Kryeministri Albin Kurti ka folur sërish për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë.
Kurti tha se zgjedhjet parlamentare do të mund të mbahen në vjeshtë ose dimër, varësisht nëse do të mund të dakordohen me opozitën.
“Kosova është gjithmonë gati (për zgjedhje) për shkak që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është një institucion profesional edhe I pavarur”.
“Mirëpo, përderisa për zgjedhjet lokale dihet që afati është në vjeshtën e vitit të ardhshëm, për zgjedhjet parlamentare kjo do të jetë më herët, do të mund të jenë në vjeshtë ose në dimër, varësisht se a do të mund të ketë ndonjë herë ndonjë dakordim me opozitën aktuale që të bëhet caktimi i muajit për zgjedhjet e reja”, ka deklaruar Kurti.
Ai tha se ky dakordim nuk u arrit për në këtë pranverë, e mbetet të shihet se çka do të sjellë vjeshta e dimri, duke shtuar se kishte shprehur gatishmërinë për të shkuar në zgjedhje meqë është në vitin e fundit të mandatit dhe për kalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.
“Unë tashmë ndodhem në vitin e fundit të këtij mandati dhe kanë ngelur më pak se dhjetë muaj, andaj edhe pata shprehur gatishmërinë time që në njërën anë t’i kalojmë marrëveshjet ndërkombëtare të cilat janë të rëndësishme pavarësisht partive politike, dhe në anën tjetër të caktojmë datën që do të ishte e përshtatshme për zgjedhjet e ardhshme. Nuk u bë në këtë pranverë, ta shohim çka do të sjellë vjeshta e dimri”, ka deklaruar Kurti në një intervistë për televizionin lokal TV Kamenica.
Ndryshe, marrëveshjet ndërkombëtare janë votuar tashmë, pas takimit që kishte zhvilluar Kurti me kreun e PDK’së, Memli Krasniqin.
Kurti kishte deklaruar se është i është i gatshëm të ofrojë votat e VV-së për shpërndarjen e Kuvendit vetëm nëse për këtë gjë pajtohet të gjitha partitë opozitare. LDK dhe AAK kanë dalë kundër, pasi që kanë kërkuar fillimisht dorëheqjen e kryeministrit Kurti, në mënyrë që pastaj vendi të shkojë në zgjedhje.