Kryetari i degës së LDK-së në Ferizaj, Visar Azemi tha se Komuna nuk e ka finalizuar një projekt dyvjeçar për asfaltimin e 8 rrugëve, disa rrugicave dhe ndërtimin e kanalizimit atmosferik në fshatin Mirash.
Azemi ka publikuar kontratën 80 mijë euroshe që Komuna e Ferizajt e kishte dhënë për këtë.
“Mijëra euro u paguan, por rrugët nuk u asfaltuan Projekti dyvjeçar në Mirash për afaltimin e 8 rrugëve, disa rrugicave, ndërtimin e kanalizimit atmosferik dhe murit mbrojtës, kushtoi 80 mijë euro. Por, ai nuk u finalizua”, shkroi Azemi.
“Për rrugën “Te varrezat e Hashanve” sipas dokumentit të Situacionit, u paguan 13 mijë e 074 euro. Kurse, për asfaltimin e rrugicave “Te Raqt”, shuma e paguar është 11 mijë e 638 euro. Derisa në total flasim për mbi 24 mijë euro të paguara për asfaltimin e këtyre rrugëve, ato nuk u asfaltuan kurrë. Sot e kësaj dite ato janë në zhavorr”, shtoi ai.
Azemi tha se LDK-ja në Ferizaj e ka ngritur këtë shqetësim dhe e kanë ftuar Prokurorinë që “të nisë hetim të mirëfilltë”.
“Sepse në mënyrë direkte preket e dëmtohet interesi e buxheti i qytetarit të Ferizajit. Ne besojmë se një qeverisje e mirë nuk ka asgjë për të fshehur. Dhe është jashtëzakonisht e nevojshme që kryefjalë të punës së vet ta ketë llogaridhënien dhe transparencën. Prandaj ne po e kërkojmë këtë dhe ne do ta dëshmojmë këtë”, shkruan Azemi në Facebook.