Po kalojnë muaj e vite e në Serbi po vazhdojnë të mbesin shtetasit kosovarë që u arrestuan nëpër kufi, nën supozimet për krime lufte. Por, derisa përfaqësimi juridik i tyre nga avokatët kosovarë mbetet i pamundur, njohësit e fushës konsiderojnë se Qeveria e vendit do të duhej të ngriste për diskutim këtë çështje në tavolinën e bisedimeve në Bruksel.
Derisa përfaqësimi juridik i tyre nga avokatët kosovarë mbetet i pamundur, qeveria e vendit do të duhej të ngriste për diskutim këtë çështje në tavolinën e bisedimeve në Bruksel, thonë në Grupin për Studime Jurdike dhe Politike.
Avokati Florim Shefqeti, i tha RTK-së se për familjarët mbetet shqetësim pamundësia e angazhimit të mbrojtjes ligjore nga Kosova dhe mendon se tashmë shteti duhet ta ndajë një fond për të angazhuar avokat shqiptar të licencuar në Serbi, për t’i përfaqësuar të arrestuarit kosovarë në gjykata.
Në Ministrinë e Punëve të Jashtme nuk kthyen përgjigje mbi opsionet që i mendojnë për një qasje tjetër ndaj arrestimeve të vazhdueshme që Serbia i kryen kundrejt shtetasve të Kosovës.
Kjo ministri ka dënuar arrestimin e Mustafës, por edhe ka njoftuar faktorin ndërkombëtar për veprimet e Serbisë.
Edhe Departamenti Amerikan i Shtetit ka bërë thirrje për proces ligjor të drejtë dhe transparent ndaj Mustafës dhe personave tjerë të arrestuar më herët nga Serbia.
Tefik Mustafa, i cili u arrestua së fundmi në pikën kufitare në Merdar, e të cilit i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, është qytetari i tretë me shtetësi të Kosovës, i arrestuar nga janari i këtij viti.
Në paraburgim po mbahen edhe Sadik Duraku e Hasan Dakaj.
Vitin e 5-të në burgjet serbe po e kalon edhe Nezir Mehmetaj, i arrestuar me 4 janar të 2020-s.
Ndërkohë familjarëve gjithçka që u mbetet është vendosja e kontaktit me avokatin përfaqësues që e caktojnë institucionet e drejtësisë në Serbi.