Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Valentina Bunjaku-Rexhepi, i ka komentuar audio-incizimet që janë publikuar, ku dëgjohen duke biseduar shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila me kryeterroristin serb Millan Radoiçiq.
Bunjaku-Rexhepi thotë se kryeministri Albin Kurti është duke e përdorur si karrem për bashkëpunim Mimoza Kusari-Lilën me Millan Radoiçiqin.
“Duke u afruar afati për skadimin e afatit të mandatit të Kurtit, nuk i kanë mbet as katër-pesë muaj skandalet veçse do të shtohen. Audio-incizimi normalisht është i papranueshëm për ne si LDK dhe për mua personalisht, sepse të flitet me një terrorist dhe del kryeministrit thotë se nuk e kam dëgju…Unë jam e bindur që Mimoza Kusarin, kryeministri po e përdor si ‘karrem’ për bashkëpunimin me Radoiçiqin. Qytetarët tashmë e kanë kuptuar se bashkëpunimi i kryeministrit me Radoiçiqin nuk ka munguar përmes linjës së Mimoza Kusarit, e ka përdor e ka emëruar madje edhe shefe të Grupit Parlamentar të VV-së”, tha ajo në emisionin “Info Nata” .
Deputetja opozitare e konsideron vepër penale bashkëbisedimin me një terrorist, gjithashtu fton që organet e shtetit të merren me këtë çështje dhe të nisin hetimet.
“Është vepër penale sa i përket me fol me një terrorist realisht dhe duhet organet e shtetit të merren me këtë çështje. Mimoza Kusari nuk ka mundur të flas me atë terrorist pa u marrë vesh me Kurtin. S’ka asnjë mundësi që Kusari të bisedojë me të pa miratimin e Kurtit, në këtë rast barra dhe përgjegjësia bie mbi Kurtin dhe jo Kusarin. Atë Kurti vetëm e ka përdorë”, deklaroi ajo.
Ndërkohë, Kurti, bisedën telefonike e ka quajtur situatë të montuar, derisa ka thënë se Kusari-Lila, nuk është anëtare e VV-së.