Organizata ATRC – Projekti Nisma për të Drejtën e Pronës (PIAKOS), ka mbajtur ceremoninë e nënshkrimit të kontratave me 11 konsorciume partnere, gjithsej 25 organizata të shoqërisë civile në Kosovë, projekt ky që me fokus të veçantë ka gratë, të rinjtë dhe grupet e cënueshme të shoqërisë, raporton Ekonomia Online.
PIAKOS do të ndajë shumën deri në 1 milion dollarë në mbështetje të aktiviteteve dhe ngritje të kapaciteteve të shoqërisë civile, për përmirësimin e vetëdijes publike mbi pronën e paluajtshme në Kosovë. Aktivitetet e parapara nga ky fond do të implementohen brenda muajit dhjetor të vitit të ardhshëm.
Ky projekt synon të rrisë vetëdijen mbi të drejtat pronësore, rëndësinë e regjistrimit të pronës dhe përfitimeve ekonomike të saj. Ndër aktivitetet kryesore të projektit jane rritja e kapaciteteve të shoqërisë civile, kohezioni në mes të parterëve qeveritarë dhe joqeveritarë, këshillimi falas, avokimi për të drejtat pronësore e qasje gjithëpërfshirës.
Kushtrim Kaloshi, drejtor ekzekutiv në ATRC, ka thënë se më këtë projekt janë duke marrur përsipër një detyre për të ndryshuar mentalitet, traditat, qasjet, praktikat dhe procedurat që sipas tij, kanë kufizuar qytetarin e Kosovës që të gëzoj të drejtën e zotërimit të pronës dhe të gëzimit të trashëgimisë.
Ai ka thënë se ky është projekt trevjeçar, i cili synon të zvogëloj hendekun informativ, të promovoj gjithëpërfshirjen dhe të forcoj të drejtat e tokës dhe të pronësisë.
“Krenari se po bëhemi pjesë e një rrjeti prej 25 organizatave lokale me përkrahjen e një organizate me renome si Banka Botërore dhe me një temë shumë të rëndësishme për të sotshme dhe të ardhmen e vendit, atë të regjistrimit të pronës dhe trashëgimisë. Kurse përgjegjësi se pse po marrim përsipër një detyre për të ndryshuar mentalitet, traditat, qasjet, praktikat, procedurat që kanë kufizuar qytetarin e Kosovës që të gëzoj të drejtën e zotërimit të pronës dhe të gëzimit të trashëgimisë. Disa pika kyçe të projektit, nisma për të drejtën e pronës është projekt trevjeçar i Bankës Botërore, respektivisht nga Fondi për Paqe dhe Shtetndërtim e që zbatohet nga ATRC i cili synon të zvogëloj hendekun informativ, të promovoj gjithëpërfshirjen dhe të forcoj të drejtat e tokës dhe të pronësisë. Duke përqendruar përpjekjet në komunitete e ndjeshme, projekti aspiron të drejtoj zhvillimin e komunitete, të nxisë rritjen socioekonomike dhe të vendos bazat për një shoqëri më të barabartë. Ky projekt synon që të përmirësoj qasjen në informacion dhe shërbime këshillimi për grat, të rinjtë dhe personat e ndjeshëm. Projekti përfshinë 27 komuna, kryesisht kominat e banuar nga pjesëtarët e komuniteteve pakicë, zonat rurale dhe komunat multietnike”, u shpreh ai.
Lundrim Aliu, nga zyra e Bankës Botërore në Kosovë ka thënë se ngritja e informimit dhe e vetëdijes për qasjen në drejtën e pronës dhe shërbimet për të realizuar këto të drejta të pronës, nga ana e grupeve të cenueshëm në Kosovë, është shumë e rëndësishme për të siguruar përfshirjen dhe kontributin e tyre në ekonomin e Kosovës dhe për të zhvilluar kapitalin njerëzor të vendit.
Ai ka thënë se pa përfshirjen dhe kontributin e grave dhe komuniteteve, Kosova nuk mund të ketë zhvillim.
“Ngritja e informimit edhe vetëdijës për qasjen në drejtën e pronës dhe shërbimet për të realizuar këto të drejta të pronës nga ana e grupeve të cenueshëm në Kosovë, përfshirë këtu gratë, të rinjtë dhe komunitete pakicë është shumë e rëndësishme për të siguruar edhe përfshirjen e tyre dhe kontributin e tyre në ekonomin e Kosovës por edhe për të zhvilluar kapitalin njerëzor të vendit. Gratë qysh e dini edhe ju e përbejnë përafërsisht gjysmën e popullsisë së vendit, dhe sipas të dhënave të disponueshme pjesëmarrja në fuqinë punëtore por edhe në punësim ende mbete shumë e vogël. Ndërkohë pa pjesëmarrjen edhe pa kontributin e përfshirjen e tyre, shndërrimi i Kosovës në një vend të zhvilluar, me prosperitet ku qytetarët jetojnë të kënaqur do të jetë i vështirë. Edhe për komunitete pakicë të vendit çështja e pronësisë, ka mbetur një sfidë e madhe për përfshirjen e tyre më të madhe në zhvillimin socioekonomik të vendit”, ka thënë ai.
Odeta Naks, menaxhere e PIAKOS, ka thënë se shpresojnë që në fund të këtij projekti statistikat të jenë në rritje, në qasjen e grave, të rinjve dhe minoriteteve në të drejta e tyre pronësore.
“Ne jemi shumë entuziast që projekti ka këto targete dhe shpresojmë që arritjet tona në fund të projekt të shprehen në statistika në rritje në qasjen e grave, të rinjve dhe minoriteteve në të drejta e tyre pronësore. Komponenti i parë që është rritja e ndërgjegjësimit, kemi aktivitete derë me derë në 27 komuna. Këtu është e rëndësishëm fushata mediatike. Komuniteti i dytë është një analizë e cila do të ndahet në dy faza, analizë e problematikave dhe çështjeve të ndryshme që hasin gratë dhe minoritete që hasin në pronë. Dhe komponenti i tretë është komponenti i menaxhimit dhe rritja e kapaciteteve”, ka thënë ajo.
PIAKOS mbështetet nga Banka Botërore, Fondi për Paqe e Shtet-Ndërtim dhe implementohet nga Qendra e Trajnimeve dhe e Burimeve për Avokim (ATRC).