Katër shtetas të Kosovës, aktualisht, ndodhen në paraburgim në Serbi nën akuzat për krime lufte: Nezir Mehmetaj, Hasan Dakaj, Sadik Duraku dhe Tefik Mustafa.
Për autoritetet e Kosovës, ndalimet nën dyshime të tilla në Serbi janë arbitrare dhe të padrejta. Ato kanë kërkuar ndihmën e faktorit ndërkombëtar për lirimin e tyre.
Por, në Strategjinë Kombëtare të Serbisë për ndjekje të krimeve të luftës, 2021-2026, shteti serb pretendon se ka juridiksion për të vënë drejtësi për krimet e kryera gjatë konflikteve të armatosura në vitet ’90.
Në të përmendet se Zyra e Prokurorit për Krime Lufte ka krijuar grupe të përpunuesve të të dhënave sipas parimit territorial, “pra duke ndjekur lidhjet e rasteve me vendin ku është kryer vepra penale – në Bosnje e Hercegovinë, në Republikën e Kroacisë, në Kosovë”.
Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshje për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike, më 2013, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, por bashkëpunim mes tyre për rastet e krimeve të luftës nuk ka pasur thuajse fare.
Si u ndaluan shtetasit e Kosovës?
• Nezir Mehmetaj u arrestua më 2020 në Merdare – njërën prej pikave kufitare mes Kosovës dhe Serbisë. Ndaj tij nuk është marrë ende ndonjë vendim, pavarësisht dhjetëra seancave të zhvilluara.
Vëllai i tij, Agron Mehmetaj, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se nuk ka rrezikuar asnjëherë që ta vizitojë atë në Serbi, pasi nuk ka besim tek autoritetet atje.
“Se kanë fakte e kanë dëshmi… ajo nuk është aspak e vërtetë, këtë e dinë të gjithë”, ka thënë Agron Mehmetaj, duke treguar se vëllai i tij nuk është mirë me shëndet, pasi ka probleme me diabetin.
• Hasan Dakaj, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), u ndalua, po ashtu, në Merdare, në janarin e vitit 2024.
Avokati i tij, Xhevdet Smakiqi, pati thënë për Radion Evropa e Lirë se ndalimi i Dakajt është kryer mbi baza politike dhe se ekzistojnë gabime faktike.
“Prokuroria nuk ka identifikuar se kë po e kërkon dhe nuk munden as dëshmitarët, të cilët Prokuroria pretendon se do ta identifikojnë një person prej kur ka qenë 19 vjeç, e tani është rreth 50 vjeç”, ka thënë avokati.
• Sadik Duraku u ndalua më 17 prill të këtij viti, në një pikë kufitare mes Serbisë dhe Kroacisë. Atij i është vazhduar së voni masa e paraburgimit edhe për 30 ditë.
Vëllai i tij, Avdyl Duraku, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se akuzat ndaj Sadik Durakut janë të fabrikuara.
Edhe ai ka thënë se vëllai i tij nuk është në gjendje të mirë shëndetësore, pasi ka probleme me zemër:
“Shpresoj të dalë gjallë, ky është halli im”.
• Tefik Mustafa është më i fundit në këtë listë. Ai u arrestua më 1 qershor në Merdare.
I biri i tij, Qamil Mustafa, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se akuzat ndaj babait të tij janë të pabaza.
“Ka udhëtuar mbi 10 herë [përmes Serbisë], nuk ka pasur asnjëherë telashe”, ka treguar ai.
Familjarët e të ndaluarve – përveç Dakajt – deklarojnë vazhdimisht se të paraburgosurit në Serbi nuk kanë qenë fare në Kosovë në kohën e luftës.
Departamenti amerikan i Shtetit ka bërë thirrje për proces të drejtë ligjor për personat e arrestuar në Serbi nën akuzat për krime lufte.
Në të kaluarën, autoritetet serbe kishin ndaluar nën të njëjtat dyshime edhe Petrit Dulën, Ramadan Malokun, Hilmi Kelmendin e Mark Kashnjetin, shqiptarë të Kosovës, por ata tashmë janë liruar.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) në Kosovë, u ka bërë thirrje qytetarëve, të cilët eventualisht mund të arrestohen nga Policia serbe, që të mos udhëtojnë përmes Serbisë, pasi ata nuk do të mund të vizitohen nga organizatat për të drejta të njeriut dhe do ta kishin të vështirë të siguronin një mbrojtje efektive ligjore.
Kritika për punën e Prokurorisë serbe
Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare në Serbi, mungesa e transparencës dhe mungesa e informacionit – që duhet të jetë i qasshëm publikisht – e kanë përjashtuar publikun prej këtyre proceseve.
Në raportin e fundit të kësaj organizate është përmendur edhe mungesa e dëshmitarëve. Sipas tij, Prokuroria nuk ka qenë në gjendje të sigurojë asnjë dëshmitar kyç për më shumë se dy vjet në rastet për krime lufte.
Në Raportin e Progresit për Serbinë, për vitin 2023, Komisioni Evropian ka përmendur që “ritmi i gjykimit të krimeve të luftës në Serbi është përkeqësuar në vitet e fundit” dhe se duhet treguar përkushtim të vërtetë për zgjidhjen e rasteve.
Ndërkaq, në raportin për të drejta të njeriut të Departamentit amerikan të Shtetit, për vitin 2023, është thënë se ndonëse hetimet duhet të përfundojnë brenda 6-12 muajve në rastet e posaçme – ku përfshihen krimet e luftës – hetimet në Serbi kanë zgjatur shumë më shumë, për shkak të mungesës së afateve të qarta kohore dhe mungesës së masave ndëshkimore për mospërmbushjen e afateve të përcaktuara.
Agron Mehmetaj ka thënë se disa herë janë paralajmëruar që seancat e kaluara do të ishin të fundit për
Nezir Mehmetajn, por ato kanë vazhduar të mbahen “sa për sy e faqe”:
“Prapëseprapë, shkuan vite e ende asgjë nuk është bërë”.