur apo lehtësisht kanë mundur ta dinë se marrëdhënia seksuale përkatësisht akti seksual me personin e mitur është e ndaluar.”
Në aktgjykimin prej 52 faqesh tregohet se të dënuarit të cilët janë të moshës prej 32 vjec e rreth 20 vjec, kishin shpërndarë kontaktin e viktimës, tek njëri tjetri dhe se marrëdhëniet seksuale i kishin kryer kryesisht në motele në periferi të Prishtinës.
Gjykata ka vënë në theks edhe se dy nga të dënuarit kanë edhe vet fëmijë dhe se pretendimi se nuk kanë mundur ta dinë moshën e viktimës që është e mitur nuk qëndron.
AKTGJYKIMI
“Derisa e dëmtuara e mitur ishte në moshën 11 vjeçare, të pandehurit kishin të paktën edhe njëherë moshë më të madhe se ajo. Në anën tjetër, të pandehurit flasin të njëjtën gjuhë që flet e dëmtuara përkatësisht gjuhën shqipe. Të pandehurit gjithashtu banojnë në vende relativisht urbane, kanë të kryer të paktën shkollimin fillore dhe njohuritë e tyre të përgjithshme mund të thuhet lirshëm që janë brenda mesatares… Në dritën e këtyre, Gjykata nuk gjen asnjë arsye që të njëjtit të kishin pasur ndonjë pengesë për të kuptuar se e dëmtuara ishte person i mitur apo për të kuptuar se akti seksual me person të mitur është i ndaluar.”
11 vjeçarja nga Prishtina, dyshohet të jetë dhunuar seksualisht nga më shumë se 10 persona, gjatë muajve verës në 2022.