Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së

 
   

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në Hagë sipas kalendarit, të kësaj gjykate, sot të mbahet seancë gjyqësore, në procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-ës. Në seancën e të hënën dëshmoi dëshmitari i 70-të, me shifrën 03170, i Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Sipas përmbledhjes së lexuar nga përfaqësuesi i ZPS-së, prokuror James Pace, dëshmitari ishte anëtar i LDK-së i cili ishte ndaluar së bashku me një person tjetër dhe janë rrahur.

Prokuroria e Specializuar ka bërë të ditur se këtë javë janë planifikuar që të dëgjohen dy dëshmitarë të cilët mbajnë kodet 03170 dhe 04410.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill kurse të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.

Aktakuza e parë kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor 2020. Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore.

Ndryshe Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, njoftojnë se gjykatësi Stensland u rizgjodh kryetar i Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese të DHSK-së.