Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Me jep bekimin tënd, se ti je martir”- Biseda e Mikel Koliqit me Nënë Terezën në takimin e vitit 1991! Si u persekutua…

 
   

Nji popull që nderon burrat e vet, nji popull që pavdekson kujtimin e tyne, jo vetëm në faqet e historisë, por edhe mbi rrasa e në monumente, ai popull tregon se ka ndërgjegje, se ka ndjesi të holla, se njeh miradijen e ka dëshirë me u sjellun e me u drejtuem simbas shembullit të të Medhajve të vet”.

(Luigj Gurakuqi) Kjo thënie profete e rilindasit të shekullit 20 Gurakuqit të Shkodrës ka më shumë se 34 vite që më shoqëron në misionin tim për të përjetësuar figurat e ndritura të kombit që diktatura jo vetëm i persekutoi pa faj fizikisht e psikologjikisht, por i denigroi me propagandën boleshvike për ti paraqitur si “armiq të popullit” kur ata ishin engjëjt e lirisë, ishin drita e mençurisë, ishin barinjtë e dashurisë në Zot, e të zhvillimit e progresit të shoqërisë. Sot për mua kjo ditë është një mrekulli, del nga realiteti i përditshëm dhe i tejkalon madje dhe ëndrrat.

Unë kam një ëndërr, që shqiptarët e ndritur që përballuan diktaturën enveriste ma të egrën në Europën Lindore të përjetësohen në piedestalin e atdheut dhe të jenë frymëzuesit e brezave të rinj për të ndërtuar shtetin e së drejtës, për të mbrojtur lirinë e tyre, për të qenë qytetar europian dhe për të i sjellë paqen këtij populli shumë të vuajtur duke dënuar urrejtjen dhe krimin komunistë. Përulem përpara Hirësisë së tij, Mikel Koliqit dhe gëzohem që e realizova këtë obelisk madhështor në përjetësimin e tij, këtu ku ai përballoi internimin dhe arrestimin e tij në moshën 75-vjeçare, këtu tek ky vend kur xhelati i sigurimit të shtetit do të thyente derën në orën 2.00 mbas mesnate dhe do t’i merrte radion me bateri “Iliria”, ku do ta akuzonte se po ndigjonte radio Vatikani. Pasuria e Mikelit ishte radio “Iliria” dhe një biçikletë “Bianka”.

Do të dënohej me 15 vite burg politik. Kardinali Mikel Koliqi është një ndër figurat më të ndritura të Kishës Katolike shqiptare, njeriu që u bë simbol i gjakut të martirëve, derdhun nga diktatura komuniste. Ky ishte një figurë shembullore kishtare dhe kombëtare. Po kush ishte shqiptari i madh Mikel Koliqi, që sot iu kthye Lushnjës së Kongresit jo nën thundrat e xhelatëve, por në përjetësimin e tij dhe ban Lushnjën krenare e kombëtare. Lindi në Shkodër, më 29 shtator 1902, i biri Ages dhe Shanit. Shkollën fillore e nisi në Shkodër dhe mbaroi në vitin 1911 në kolegjin “Arici” të etërve Jezuit në Breshia të Italisë. Në Itali kreu dhe gjimnazin pjesërisht në Monxa e në Bergamo e Bari. Më pas në Milano ku studioi për inxhinier e më pas teologji. Mikeli gjatë këtyre viteve dallohej për një kulturë të gjerë dhe i apasionuar për muzikën.

I binte pianos në moshën 17-vjeçare. Ndiqte shfaqje të ndryshme në Itali së bashku me pianistin e shquar Tonin Guraziun. Në vitin 1931 në kulmin e studimeve i vetoi hiri i Zotit për t’u bë prift e për t’i shërbyer me zemër popullit. Në 30 maj u shugurua meshtar nga Arqipeshkevi i shquar i Shkodrës Imzot Lazër Mjeda. Në vitet 30 Shkodra ishte në lulëzim të plotë artistik. Emra të nderuar të qytetit kishin afruar rreth vetes djelmurinë shkodrane. Me këmbënguljen e Imzot Bumçit, arriti të specializohej për muzikë pranë një kori të shquar austriak për dirigjent koral. Gjatë 10 viteve si famulltar, ai dha një kontribut të madh në kulturën dhe muzikën shqiptare. Ai u shqua si muzikolog dhe krijoj një grup koral me emrin latin “Scuola Cantorum”.

Gjithashtu, ai themeloi Veprimin katolik shqiptar” dhe themeloi e drejtoi revistën “Kombona e së dielës” janar 1938-1944. Pjesa më e rëndësishme dhe kulmore e karrierës së tij artistike është krijimtaria si kompozitor dhe pikrisht tre melodramat e tij. Ai vuri bazat e melodramës shqiptare. Mikel Koliqi krijoj tri melodrama të shkruara nga poeti dhe dramaturgu i njohur Dom Ndre Zadeja. Këto ishin “Rozafa”, “Rrethimi Shkodrës”, “Ruba e kuqe”, të cilat janë transmetuar te ne si dorëshkrime, por ata kanë ardhur deri sot falë një muzikanti të talentuar, njëri nga nxënësit e tij, Tonin Harapi. Muzika e melodramës së pare “Rozafa” u muzikua gjatë muajve shkurt-mars 1936 dhe u shfaq më 26 prill 1936. Shfaqja u drejtua nga vetë Mikel Koliqi. Melodrama “Rrethimi i Shkodrës” u muzikua mbi dramën me të njëjtin titull të Dom Ndre Zadejës dhe u shfaq në prill 1937. Melodrama “Rubat e Kuqe” u shfaq në dhjetor 1937.

Me 2 shkurt 1945, arrestohet nga autoritete komuniste dhe arsye e vërtete akuzën e lidhshin me veprimtarinë e të vëllait. Me 1946 arrestohet dhe dënohet me 5 vite që i bëri në Beden dhe Orman të Korçës u liria më 1951 filloi internimet në kampet e punës, në Gradishtë, Kuç, Gjazë, Beden Orman, Savër. Ballshë, e Zejmen dënimet e tij së bashku shumojnë 21 vite burg politikë heqje lirie dhe 21 vite punë të detyruar internime. Dhe në moshën 90-vjeçare del nga ferri i komunizmit gjenocid shqiptar. Motra Margarita dhe nipi i muzikantit Palok Kurti u kujdesën për të deri në çastet e fundit. Dhe erdhi demokracia. Nata e egër komuniste mori fund u hapën kishat dhe xhamitë, Dom Mikeli në prag të 90 tave gjithmonë kokulur, zemërbardhë i buzëqeshur. Dom Mikel Koliqi dhe Nënë Tereza ishin dy figura të mëdha të krishterimit dhe njëkohësisht të kombit shqiptar. U takuan bashkë në një natë të errtë të Shkodrës së viteve ’91. Nënë Terza u ul në gjunjë para tij, duke thënë: “Më jep bekimin tënd, sepse ti je martir”.

Me modesti, Mikeli u përpoq t’i shmangej kësaj çështjeje, por më pas bekoi dorën me dorën e vet të shqiptares më të madhe të të gjithë kohërave. 28 Nëntor, 1994 Dita e Flamurit shqiptar në sallën plot dritë në Vatikan me plotë njerëz kur u thirr emir i tij. Ai u ngrit në këmbë, ashtu i lodhur, kockë e lëkurë, i plakur jashtë mase, por me fytyrë fisnike. Kardinalët përulen përpara Papës por jo, i shenjti i madhi Papa Gjon Pali II u përul përpara Mikelit shqiptar dhe Mikeli do të u drejtohej mediave botërore me thjeshtësinë e tij të madhe: Papa më ka zgjedhur mua për Kardinal se isha më i moshuar, por titullin Kardinal e ka marr Shqipëria atdheu im. Mbas 50 vitesh bashkohet me të vëllain nga Amerika, Guljemin. Dhe siç thoshte Dostojevski, jeta shpesh ia kalon edhe fantazisë më të shthurur. Kjo ditë në këtë ceremoni kuptimplotë është dhuratë nga Zoti.

Mendohuni pak në diktaturën më të egër në perandorinë komuniste, në vendin e parë dhe të vetëshpallur ateist në botë, në Shqipërinë e vogël me drama të mëdha, të mbyllur, njeriu me emrin Mikel Koliqi ishte dënuar se ishte prift dhe muzikant. Dhe pse i vëllai i tij, Ernesti poet, prozator, shkrimtar kishte mbrojtur nën regjimin fashistë gjuhën shqipe në Kosovë, Maqedoninë e Veriut e në Mal të Zi duke dërguar mbi 2500 mësues shqiptar, që shqiptarët aty të mos humbnin gjuhën e nënës dhe sot shqiptarët janë dominuesit e Ballkanit, falë kontributit të Ernest Koliqit. Mirënjohje për këta vëllezër shkodranë.

Hirësi i ndrituri Mikel Koliqi sot, unë biri i bashkëvajtësit tënd në Beden e Orman, Viçisht në 1948 me rikthimin tuaj dhe në përjetësimin e kujtesës kombëtare me përunjësi të kërkoj falje se mbas tri dekadash ne nuk kemi një varr për mbi 6000 shqiptarë, të vrarët e diktaturës për t’u bërë lutje. Na fal Kardinal, e vërteta e hidhët kjo , por e vërtetë, sidoqoftë… ne shqiptarët qysh nga viti 1991 nuk qemë në gjendje me ba atë që në anglisht quhet “Make your case”, shqip me ngrit çështjen tande, pra me ngrit kauzën e drejtësisë e me vënë me shpatulla për muri kriminelët e kuq. Në vend të kësaj, në pritëm që ambasadat me na e krye atë punë, fatkeqësisht ambasadorët nderojnë 29 nëntorin që dënoi dhe pushkatoi shokët e tu dhe nuk i lejoi këta ambasadorë të vinin në Shqipëri për 47 vite. Për fat të keq jemi popull i mësuem me utopinë se zgjidhjet na vijnë nga qielli. Na fal, Kardinal, nuk mujtëm me kriju sistem gjyqësor si e kanë shtetet e së drejtës e nga ana tjetër, as nuk mujtëm me pas organizma për të drejtat se këto organizata i gëllabruan komunistët dhe hibridet e tyre.

Asnjëherë këto organizma nuk e kryen misioni që u takonte. Kështu ndodh kur organizmat për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut i drejton ata që më parë i kishin dhunu këto të drejta. Ne Kardinal nuk ramë në llumin e hakmarrjes se kështu na mësuat ju. Dhe kjo qe fitore historike e bashkëvuajtësve të tu. Por, ne drejtësi kërkojmë. Na fal Kardinal, ne akoma nuk i jemi bashku Europës që t’i dënojmë krimet e komunizmit me ligj se politika tek ne hesht dhe imiton diktaturën për pushtet. Ne besuam dhe u tradhtuam, Kardinal. A mund të besojmë se po shkojmë në rrugën e duhur nëse flemë mbi harresën e së shkuarës? A duhet të besojmë se ata që nuk kanë guximin të lexojnë të djeshmen mund të marrin vendime në favor të njeriut për të nesërmen. Vuajtjet tona pasqyrojnë llumin e së keqes që përshkruan shqiptarët në vite, por pa shkuar kurrë në shtratin e urrejtjes. Është aty, njeriu i sulmuar nga bishat e mungesës njerëzore. Dhe kur lexon për jetën e këtyre burrave e grave që kan mujtur ta ruajnë vetveten edhe pse janë fyer, gjakosur, dhunuar poshtërua, nuk mund të mos ndalesh gjatë e të besosh se duhet thënë me zë të lartë të vërtetat e krimit komuniste që të ndërtojmë paqtimin në mes shqiptarëve! Jeta dhe veprimtaria e Kardinal Mikel Koliqit është për ne shqiptarët shembull testament shpirtnor kombëtar. Ai do të mbetet udhërrëfyes për të gjithë ne, se si duhet të punojmë për një të ardhme më të mirë për popullin e vendin, ashtu siç punoi Mikeli i ynë i dashur. Ai nga përjetësia na bekon ne, që të duam Zotin, popullin, atdheun!

*Kryetar i Unionit Mbarëkombëtar për Integrimin e ish-të Burgosurve Politikë