Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Si u tentua të shpiket një tjetër “Shtëpi e Verdhë” në Kosovë?

 
   

Shumë persona që mbeten të plagosur gjatë luftës së fundit po merrnin ndërhyrjet mjekësore në kushte shtëpiake.

E dhjetëra operacione të tilla u kryen në një dhomë që dikur shërbente si sallë operimi në ish-spitalin ushtarak në Mollopolcë të Shtimes.

25 vjet më pas, pronari i shtëpisë, Avdyl Isufaj, ekskluzivisht flet për kohën kur dhjetëra të plagosur, u mjekuan në shtëpinë e tij.

“Këtu ka qenë një vitrinë, ka pas barna e ato mjete. Këtu ka qenë tavolina për përpunimin e plagëve, të plagosurve çfarë kanë qenë dhe disa operacione. Ka pasur amputim të duarve, këmbëve”, tha pronari i shtëpisë.

Por, Isufaj nuk e lëshoi vetëm këtë dhomë për spital të luftës.

Ai në dispozicion Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ia la gjithë shtëpinë katërkatëshe.

“Krejt kjo shtëpi ka qenë më të plagosur, civilë, ka pas shumë, përmbi 120 po. Mjek i luftës u kanë Besim Hoxha, Isë Haxhiu dhe Nehat Baftiu pastaj kanë ardhur edhe të tjerët kur ka pasur nevojë”, tha Isufaj.

Por, si erdhi deri te vendimi, që Avdyl Isufaj ta lëshonte shtëpinë për spital ushtarak?

Ky thotë se gjithçka erdhi pas një takimi me ish-komandantin e Zonës së Nerodimes, Shukri Bujën.

“…tani erdh Shukri Buja, tha me na i leshu qat shtëpi. I thash unë shtëpinë as s’muj me ndal, se ajo është e lëshume (shtëpia e vëllait) po unë i thashë e kam menduar një gjë tjetër. Kur e kam ndërtuar këtë shtëpi, vet e kam murosur, thosha kush nuk e ka për kazerme të ushtrisë, thashë që ua merr mendja unë e lëshoj. Tha jo nuk hequm familje prej shtëpijave, na jemi me mbrojtë popullatën. I thashë për ushtrinë e Kosovës, unë e heqi familjen prej shtëpisë”, tregoi Isufaj.

Ndërkohë të mërkurën, nën pranga përfunduan dy persona të dyshuar për spiunazh në Kosovë.

Të dy, Muharrem Qerimi e Bedri Shabani, dyshohet që ishin pjesë e agjendës serbe.

E pjesë e planit të Bedri Shabanit, dyshohet të ketë qenë edhe shpikja e një “Shtëpie të Verdhë” në Kosovë, të ngjashme me atë në Burrelë të Shqipërisë.

E cak i këtij plani, dyshohet të ketë qenë pikërisht shtëpia e Avdyl Isufajt.

“S’ka pasur as kushte, as shansë me u trafikua dicka. Tavolinat e këto për operacion, i kam punuar vetë. S’ka pasur kurfarë mjete, në fillim mjetet kanë qenë krejt primitive”, tha Isufaj.

Misionin e vetë si ish-spital ushtarak kjo shtëpi, e përfundoi më 15 qershor të vitit 1999.

Nga këtu, 100 të plagosur u transferuan në spitalin e Ferizajt.